TIRANË - Mblidhet 'Task Force' për funksionimin e tregut të kafshëve të gjalla dhe mishit të therrur.  Ka qenë ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, në kuadër të politikave prioritare të qeverisë thirri në një mbledhje urgjente ‘task-forcën’ për fillimin e aksionit për normalizimin dhe funksionimin e tregtimit të kafshëve të gjalla dhe të mishit të therrur, duke respektuar vetëm normat që garanatojnë shëndetin dhe sigurinë ushqimore te konsumatori.
 
Në këtë takim ishin të pranishëm zv ministra, drejtorë të përgjithshëm të institucioneve kompetente në Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mjedisit, Drejtorinë e Tatimeve, INUK (Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik kombëtar), policia e shtetit etj.
 
Ministri Panariti urdhëroi fillimin e aksionit për normalizimin dhe funksionimin e tregtimit të kafshëve të gjalla dhe të mishit të therrur, duke respektuar vetëm normat që garanatojnë shëndetin dhe sigurinë ushqimore te konsumatori. Aksioni do të jetë ndërinstitucional që të garantohet ligji në të gjithë aspektet e funksionimit të këtij tregu.
 
Me këtë rast, njoftojmë tregtarët e kafshëve të gjalla dhe mishit të therrur në gjithë vendin, se shumë shpejt do të nisë aksioni për t’i larguar ata nga rruga dhe për displinimin dhe tregtimin e tyre në përputhje me parametrat dhe standardet e sigurisë ushqimore, duke zbatuar me vendosmëri ligjet në fuqi, që parashikojnë deri në konfiskim të produktit dhe prishje të infrastrukturës mbështetëse.

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave garanton se është e vendosur - në zbatim të angazhimeve të saj përballë qytetarëve, por edhe marrëveshjeve ndërkombëtare- për t’i shkuar deri në fund këtij aksioni. 
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)