Krijuesi i ChatGPT, Sam Altman, akuzohet nga motra e tij për përdhunim kur ishte fëmijë! 39-vjeçari e mohon: Ajo ka probleme të shëndetit mendor

Krijuesi i ChatGPT, Sam Altman, akuzohet nga motra e tij për përdhunim kur ishte fëmijë! 39-vjeçari e mohon: Ajo ka probleme të shëndetit mendor

Sam Altman

LONDËR – Sam Altman, krijuesi i ChatGPT, është paditur nga motra e tij për abuzim seksual mes viteve 1997 dhe 2006, kur ajo ishte ende fëmijë. 

Në padinë e paraqitur ditët e fundit në një gjykatë të distriktit të shtetit amerikan të Misurit, pretendohet se abuzimet kanë filluar kur Ann Altman ishte vetëm 3 vjeç dhe vëllai i saj 12 vjeç, dhe se ato kanë vazhduar për një kohë të gjatë. 

President i OpenAI, kompania që prodhon ChatGPT, dhe një nga miliarderët e ekonomisë së re dixhitale, Altman i ka mohuar akuzat në një postim të publikuar së bashku me nënën dhe dy vëllezërit e tij në rrjetin social X.

“Të gjitha këto pretendime kundër meje janë plotësisht të rreme,” deklaroi ai, duke zbuluar se i jep ndihmë financiare mujore motrës së tij, i paguan faturat dhe qiranë, dhe madje i ka ofruar të blejë një shtëpi për të, “por Ann vazhdon të kërkojë para.”

Sipas Altman, motra e tij vuan nga çrregullime mendore.

“Të kujdesesh për një anëtar të familjes që vuan nga probleme psikologjike është jashtëzakonisht e vështirë,” shtoi ai.

Në padinë e saj në gjykatë, Ann Altman pretendon se vëllai i saj, sot 39 vjeç, e ka “manipuluar për një kohë të gjatë” dhe e akuzon për kryerjen e “akteve të panumërta seksuale” duke përfshirë “përdhunim dhe rrahje.”

Ann, e cila aktualisht është 30 vjeçe, thotë se ka pësuar “dëmtime të rënda trupore,” stres emocional dhe depresion si rezultat i veprimeve të Sam-it. Ajo shton se është detyruar të ndjekë trajtime të kushtueshme mjekësore për dëmet fizike dhe mendore të shkaktuara nga vëllai.

“Gjatë viteve kemi provuar në çdo mënyrë për të ndihmuar Annie të gjejë stabilitet,” kundërpërgjigjet Sam, duke theksuar se ka kërkuar “këshillime profesionale” për të kuptuar si t’i japë mbështetje motrës “pa inkurajuar sjellje të dëmshme nga ana e saj.” 

Ann Altman kishte ngritur akuza të ngjashme kundër vëllait edhe më parë, por vetëm në mediat sociale: tani ajo do ta çojë çështjen në gjykatë.

Sam Altman, i cili këtë vit u martua me Oliver Mulherin, një inxhinier softuerësh australian me të cilin është në çift prej kohësh, është një nga personazhet më të spikatur dhe më të pasur në sektorin e teknologjive të reja.

Në vitin 2022, ai lançoi ChatGPT, një chatbot i bazuar në Inteligjencën Artificiale, produkt i kompanisë së tij OpenAI, i specializuar në biseda me përdoruesit njerëzorë dhe i pajisur me aftësi të jashtëzakonshme për të gjeneruar tekste dhe imazhe të ngjashme me ato të krijuara nga njerëzit.

I larguar në vitin 2024 nga Bordi i Drejtorëve të OpenAI, ai u rikthye dhe u pranua sërish vetëm pak ditë më vonë, duke i mbijetuar një “grushti shteti” menaxherial. Tani, ai duhet të përballet me një betejë ligjore me motrën e tij për t’i mbijetuar akuzave të rënda për dhunë seksuale ndaj një të mituri./ La Repubblica

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Aksident i rëndë në Korçë – Pogradec/ Përplasen dy makina, një i vdekur (VIDEO)

Aksident i rëndë në Korçë – Pogradec/ Përplasen dy makina, një i vdekur (VIDEO)