'Krim nga bashkia, Veliaj dhe ISHP', Zhupa: Prokuroria të hetojë, lënia hapur e kopshtit u kthyer në vatër infeksioni

Ina Zhupa, zëdhënësja e PD-së, thotë se Veliaj, bashkia Tiranë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë kryer një krim duke lënë të hapur kopshtin '4 stinët' në Tiranë pavarësisht se ishin në dijeni të një rasti pozitiv me koronavirus në këtë institucion. Sipas Zhupës ata kishin dijeni me rastin, por nuk morën masa, duke e lënë të hapur kopshtin që është kthyer në një vatër infeksioni. Ndër të tjera zëdhënësja e PD shkruan se Rama dhe Manastirliu kanë dështuar në menazhimin e situatës me COVID-19.

"Ndodhemi këtu përballë kopshtit “4 stinët”, kopsht publik në qytetin e Tiranës. Këtu ka ndodhur një krim institucional nga Veliaj, bashkia Tiranë dhe Instituti i Shëndetit Publik. Në këtë kopsht, ka patur një punonjëse me tampon pozitiv COVID-19 dhe kjo është mbajtur e fshehur me vetëdije nga institucionet, që e kanë në varësi këtë kopsht, siç është Bashkia Tiranë.

Ne pamë me zë dhe me figurë sesi drejtoresha e Bashkisë Tiranës ishte në dijeni të plotë të faktit që një nga punonjëset kishte rezultuar me tampon pozitiv COVID-19, se si punonjëset e tjera të këtij institucioni ishin në dijeni të këtij fakti dhe mbanin të fshehur me urdhër nga drejtoresha e tyre. Po ashtu edhe drejtoresha e këtij kopshti, ishte me raport dhe mund të jetë edhe ajo një nga të infektuarat me COVID-19. Prindërit e fëmijëve në këtë kopsht nuk kishin asnjë dijeni për këtë gjë dhe këtë ia shprehën edhe gazetares.  

Kjo ishte situata që kishin krijuar me vetëdije institucionet përgjegjëse për këtë kopësht. Ata e mbyllën pasi rasti u bë publik. Nëse rasti nuk do të ishte bërë publik, ky kopsht do të vazhdonte aktivitetin, duke u shndërruar, siç është tashmë prej një jave, një vatër infeksioni për fëmijët, për familjet e tyre, për punonjëset e këtij kopshti dhe për familjet e tyre gjithashtu.

ISHP e ka për detyrë që, pavarësisht prej papërgjegjshmërisë së Bashkisë Tiranë dhe Erion Veliajt, të vazhdojë të kryejë hetimin epidemiologjik për të nxjerrë se sa raste të tjera janë infektuar pikërisht nga lënia hapur, pasi u zbulua punonjësja me COVID-19 në këtë institucion.

Sot ne kemi 4 të vdekur nga COVID-19 dhe 93 të infektuar, 62 nga Tirana. Le të na tregojnë institucionet sa raste vijnë si pasojë e mos reagimit ndaj këtij kopshti? Sa raste vijnë nga mos reagimi i ISHP-së në Berat?

Sa raste kemi ne sot, sa të infektuar kemi ne sot që vijnë pikërisht nga keqmenaxhimi i qeverisjes qendrore dhe qeverisjes lokale për të fshehur rastet?

Sepse duan që të mos tregojnë se institucionet e tyre në varësi njerëzit preken nga COVID-19. Erion Veliaj do të ruajë propagandën e tij të paprekur. Manastirliu dhe Rama duan të mos tregojnë se kanë dështuar me shëndetësinë, që nuk kanë teste, që kanë vetëm një laborator, i cili është i pamjaftueshëm për të kryer hetime për gjithë popullsisë dhe për të kryer hetime edhe rrethet e ngushta që vërtetë kanë kontakte me njerëz me COVID-19.

Në rast se këto hetime do të kryheshin, sot do të kishim më pak të infektuar, sot do të kishim më pak të vdekur. Por shmangia nga përgjegjësia e njerëzve që na qeverisin që nga Rama, Manastirliu, Veliaj na ka çuar në këtë situatë ku ne përditë kemi shumë e më shumë raste.

Unë jam nënë e një fëmije, i cili është  në moshën për të shkuar në çerdhe dhe si gjithë nënat sot e ndjej që papërgjegjshmëria e këtyre institucioneve na ka çuar në një situatë jashtëzakonisht shumë të rrezikshme, përsa i përket shëndetit të fëmijëve tanë, që është gjëja më e shtrenjtë që ne kemi dhe shëndetin e familjeve tona.

Ne sot të gjithë bashkë duhet të reagojmë që të mos kthehemi në njerëz të infektuar, në njerëz që do të përfundojmë në shtretërit e spitalit Infektiv të Tiranës.

Askush nuk do të donte të përballej me këtë situatë dhe prindërit nuk kishin asnjë dijeni për këtë situatë që të mund të merrnin masat, sepse u mbahej e fshehur nga institucioni.

Prokuroria ka për detyrë të kryejë një hetim të plotë dhe të vërë para përgjegjësisë të gjithë ata që fshehën me vetëdije të plotë infektimin e një punonjëseje me COVID-19. Me ndryshimet e reja në Kodin Penal, përhapja me dashje e sëmundjeve infektive dënohet me burg dhe kjo duhet të jetë masa që duhet të merret për të gjithë ata që vendosën që kopshti të bëhej një vatër infeksioni për familjet e fëmijëve që ishin këtu dhe të punonjësve që ishin këtu. Mendoni që gjithsecili nga ne është i rrezikuar, nëse nuk reagojmë ashtu siç duhet.

Bashkia e ka për detyrë që të rrisë dezinfektimet në kopshtet dhe çerdhet shqiptare. Qeveria ka për detyrë të rrisë testimet masive dhe të kryejë të gjitha hetimet epidemiologjike, kur bëhet fjalë për rastet e evidentuara, si në rastin e kopshtit në fjalë apo institucioneve të tjera që kanë dalë njerëz të infektuar me COVID-19.

Papërgjegjshmëria po na çon në një situatë tragjike për shëndetin e shqiptarëve. Shëndeti i një fëmije dhe shëndeti i një shqiptari sot është shumë më i shtrenjtë sesa posti i një prokurori apo karrigia e një kryebashkiaku kriminel.

U bëj thirrje qytetarëve që të kujdesen vetë për shëndetin e tyre dhe të kërkojnë sa më shumë llogari institucioneve në mënyrë që të mos përfundojnë nga kjo qeverisje, në rastin më të mirë të intubuar në spitalin Infektiv,"-shprehet Ina Zhupa.

Ne.k./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave