TIRANE- Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot, të shtohet numri i personave të persekutuar dhe ekzekutuar nga komunizmi që do të dëmshpërblehen.

Sipas Kryeministrit, në këtë kategori duhet të futen edhe personat që janë trajtuar si të sëmurë mendorë gjatë komunizmit vetëm sepse kishin bindjet e tyre politike kundër regjimit të asaj kohe.

"Sot kemi një vendim të qeverisë për dëmshpërblimin e një grupi të një kategorie tjetër të ekzekutuar apo të vdekur në hetuesit e sigurimit të shtetit, por në këto kategori duhet të shtohen të gjithë qytetarët, të cilët u ndrynë për bindje politike në spitalet psikiatrike. E vërteta e padiskutueshme dhe e dokumentuar është se spitalet e Elbasanit dhe Vlorës u përdorën njëkohësisht si burgje për vendime politike", tha Berisha.
(sg/shqiptarja.com)