Krimet e komunizmit, Rama:
Ta çlirojmë Kuvendin nga ndotja

Krimet e komunizmit, Rama:<br />Ta çlirojmë Kuvendin nga ndotja<br>
Parlamenti është mbledhur këtë të martë në një seancë përkujtimore “deputetët për deputetët”, me rastin e 70-vjetorit të ekzekutimit të grupit të deputetëve. Duke risjellë në vëmendje të shkuarën e dhimbshme komuniste, kryeministri Edi Rama tha se të gjithë pjesëmarrësit në sallë, pavarësisht në shumicë a pakicë, janë aty si rezultat i lirisë dhe për ta përdorur lirinë me fjalën në funksion të atyre që i sollën aty.

Sipas tij, është e vështirë të përjetosh sot frymën e sakrificës që çoi në asgjësimin e paraardhëse, pasi nuk mund të harrohet sa shpesh shkelet fryma e lirisë çdo javë në sallën e Kuvendit.   

Më tej, i pari i qeverisë foli për ligjin e dosjeve, duke thënë se është krenar që qeveria e tij mori përsipër këtë mision, këtë ligj që sipas tij, 27 vite u përdor për të goditur njëri-tjetrin, ndërsa tashmë pritet që të hidhet dritë mbi të shkuarën.

Fjala e kryeministrit Rama:

Shumë të nderuar dhe të dashur pjesëtarë të familjeve të deputetëve që përkujtojmë sot!

Zonja dhe zotërinj, anëtare dhe anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë!

Shkëlqesi, miq, të ftuar!

Nuk është e lehtë të rikujtosh me përulësinë dhe vetëpërmbajtjen e nevojshme, një dëshmi kaq domethënëse. Dëshminë tragjike të jetës së dhënë për një zanat të vjetër sa bota, politikën. Politikën e idealeve, vlerave, parimeve. Politikën e lindur për t’u dhënë njerëzve mundësinë të  bëjnë sëbashku atë që të vetëm nuk e bëjnë dot.

 

Deputetët dhe grupimi elitar, i asgjësuar barbarisht 70 vjet më parë, ishin sfidë ndaj një regjimi që fatkeqësisht e pati jetën shumë të gjatë, pas marrjes së jetëve të tyre dhe lumturisht është  përmbysur 27 vjet më parë.

 

Rikujtimi i tyre sot, në këtë sallë, vlen për aq kohë sa mbetet sfidë për ne dhe  bashkëkohësit tanë, në raport me politikën, si arsye dhe si mjet që i bën njerëzit sëbashku në emër të gjërave më të larta dhe që rëndom i ndan dhe i përçan ata për llogari të interesave të ulëta. Sfidë si nxitje për t’u kujtuar për një moment të gjithë sëbashku, se ne jemi këtu që të gjithë, pavarësisht se në shumicë apo në pakicë, si rezultat i lirisë dhe për ta përdorur lirinë dhe fjalën në funksion të atyre që këtu na kanë sjellë.

 

Shumë prej këtyre dëshmorëve të fisnikërisë së politikës ishin të përshkuar në gjithë sistemin e bindjeve të tyre nga socialdemokracia më gjithëpërfshirëse. Pikërisht ajo socialdemokraci që në vitet ‘50-të, me rezistentin dhe Kryeministrin francez Pierre Mendès France e përkufizonte veten me shprehjen që mbetet edhe sot një apel: ”Jo çdo politikë njollos. Jo çdo hap i ndërmarrë përpara është kotësi.” Pierre Mendès France  ishte njeri i filozofisë dhe letrave, njësoj si shumë prej deputetëve që u eliminuan fizikisht nga një sistem që me gjakun e tyre dhe me gjakun e plot e plot të tjerëve u ushqye, për të ushqyer urrejtjen dhe për ta kthyer politikën në një shembull rrëqethës të forcës ndaj kujtdo që përmes politikës mund të kërkonte forcën domethënëse të shembullit.

 

Dhe të them të drejtën, të përjetosh sot frymën aq të shëndetshme të sakrificës që i çoi në asgjësim këta paraardhës tanët, është e vështirë. Është e vështirë, sepse në ndërkohë nuk mund të mos harrosh sa shpesh, sa në mënyrë të rëndomtë dhe sa në mënyrë të padenjë, shpeshherë shkelet këtu, në këtë sallë, çdo javë, ajo frymë.

 

Nga ana tjetër është e pamundur të mos vlerësohet pikërisht sot, “Pse”-ja e madhe që lidhet me Shqipërinë e pasluftës, me Shqipërinë e aspiratave të mëdha, që mishëronin edhe këta paraardhës tanët, me Shqipërinë e vetëmohimeve të një popullit të vogël dhe të vobektë, ku gjithë fryma dhe dëshira për progres u përdor për të ngjizur një mekanizëm të tërë vëllavrasës dhe vetëshkatërrues. Një mekanizëm që, ndonëse  i çuar për skrap 27 vjet më parë, vazhdon të ndotë mjedisin tonë publik përmes nesh, përmes politikës, përmes të zgjedhurve, përmes gjithë atyre që kur shkojnë te populli janë përulësisht të gatshëm të bëjnë gjithçka për t’u njësuar me imagjinatën më të mirë të atyre që votojnë dhe kur vijnë këtu, nuk lënë gjë pa bërë, për të treguar se në fakt mes të thënës dhe të bërës, nuk është në mes thjeshtë një det i tërë, por është tradhtia ndaj politikës, ashtu siç e konceptonin dhe e jetonin ata që për politikën dhanë jetën dhe ashtu siç cilido prej nesh e ka konceptuar momentin, kur e ka kapërcyer pragun e saj.

 

Sidoqoftë as sot dhe unë besoj as për jo pak vite të tjera, ne nuk do arrijmë dot ta çlirojmë këtë sallë, ta çlirojmë vetveten tonë si pjesë e kësaj gjenerate të politikës nga ndotja prej atij mekanizmi që si çdo gjë e ndryshkur, por e paricikluar tërësisht në diçka tjetër, helmon dhe pengon.

 

Ajo që mbase vlen si një arsye e mirë për t’u larguar nga ky reflektim, që po të shkojmë më thellë, mund ta prishë këtë ceremoni, është fakti se sot jemi këtu për shkak të një ligji që ne e kaluam në këtë parlament dy vjet më parë, një ligji që, më në fund, ekzaktësisht pas 25 vitesh e bashkoi Shqipërinë me vendet që kaluan përmes ferrit komunist dhe që vendosën të ndahen me të, jo thjesht duke ndërruar sistemin dhe kostumet, por duke guxuar të bëjnë dritë mbi të shkuarën, - ligji për hapjen e dosjeve. Për ato dosje që për 25 vjet u përdoren për të goditur njëri-tjetrin, por kush më shumë i përdori, më pak guxoi t’i hapte.

 

Sot, ne jemi këtu falë një ligji që është i pari në historinë e dhimbshme, komplekse dhe të përbashkët që ne ndajmë, që na pajis me mjete hulumtimi në funksion të një misioni human dhe humanist. Unë nuk mund të mos jem sot krenar për faktin që jam në krye të një qeverie dhe të një shumice, që këtë mision e mori përsipër, pasi të tjerët përpara nesh nuk e patën kurajon ta merrnin, apo nuk gjetën kohë ta merrnin, edhe pse shumë kohë shpenzuan dhe shpenzuam të gjithë sëbashku, duke baltosur njëri-tjetrin me duart e padukshme të atyre fantazmave që fshihen nën kapakët e dosjeve.

 

Dosja e procesit gjyqësor, në fakt, e sajesës së kobshme që u mbyll në 27 shtator 1947, “provat” e të cilës janë sot të lexueshme, duken sikur vijnë nga një univers i pajetuar, i shpikur, por në fakt janë gurë të rëndësishëm kilometrikë në një rrugë që do të jetë e gjatë, do të jetë e dhimbshme, por do të jetë shëruese. Rrugën e hedhjes dritë mbi të shkuarën, për të mos lejuar që e kaluara, në errësirën e vet të vazhdojë të mbajë peng të ardhmen tonë, siç e ka mbajtur në shumë vite pas rënies së regjimit, përmes zërash, përmes figurash, përmes fantazmash, që kanë ditur bukur mirë ta përdorin skenën e demokracisë, si një teatër për t’i ikur përgjegjësisë së të shkuarës.

 

Një major me dy kapitenë ushtrie, të asistuar nga një aspirancë, janë autorët e eliminimit të 15 deputetëve që përbënin 20% të parlamentit në atë kohë, por jo vetëm 20% të parlamentit, - që ta kuptojnë qartë të gjithë ata që tek parlamenti sot nuk shikojnë boshtin e inteligjencës kombëtare dhe në fakt nuk kanë faj, - por 20% të atij boshti që ishte i përfaqësuar në parlamentin e kohës.

 

Është e papërfytyrueshme të shohësh përmes “provave” të gjyqit, sesi një kolektiv punonjësish prej 1350 anëtarësh, apo sesi një skuadër vullnetarësh diku tjetër, apo sesi një kolektiv apo grup diku tjetër, i shkruanin gjykatës, i shkruanin majorit dhe dy kapitenëve, se përse këta njerëz duheshin shfarosur.

 

Për këtë arsye na vlen edhe ligji. Për këtë arsye mund të na vlejë edhe kjo seancë, që, përveçse nderon kujtimin e deputetëve të rënë, përveçse ngushëllon modestisht plagën e hapur të familjarëve të tyre, mbase sjell pak dezinfektant në këtë sallë dhe mbase ndihmon që në të ardhmen, muret e kësaj salle të mos jenë dëshmitare të aq shumë gjërave të padenja, që kanë dëgjuar në këto 27 vjet.

 

Duke iu shprehur edhe njëherë falënderimin të gjithë atyre që morën kurajon të na bashkohen në nismën për hapjen e dosjeve; duke iu shprehur falënderimin të gjithë atyre që jo në kushte optimale po përpiqen ta zbatojnë ligjin e dosjeve; duke iu shprehur falënderimin ideatorëve dhe organizatorëve të kësaj seance të posaçme, që na sollën këtu dhe në një farë mënyre na kanë vënë përpara foltores kujtimin e një numri të vrarësh nga paraardhësit tanë, duke arritur të realizojnë sot të pamundurën, që të na pengojnë që ne të gjejmë një tjetër arsye për t’u kapur me njëri-tjetrin, unë dua ta mbyll me kujtimin që këtu, por dhe kudo në botën komuniste mishëroi me një slogan që ishte edhe në Poloni: “Përjetësisht me diktaturën e proletariatit!” Këtë slogan polakët e transformuan në një motiv për t’iu kundërvënë diktaturës së proletariatit me sloganin: “Përjetësisht, por asnjë sekondë më shumë!”  

 

deputetet

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Vangjel Tavo i përgjigjet Gjikurisë: Votuesit me kartë të skaduar ishin të mitë dhe të tutë! Rezultati, produkt i vullnetit të qytetarëve

Vangjel Tavo i përgjigjet Gjikurisë: Votuesit me kartë të skaduar ishin të mitë dhe të tutë! Rezultati, produkt i vullnetit të qytetarëve