TIRANË- Në aplikacionin e “Komisariatit Dixhital” është shtuar një rubrike e re për të denoncuar lloje të ndryshme të krimeve mjedisore. Gjatë një takimi të përbashkët me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, ministri Çuçi tha se nga 1 shtatori 2021 e deri sot, janë mbi 40,000 denoncime e ndër to, plotë 276 lidhen me krimet mjedisore.
“Ky numër dëshmon për vlefshmërinë dhe efikasitetin e këtij inovacioni tepër të rëndësishëm e pioner në vendin tonë e rajon. Për të orientuar më mirë publikun, ne kemi shtuar 5 rubrika specifike në menynë përkatëse për mjedisin. Në butonin “Krimi Mjedisor” të gjithë përdoruesit e aplikacionit do të mund të gjejnë të renditura llojet e krimit mjedisor si: ndotje uji; ndotje e tokës; depozitim i paligjshëm mbetjesh; ndotje me inerte dhendotje akustike”,u shpreh ministri Çuçi.
Sipas ministrit ky ndryshim do të krijojë lehtësitë e duhura për publikun, si një kanal i ri nga ku mund të denonconi krimin mjedisor, edhe nga kushtet e anonimatit të plotë, teksa bëri me dije se policia i trajton krimet e mjedisit si rutinë, por një gje e tillë nuk duhet të ndodh. prandaj, thekson se në këtë luftë i rëndësishëm është ndryshimi i mentalitetit të efektivëve, pra t'i trajtojnë këto krime njësoj si vrasja, trafiku i drogës dhe rezultatet do të jenë më të mëdha.
“Besojmë se siguria publike nuk është detyrë vetëm e Policisë së Shtetit apo agjencive përkatëse të ligjit, por një përpjekje e përbashkët e të gjithë shoqërisë, për t’u mbyllur çdo hapësirë individëve të papërgjegjshëm apo me tendenca kriminale.“Komisariati Dixhital”, me ndryshimet dhe përditësimet e bëra, është një mjet tejet i fuqishëm në duart e publikut, për të denoncuar çdo krim në mjedis, kundër mjedisit, në fund të fundit, kundër jetës sonë si qytetarë të këtij vendi. Policia mbetet ende në një fazë të rutinës kur bëhet për krime mjedisore, është ndryshim i mentalitetit së pari, krimet mjedisore të trajtohen me të njëjtën rëndësi si vrasjet", tha Çuçi.
Nga ana tjetër, Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro është shprehur se vendi ynë ka ligje shumë të mira për krimet mjedisore, por që nuk gjejnë zbatim.
"Nuk e kemi zbatuar paketën ligjore në masën e duhur në nivelin e emergjencës që na dikton situata në mjedis. Kjo është paketa ligjore, që nuk e di sa faqe janë se janë shumë", tha Kumbaro.