Lufta kundër krimit zgjedhor duhet të kalojë në një fazë të re, me më shumë koordinim institucional, hetime financiare deri tek ndërmjetësit, organizatorët dhe ata që përfitojnë nga deformimi i vullnetit të zgjedhësit, si edhe një politikë penale më efektive. Këto ishin qëndrimet kryesore të kreut të SPAK, Klodian Braho, gjatë raportimit në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ku u diskutua për efikasitetin e masave penale në procesin zgjedhor.
Sugjerimi i parë i SPAK është hartimi i një Strategjie Kombëtare për Parandalimin, Identifikimin dhe Hetimin e Krimit Zgjedhor.
“Përvoja tregon se krimi zgjedhor nuk është vetëm çështje e një institucioni dhe nuk trajtohet vetëm nëpërmjet reagimit penal pas kallëzimit. Ai kërkon një qasje të integruar, ku parandalimi, monitorimi administrativ, raportimi qytetar, verifikimi policor, hetimi penal dhe kontrolli financiar të funksionojnë si pjesë e të njëjtit mekanizëm institucional”, tha Braho.
Braho tha se prania e Task Forcës mes SPAK, KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme dha rezultate konkrete në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Ai tha se kjo Task-Forcë ishte një organizim i brendshëm i SPAK me prokurorët dhe hetuesit e BKH, por nuk u përfshinë institucione të tjera. Pikërisht ky është propozimi i dytë i kreut të SPAK, sipas të cilit kjo Task-Forcë duhet të sanksionohet në ligj dhe të përfshihen edhe Policia e Shtetit, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe institucionet e tjera që kanë rol në verifikimin e indicieve dhe gjurmimin e burimeve financiare.
Po ashtu, kreu i SPAK propozoi që kjo Task-Forcë të ngrihet të paktën katër muaj para zgjedhjeve dhe të vijojë edhe pas përfundimit të procesit të numërimit të votave.
“Së dyti, protokolli i bashkëpunimit ndërinstitucional duhet të kalojë nga një instrument i përkohshëm për një cikël zgjedhor, në një mekanizëm të qëndrueshëm dhe të përhershëm të normuar me ligj. Ky mekanizëm duhet të përfshijë jo vetëm SPAK, Prokurorinë e Përgjithshme dhe KQZ-në, por edhe Policinë e Shtetit, Agjencinë e Inteligjencës Financiare si dhe institucionet e tjera ligjzbatuese që kanë rol në verifikimin e indicieve, në gjurmimin e burimeve financiare dhe në dokumentimin e rasteve. Gjithashtu, bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të aktivizohet më herët dhe të zgjasë më gjatë”, tha Braho.
Një tjetër pikë ku SPAK kërkon ndërhyrje është politika penale për krimet zgjedhore, duke kërkuar ashpërsim të dënimeve.
“Së treti, mund të vlerësohet rishikimi i politikës penale për format më të rënda të krimit zgjedhor. Kjo nuk duhet kuptuar si rritje mekanike e dënimeve për çdo rast, por si nevojë për të vlerësuar nëse marzhet aktuale të dënimit janë të përshtatshme për rastet kur vepra kryhet në bashkëpunim apo më shumë se një herë.
Gjithashtu individualizimi i dënimit duhet të diferencojë zgjedhësin vulnerabël, përfaqësuesin e subjekteve politike, kandidatin dhe shtabin e tij elektoral, financuesin e fushatës, zyrtarin e lartë apo nëpunësin publik. Sa më i lartë të jetë roli organizues, politik, administrativ ose financiar i personit, aq më i qartë duhet të jetë edhe reagimi penal”, tha Braho.
Opozita shprehu pakënaqësi për hetimet e pakta për zgjedhje, ndërsa në një sfidë të drejtpërdrejte, Braho i tha ish-gjyqtarit tanimë deputet, Gjin Gjoni, se jo çdo pretendim është fakt.
"Në Lezhë për shembull janë shpenzuar 6 milionë euro", i tha Gjin Gjoni.
"Zoti Gjoni, si ish-gjyqtar që ke qenë, nëse do të vinte dikush të të thoshte se janë shpenzuar 6 milione euro pa fakte do ta dënoje?", ia ktheu Braho.
Braho u ndal edhe te mënyra se si duhet të zhvillohen hetimet, duke theksuar se ato nuk duhet të kufizohen vetëm te personat që japin ose marrin përfitime për votën, por duhet të shkohet deri tek përfituesit realë.
"Korrupsioni zgjedhor nuk duhet parë si akt i izoluar dhe individual. Hetimi nuk mund të kufizohet vetëm te dhënësi apo marrësi i përfitimit. Ai duhet të zgjerohet drejt burimit të financimit, organizatorëve, ndërmjetësve, personave që koordinojnë skemën dhe përfituesve realë të saj.
Kur ndiqet burimi i financimit, mënyra e shpërndarjes dhe përfitimi real, atëherë identifikohen jo vetëm dhënësi dhe marrësi i përfitimit, por edhe ndërmjetësit, organizatorët dhe ata që përfitojnë nga deformimi i vullnetit të zgjedhësit”, vijoi Braho.
Braho ka ngritur edhe shqetësimin e personave që janë të shpallur në kërkim ose që janë të dënuar dhe arrestimi i tyre ende nuk është kryer. Braho tha se për persona të veçantë janë duke menduar një strategji për t’i arrestuar vetë. Braho nuk hodhi direkt akuza ndaj policisë së Shtetit por tha se: Nuk e di arsyen pse nuk arrestohen!
"Është herët s’dua të bëj diçka publike sot, por ajo që mund të them është se po mendojmë një reagim të ndryshëm institucional nga SPAK që të jetë i aftë ti bëj vetë këto veprime të veçanta të natyrës operacionale”, tha Braho.
Në raportimin e tij, Braho bëri të ditur se gjatë periudhës 2021–2025 SPAK ka administruar 233 materiale që lidhen me krimet zgjedhore, ndërsa vetëm për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 janë administruar 194 sinjalizime, kallëzime dhe referime për dyshime për krime zgjedhore.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, kërkoi rishikimin e kuadrit ligjor për veprat penale që cenojnë zgjedhjet e lira, duke propozuar ndryshime në disa dispozita të Kreut 10 të Kodit Penal për të përcaktuar më qartë rastet me rrezikshmëri më të lartë për procesin zgjedhor dhe për të parashikuar masa më proporcionale dënimi.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për forcimin e kapaciteteve hetimore, përmirësimin e analizës së provave dixhitale, shtimin e burimeve njerëzore në prokurori, krijimin e një rrjeti të përhershëm koordinimi mes institucioneve dhe rritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore.
“Kuadri ligjor për veprat që cenojnë zgjedhjet e lira. Disa nga dispozitat e Kreut X të Kodit Penal mund të rishikohen për të përcaktuar më qartë kur sjellja paraqet rrezikshmëri më të lartë për procesin zgjedhor, duke parashikuar si rrethana rënduese apo forma të cilësuara rastet kur veprat kryhen ndaj më shumë se një zgjedhësi e të tjera. Parashikimi i formave të cilësuara dhe rishikimi përkatës i masave të dënimit do të mundësonte një përgjigje penale më proporcionale
Shumë kallëzime apo referime nuk vijnë me të dhëna të mjaftueshme. Kjo nuk do të thotë se kallëzuesi duhet të marrë rolin e Prokurorisë, por informacioni fillestar duhet të jetë sa më i qartë për Prokurorinë. Hetimi i krimit kërkon forcimin e kapaciteteve të hetimit për analizën e pajisjeve elektronike, rrjeteve sociale, materialeve audio dhe pamjeve filmike. Hetimi kërkon mbështetje më të mirë teknike dhe kapacitete të dedikuara për provat dixhitale.
Një sfidë tjetër lidhet me ngarkesën e përgjithshme të prokurorive dhe mungesën e burimeve njerëzore, pasi disa prokurori vijojnë të funksionojnë nën kapacitetin e tyre organik. Vlerësohet të merret në konsideratë mundësia e krijimit të një rrjeti kombëtar operacional për integritetin zgjedhor, si një mekanizëm i përhershëm koordinimi, ku Prokuroria e Përgjithshme, SPAK, KQZ dhe Policia të shkëmbejnë informacione mbi rreziqet zgjedhore gjatë gjithë ciklit zgjedhor. Mbetet e nevojshme forcimi i kapaciteteve zbuluese, parandaluese dhe hetimore të Policisë së Shtetit për veprat penale që cenojnë integritetin e procesit zgjedhor. Roli i Policisë është thelbësor në çdo aspekt”, tha Çela.
Në bllok, opozita u ankua në komisionin e Reformës Zgjedhore për 11 majin dhe sistemin e patronazhimit, ndërsa në seancë dëgjimore ishte thirrur kreu i SPAK, Klodian Braho. Deputeti demokrat, Gent Strazimiri iu drejtua Brahos duke i thënë se revoltohet kur dëgjon se ai raporton se task-Forca për krimet zgjedhore pati efekt parandalues më 11 maj. Por, Braho u kujdes ti kujtojë se nëse do t’i referohet raportit të OSBE-ODIHR duhet të lexojë edhe atë që shkruhet qartë për Task-Forcën, pra që ka pasur efekt parandalues në krimin zgjedhor. Braho nënvizoi se nuk është ai kompetent për të vlerësuar procesin zgjedhor.
Gent Strazimiri: Efekti i një veprimi jo etik kur vjen nga kryeministri në fushatë elektorale që quan kinezëri kodin zgjedhor, që iu thotë policëve, mësuesve, mblidhni votat për PS, u thotë votuesve të opozitës, nëse votoni prapë për PD asnjë kokërr leku nuk keni për të pas. Këto janë veprime joetike, por janë frymëzimi nga kreu më i lartë i ekzekutivit dhe konvertohet në vepra penale në mënyrë masive, aq sa siç shprehet raporti i OSBE-ODIHR, thotë humbet vija e mes shtetit, administratës dhe partisë në pushtet. Aty ke pafund vepra penale të parashikuara apo të paparashikuara në kod po të duash të punosh. Patronazhimi nuk është vepër penale, mënyra se si realizohet, fakti që AKSHI ka përgatitur manual për tua shpërndarë armatës së PS. Mund të thuash që kemi vakum, por ti se thua që kemi vakum në kodin penal për këtë punë. Më jep instrumentet. Ajo që më thua dhe që më revolton, është fakti që e konsideroni që ka pasur efekt parandalues. Se çfarë u parandaluar ta thotë OSBE-ODIHR. Që në 2015 nis patronzhimi dhe se si rriten rekomandimet. Aty tregohet se sa rëndë është situata. Raporti të tregon ku është tumori, këtu jo, është i shëndetshëm. U përpoq SPAK të lexojë riskun më herët dhe të koordinojë reagimin. OSBE të thotë SPAK dhe policia dhe çdo organ që kishte detyrë të hetonin ishin zhgënjyes. Vetëm 5 procedime janë dërguar në gjykatë. Sa kanë qenë denoncime që gishtin e vënë tek qeveria dhe sa tek opozita.
Klodian Braho: Nuk është kompetenca jonë të bëjmë vlerësime të procesit zgjedhor. Nëse do t’i referoheni raportit, do i referoheni po atij raporti që strategjinë për parandalimin e krimit zgjedhor për SPAK pati efekt parandalues. Është vlerësim i raportit. SPAK nuk vendos se si një institucion duhet të bëjë referimin, SPAK ka detyrën të vlerësojë çdo referim që vjen nga secili institucion dhe nuk i imponohemi ne policisë apo institucioneve se si duhet ta bëjnë referimin dhe s cili subjekt është i kallëzuar në referim nuk e kemi të dhënë në sistem. Për ne s’ka rëndësi se cili subjekt është i kallëzuar, ka rëndësi kush kallëzon dhe çfarë provash ka.
Në Komisionin për Reformën Zgjedhore ku për krimet zgjedhore po raportonte kreu i SPAK, Klodian Braho ka pasur edhe momente tensioni mes socialsitëve dhe demokratëve.
Ulsi Manja teksa kërkonte që mbledhja ti kthehej normalitetit është përplasur me deputetin e PD, Ivi Kaso, ndaj të cilët ka përdorur edhe fjalë fyese si “legen”
“E mo qepe gojën dër dër dër…legen, mbylle gojën se të kam dëgjuar fort. A ka mundësi…a ka mundësi të kthehet mbledhja në normalitet, sepse vijmë këtu dhe bëjmë gjyqe”, iu drejtua Manja.
Situatën u mundua të qetësonte Damian Gjiknuri: “Po kërkoj unë ndjesë për atë, thelbi i bisedës ishte të fokusohemi për të cilën ajo e kemi thërritur. Në komisionin e ligjeve e kemi bërë praktike që ngremë cdo pyetje. Këtu e kemi thërritur për krimet zgjedhore”.
Në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Klodian Braho kreu i SPAK ka ngritur shqetësimin e personave që janë të shpallur në kërkim ose që janë të dënuar dhe arrestimi i tij ende nuk është kryer.
Braho tha se për persona të veccantë janë duke menduar një strategji për t’i arrestuar vetë. Braho nuk hodhi direkt akuza ndaj policisë së Shtetit por tha se: Nuk e di arsyen pse nuk arrestohen!
“Nuk ka kapacitet operacionale që SPAK sot të bëjë arrestime të personave në kërkim. Siç është fenomen shqetësues për ju, mund të jetë edhe për ne. Kemi disa të kërkuar me masa sigurimi në mungesë apo të dënuar në mungesë. E kemi ngritur vazhdimisht këtë shqetësim. A kemi një strategji? Është herët s’dua të bëj diçka publike sot, por ajo që mund të them është se po mendojmë një reagim të ndryshëm institucional nga SPAK që të jetë i aftë ti bëj vetë këto veprime të veçanta të natyrës operacionale”, tha Braho.
Në komisionin e Reformës Zgjedhore, deputetja e PD Albana Vokshi pyeti kreun e SPAK nëse ka getuar sistemin e patronazhimit, që sipas saj është ngritur nga PS për te vjedhur votën. Braho iu përgjigj se kjo nuk ka vepër penale që të ndëshkojë penalisht patronazhimin, e aq më tepër të jetë kompetencë e SPAK.
Albana Vokshi: Vitet e fundit më rezulton se është fenomeni më negativ, para zgjedhjeve, gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve, fenomeni i patronazhimit. Në shkelje të kushtetutës, janë vjedhur, shpërdoruar, abuzuar të dhënat personale të çdo votuesi. Pyetja që kam unë është a keni bërë juve ndonjë hetim kryesisht në lidhje me këtë fenomen. Çdo qytetar shqiptar është i survejuar. Janë trume, shihen përballë çdo qendre votimi. Është krim elektoral. A keni bërë ju ndonjë hetim për këtë. A do hetoni sistemin e patronazhimit, a do hetoni AKSHI-n.
Klodian Braho: Në Kodin Penal, nuk ka një vepër penale që të ndëshkojë penalisht patronazhimin, dhe aq më tepër të jetë kompetencë e SPAK. SPAK ka dy vepra penale, korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje. Nëse një funksionar ka shpërdoruar detyrën, nëse një person ka nxjerrë të dhëna personale është vepër tjetër penale që nuk është kompetencë e SPAK, por e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm.
Komente












15 vjet e gjysem nga masakra shteterore e 21 Janarit dhe ti nuk ke bere asgje. Asnje akuze e ngritur ndaj urdheruesve dhe vrasesve. Turp te kesh o burokrat i pacipe.
PërgjigjuDeputetja Vokshi beri nje pyetje per patronazhizmin qe nuk eshte gje tjeter pervecse nje epitet fyerje e opozites ndaj mazhorances dhe elektoratit te tij .Ne kulturen e drejtesis evropiane keto lloj epitetesh fyerje ndiqen penalisht.Nuk mundet te therritet Spak ne kuvend dhe nje deputete e pa pergjegjshme te bej pyetje te tilla.Ky epitet perdoret nga protestuesit per te ndare rrugeve te Tiranes shqiptaret ne te bardhe e ne te zinj me pak fjale ka kaluar ne racizem brenda shqiptareve ne perracarje ne genocid!Pa dashje me pyetjen Vokshi na ve ne dyshime se jane opozita qe organizojn protesten!! Turpi me i madh i opozites shqiptare qe perzuri deri dhe militantet e saj kjo opozit duhet hetuar shume shume thelle dhe me gjyq popullor.Po kerkojn me dhune te zhvleresojn votat e kutive te votimeve te popullit shqiptare me kercenime ,shantazhe ,shifje,disinformim dhe tentativa vrasjesh me paramendim!
Përgjigju