Lleshaj në 'Pa Protokoll': Po hetohet nëse ka arsye kriminale pas dorëheqjeve në Kadastrën Vlorë! Janë shkarkuar shumë policë për kanabisin në vend

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në intervistën për emisionin në "Pa Protokoll" në Report Tv  foli për nismën për ligjin e përgjimeve të policisë krahas prokurorisë, duke thënë se është një nisëm e keqkuptuar pasi nuk ka të bëjë me përgjime por vëzhgime dhe mbikëqyrje ambintale.

" Ajo për të cilën është bërë diskutimi në Parlament dhe diskutimi është ende në proces, ka të bëjë me vëzhgimin ambiental, me mbikëqyrjen ambientale. Kështu quhet kjo, nuk është përgjim, por është mbikëqyrje nga një person i caktuar, në funksion të parandalimit të një krimi", tha Lleshaj.

Dorëheqjet e shpejta ndodhur në Kadastrën Vlorë, për Lleshjan janë 'teknikisht' korrekte pasi nuk ka denoncime, por që ka nisur një hetim për të kuptuar nëse pas tyre fshihen arsye kriminale apo jo.

" Por për sa kohë dorëheqjet nuk janë shoqëruar me denoncime, për sa kohë policia apo prokuroria nuk janë kërkuar, nuk janë vënë në lëvizje, “teknikisht” korrekt. Duket e çuditshme por normale. Me sa di unë janë duke u bërë procedimet përkatëse dhe duke u hulumtuar dhe për të kuptuar se cilat janë arsyet, ka një arsye kriminale apo janë arsye banale", tha Lleshaj.

 Lleshaj foli dhe për akuzat e opozitës së nuk është ndjekur penalisht asnjë efektiv policie për kultivimin e  kanabisit duke thënë se janë shkarkuar dhe ndjekur penalisht shumë efektiv policie dhe zyrtarë, por që 'nuk janë raportuar në zyrën e PD'.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:41
Dorëheqjet e drejtorëve në Kadastrën Vlorë, Lleshaj: Po hetohet nëse ka arsye kriminale apo jo

Dorëheqjet e shpeshta në kadastrën Vlorë, për ministrin Sandër Lleshaj është duke u hetuar nëse në të lidhet një arsye kriminale apo jo. Ai tha se dorëheqjet nuk janë shoqëruar me denoncime dhe situata 'teorikisht' është normale, por që ka nisur një hetim për këtë.

"E kam dëgjuar këtë histori disi të pazakontë. Jam informuar që po merren masa nga organet përkatëse ligjzbatuese për të hetuar se çfarë është pas kësaj, se në pamje të parë kemi situata teknikisht korrekte. Shkon dikush pastaj jep dorëheqjen. Çdokush ka të drejtë të japë dorëheqjen. Por për sa kohë dorëheqjet nuk janë shoqëruar me denoncime, për sa kohë policia apo prokuroria nuk janë kërkuar, nuk janë vënë në lëvizje, “teknikisht” korrekt. Duket e çuditshme por normale. Në fakt nuk është normale dhe me sa di unë janë duke u bërë procedimet përkatëse për të shkuar në thellësi dhe për të gjetur se çfarë është pas kësaj. Besoj që ata që merren me këtë punë në detaje, janë duke u marrë për të hulumtuar dhe për të kuptuar se cilat janë arsyet, ka një arsye kriminale apo janë arsye banale", tha Lleshaj.

Ora 22:37
Lleshaj sqaron nismën: Nuk ka përgjime nga policia, por mbikëqyrje ambientale

Ministri Lleshaj ka folur edhe për propozimin e ligjit të bërë ku kërkohet që policia të kryej përgjime paralele me prokurorinë, duke thëne se kjo është keqkuptuar. Lleshaj sqaroi se në këtë rast nuk bëhet fjalë për përgjime të policisë, sepse përgjimet policia i ka të rregulluara dhe ka një procedurë të caktuar. Ky ligj tha Lleshaj që është ende në proces ka të bëjë me mbikëqyrje dhe vëzhgim ambiental të personit, jo përgjim.

"Së pari, dua të them që nuk ka asnjë lloj doze mosbesimi midis meje dhe prokurorisë, përkundrazi, mund të them që niveli i bashkëpunimit institucional me prokurorinë është ndër më të mirët e mundshëm. Kështu që bashkëpunimi me Prokurorinë është krejt në rregull dhe për sa i përket ligjit, të cilit juve iu referuat, ka pasur dhe vazhdon të ketë një keqkuptim të madh, edhe sepse ndoshta gjuha shqipe nuk na mjafton neve për t’i shprehur të gjitha ato që duhet të shprehim. Nuk ka pasur një tentativë, asnjë përpjekje, asnjë projekt për të bërë një ligj për përgjime të policisë, sepse përgjimet policia i ka të rregulluara. Ka një ligj për përgjimet, i cili zhvillohet, ka një procedurë të caktuar dhe ndodh sot e gjithë ditën. Ajo për të cilën është bërë diskutimi në Parlament dhe diskutimi është ende në proces, ka të bëjë me vëzhgimin ambiental, me mbikëqyrjen ambientale. Kështu quhet kjo, nuk është përgjim, por është mbikëqyrje nga një person i caktuar, në funksion të parandalimit të një krimi", tha Lleshaj.

Ora 22:13
Lleshaj: Pasuritë e konfiskuara nga krimi i kalojnë publikut dhe policisë

Ministri Lleshaj ka sqaruar se ku do të shkojnë pasuritë e konfiskuara të krimit, ndërsa paralajmëroi se shumë shpejt pritet të ndodhin konfiskimet  e para. Ai tha se një pjesë e pasurive do shkojnë për qëllime të ndryshme publike dhe një pjesë tjetër do i shkojnë Policisë së Shtetit si makina apo godina që mund t'i duhen.

"Pasuritë e konfiskuara do t’i kalojnë publikut. Paketa kundër krimit është shumë e gjerë dhe ka disa ndryshime edhe në ligjin për Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Ligji parashikon që asetet e konfiskuara apo edhe të sekuestruara, do të kalojnë në funksion të publikut. Një pjesë e tyre parashikohet të kalojnë në funksion të Policisë së Shtetit, ato gjëra që policisë mund t’i duhen si makina, godina, infrastrukturë etj. Pjesa tjetër do të shkojë në funksion të qëllimeve të tjera publike, në dobi të institucioneve apo në dobi të projekteve të ndryshme që mbështesin viktimat e krimit. Po punohet, agjencia tashmë ka kaluar në varësi të Ministrisë së Brendshme pikërisht për të koordinuar më mirë punën midis policisë dhe kësaj strukture. Së shpejti pritet që të merren edhe vendimet e para për pasuritë e para, se një pjesë ndërkohë kanë kaluar në administrim të kësaj agjencie. Pra, produktet e para të operacionit kanë kaluar dhe pritet vendimmarrja. Kështu që pasuritë do t’i kthehen publikut", tha Lleshaj.

 

Ora 21:47
OFL/ Lleshaj: GJKKO ka dhënë 50 vendime sekuestrimi të pasurisë së krimit

Sandër Lleshaj ka folur për 6 muajt e parë të punës së OFL, e cila ka një mandat 1 vjeçar duke thënë se puna ka ecur mirë, duke marrë parasysh që ka qenë një vit jo dhe aq i mirë për shkak të pandemisë.  Ai tha se pasuria e mbi 100 personave të parë të krimit e kanë kaluar derën e prokurorisë dhe janë në gjykatë në pritje të konfiskimit apo jo të pasurisë së tyre. Lleshaj tha se gjykata ka dalë deri tani me rreth 50 vendime sekuestrimi dhe se janë me qindra të tjera që presin radhën sa të trajtohet dosja në prokurori e respektivisht pastaj në gjykatë.

" Kemi ecur mirë, në qoftë se marrim parasysh që jemi në një vit jo të mirë në kuptimin e kushteve të përgjithshme, edhe të pandemisë, që kanë frenuar shumë procese ose i kanë vështirësuar. Megjithatë ritmi i operacionit ka ecur, janë tani me qindra raste që kanë mbërritur në prokurori, një pjesë e madhe e tyre kanë mbërritur në gjykatë dhe gjykata ka dhënë një numër të madh vendimesh për sekuestrim pasurish. Por tashmë, mbi 100 personat e parë e kanë kaluar derën e prokurorisë për në gjykatë. Por flas për më shumë se 100 më të njohurit e krimit në vend. Dhe kjo nuk është pak. Ndërkohë që disa qindra të tjerë janë thjesht në radhë, presin radhën sa të trajtohet dosja në prokurori e respektivisht pastaj në gjykatë. Por siç ju thashë, gjykata do të marrë kohën e vet për të dalë me vendim të formës së prerë. Gjykata ka dalë deri tani me rreth 50 vendime sekuestrimi, ndërkohë që për këta 50 merr kohën e saj për të dalë me vendimin e konfiskimit. Besoj që procesi do të ecë mirë. Por duhet të keni një gjë parasysh që ligji ka afat deri në fund të vitit, por çdo dosja që ka mbërritur në gjykatë deri në datën 31 dhjetor, do të vazhdojë procesin e trajtimit të saj dhe besoj që deri në fund të vitit policia do të jetë në gjendje që të dërgojë disa qindra dosje të personave më të njohur dhe më të rrezikshëm të kriminalitetit në vend", tha Lleshaj.

Ora 21:45
Lleshaj: Ka shumë efektivë policie dhe zyrtarë që janë shkarkuar dhe ndiqen penalisht, por ne nuk i raportojmë tek PD

Duke i përgjigjur akuzave të PD-së se nuk ka asnjë efektiv policie të penalizuar për kanabizimin e vendit, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha në emisionin "Pa Protokoll" në Report Tv se situata me mbjelljen e kanabisit në vend është shumë herë më mirë nga sa e morën në kohën e PD, ndërsa shtoi se ka shumë shefa dhe efektivë policie që janë shkarkuar , që ndiqen penalisht apo dhe janë ndëshkuar, por se për këtë nuk bëhen raportim tek PD-ja.

"Ne nuk i raportojmë PD-së për këto çështje. Janë shumë raste punonjësish policie që janë në procedim penal, që janë goditur, që janë ndëshkuar. Jo thjesht vetëm janë larguar nga detyra, por janë goditur penalisht dhe jo vetëm punonjës policie, por edhe punonjës të tjerë, të administratës vendore apo qendrore, të inspektoriateve, kryepleq, kryetarë njësish administrative. Pra, ka shumë njerëz që janë pjesë e kësaj goditjeje dhe është pikërisht kjo goditje frontale dhe pa asnjë kompromis, e cila ka bërë që sot të mos jemi në atë situatën që trashëguam, të mos jemi në epokën e Lazaratit që ishte kthyer në një toponim të njohur botërisht dhe i bekuar hapur politikisht. Prandaj edhe unë e refuzoj gishtin tregues të atyre që kanë krijuar Lazaratin. Mund të kemi një mijë e një gabime dhe kemi gabime patjetër, mund të pranoj kritikë nga kushdo, por jo nga ata që e kanë institucionalizuar dhe e kanë kanabizuar politikisht vendin dhe e kanë pranuar publikisht që po, ka qenë politikë. Është thënë hapur që kanabisi i Lazaratit ka qenë politikë. Por Lazarati ka prodhuar tonelata kanabisi çdo vit dhe i ka trafikuar drejt vendeve të BE-së e vendeve të tjera. Ka gjeneruar të ardhura dhe ka fuqizuar grupe të tëra kriminale me ato para, grupe të cilat pastaj kanë arritur të ngrenë edhe armët kundër punonjësve të policisë. Këto s’mund t’i harroj", tha Leshaj.

Ora 21:32
Lleshaj përshëndet nismën e Report Tv: Faleminderit për mesazhin që jepni

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka përshëndetur iniciativën e Report Tv për të sensibilizuar sa më shumë në mbajtjen e maskës për t'u mbrojtur nga COVID-19.  I ftuar në emisioni "Pa Protokoll" Lleshaj tha se kjo është një iniciativë që jep mesazhet e duhura për të gjithë.

"Edhe unë ju falënderoj për mesazhin që ju jepni për mbajtjen e maskave si një mjet për parandalimin dhe mbrojtjen nga Covid-19. Sigurisht që është për t’u përshëndetur iniciativa juaj për mbajtjen e maskës edhe gjatë kësaj interviste. Unë kërkoj mirëkuptimin tuaj që nuk do ta mbaj maskën, për arsyen se do të jetë i vështirë artikulimi dhe përcjellja e mesazheve. Megjithëse përpiqem maksimalisht të mbaj maskë, këtu jam në zyrën time dhe distanca fizike mes nesh është e mjaftueshme", tha Lleshaj.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • You are ok: 25/07/2020 11:35

    Sandri me i miri Ju qe e keni inat

    Përgjigju
  • Alfons: 25/07/2020 10:27

    O llesh meqe nuk e din se pse dorehiqet ai i hipotekes se vlores,po te them se cfare ndodh ne tirane:keni liruar nga burgu lavdrim tufen dhe me te terrorizoni njerezit per ti marre tokat,disa dite me pare ai se bashki me sokol kupin administratori juaj i petreles kane qene duke detyruar fshatatet te firmosin per tokat qe duan ti kalojne ne emer te oligarkve te erion velias,po mos u merzit se shpejt do kerrcasi kallashi.

    Përgjigju
  • Reagim: 25/07/2020 10:25

    Drejtoret kane dhene doreheqjet sepse jane kercenuar nga bandat. Kete e di gjithe Vlora dhe Shqiperia, vetem Policia dhe Ministria nuk e dine. Ju duket e kot vizita qe beri ambasadorja Yuri Kim ne Vlore, ishte vizite me mesazh!

    Përgjigju
  • Ilir: 25/07/2020 08:47

    Or Llesh po kujt ja shet keto more?! Eshte bere Tirana si megamarket hashashi. Shko shiko nje here pas pallatit qe ndodhet perballe kishes Don Bosko si tregtohet me shumice e pakice diten per diell hashashi. A nuk jane policet e tu keta qe marrin perqindjen aty...!?

    Përgjigju
  • Marvi: 24/07/2020 23:17

    Sinqerisht te dgjosh ket palo minister te vjen neveri.. Po ca arritjesh thua ti ore shoku minister, ne vend qe te blenit ato range rover per drejtoret tuaj, mund te kishit blere kpuce, doreza, prozhektore apo sa e sa aksesore te tjere per efektivet. Ti qe kerkon me cdo kusht te heqesh nga puna ato efektive ne meso moshe, e ke menu qe je i pari qe duhet te largohesh?? Keni konsultuar ndonjihere praktikat policore europiane dhe konfrontuar praktikat qe perdoren tek ne?? Na the aq brockulla sa dhe me idjoti e kupton qe po ja fut kot, jo me pjestaret e policise se shtetit, ajo polici qe TI nuk bon pjese sepse ne koken tate ke ngel akoma ushtarak i kohes xhaxhit. Rsp per tgjithe koleget qe sakrifikojne cdo dite pavaresisht faktit qe kemi eprore te paafte dhe drejtuesa e minister qe jetojne me koken ne hënë dhe skane piken e lidhjes me policine

    Përgjigju
  • Labinot: 24/07/2020 23:09

    Ky te shkrin fare me injorancen a sofistikuar qe demostron si zgjuarsi. Kemi pushuar, goditur e derguar ne prokurori shume polica per kanabisin, thote. Por, nuk ia tregojme PD! Se ca kuptimi ka kjo, ec e gjeje. Por nese paska aq shume polica, ju duhet tia beni te njohur publikut, qytetareve, kush jane keta me emer, mbiemer e foto. Qe ti njohim e mos i shofim ne pozicione te tjera ne administrate. Komplet idiot, shume kemi pushuar, por si tregojme thote. VFLP

    Përgjigju
  • Hahaahaha: 24/07/2020 22:16

    Ky te mesoje policine me komunikuar nje here sepse paguhen me leket tona pastaj te flase per gjera tjera

    Përgjigju
  • Polici: 24/07/2020 22:00

    Shum mir qe ndiqni penalisht zyrtaret e policise te cilet bashpunojne me krimin por a duhet te ndiqen penalisht edhe ata zyrtare qe nepermjet shperdorimit te detyres dhe shkeljeve te ligjit dhe procedurave standarte ju mohojne punojsve te rrolit baze te drejten per tu trajtuar me pagese per oret suplementare dhe te drejten per tu trajuar me dieta ushqimore apo kto jan gjera qe nuk prishin pune e rendsishme eshte qe te rruhet deri ne kocke polici qe te duket sa me i rregullt na mbyte me brockulla o llesh 1 ***t ju edhe ata tjert

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Legjendat elektoralo-amerikane të Sali Berishës

Ylli Pata: Legjendat elektoralo-amerikane të Sali Berishës