Para pak ditësh një 21-vjeçar u vra në qytetin e Fierit, dhe sipas policisë shkaku ishte grabitja e një shume prej 60 mijë lekësh që i riu sapo kishte fituar me baste sportive. Po sipas policisë, vrasja me shumë gjasa është kryer nga një shok. Kronikë e zezë, një lajm pak a shumë i zakonshëm për veshët e shqiptarëve .që dëgjojnë për vrasje, krim në familje, grabitje, pengmarrje, plagosje, kanosje, kërcënime çdo ditë e çdo natë. Përtej makabritetit të rastit, na duhet të analizojmë detajet për të kuptuar që ky shtet ka marrë të tatëpjetën dhe gjërat po përkeqësohen nga dita në ditë. Shoku vret shokun, për 60 mijë lekë (jo se do ishte justifikim i mirë nëse do ishin 60 milionë, por sidoqoftë, shifra ka rëndësi)!

Ka rëndësi sepse 60 mijë lekë nuk të nxjerrin nga bataku financiar ku mund të jesh futur ti ose familja jote, nuk të garantojnë një shkollim të mirë apo edhe shkollim të keq në ndonjë nga uniperversitetet private, nuk të mundësojnë një vend pune të fituar apo të blerë si militant, nuk të sigurojnë dot një shtëpi ku të fusësh kokën, shkurt 60 mijë lekë janë vlera e marrëzisë së një njeriu të pashpresë që merr jetën e tjetrit dhe rrezikon të vetën, në Shqipërinë e mrekullisë ekonomike.

E teksa qeveria çmendallake trumpeton progres ekonomik në nivelet e Kinës e Gjermanisë, rrugëve të vendit njerëzit vriten për hiçmosgjë.
Në teorinë e kriminologjisë është tanimë e provuar dhe gjithëpranuar se papunësia dhe vështirësitë ekonomike janë faktor themelor në rritjen e krimeve ndaj pronës dhe ndaj individit, me qëllim përfitimin financiar, qoftë ky përfitim edhe në vlerën e një telefoni, varëse floriri apo një portofoli gati të boshatisur. Përveç studimeve të shumta të bëra në këtë fushë, dhe logjika e thjeshtë ta tregon se papunësia dhe vështirësitë ekonomike kanë një impakt negativ psiko-social tek qytetarët dhe eventualisht tek rritja e nivelit të kriminalitetit.

Të papunët, të paarsimuarit, të papërfshirët në 'allbenian mirrikëll' pra të gjithë ata që kanë humbur shpresën, shumë shpejt humbasin dhe mendjen dhe bien pre e depresionit, alkolit, drogës dhe varësisë prej tyre, e si pasojë bëhen automatikisht kontigjent kriminaliteti, apo në raste ekstreme thjesht zgjedhin të largohen nga kjo jetë, siç tregon rritja galopante e numrit të vetëvrasjeve. Problemi më i madh i shoqërisë përkarshi këtyre individëve të përjashtuar e të lënë në mëshirën e fatit është se ata nuk kanë më asgjë për të humbur, pasi kanë humbur vlerësimin për veten dhe për jetën e tyre apo të të tjerëve, kanë humbur motivimin dhe aftësinë për t'u rigjeneruar e riintegruar, dhe rrjedhimisht nuk ekzistojnë instrumenta shoqëror apo ligjor për t'i korrektuar apo parandaluar.

Akoma më problematik bëhet ky kontigjent teksa faktorizojmë edhe modelet sociale që serviren sot në shoqërinë shqiptare. Vajza e filanit apo djali i fistekut bëhet miliarderë në kurriz të popullit, ministri vjedh në dritë të diellit, nëpunësi publik korruptohet pa pikën e turpit dhe frikës, polici i trafikut kërkon bakshish, prokurori shantazhon të pafajshmin e liron fajtorin, gjykatësi vendos gjobë për dhënien e drejtësisë, thuajse të gjithë fshihen nën petkun e magjishëm të pandëshkueshmërisë, zhgërryhen në rehatinë që vijon prej grabitjes së të mirës së përbashkët, teksa pjesës dërrmuese të popullatës i duhet të mbijetojnë në fije të perit.

Modeli i Shqipërisë së Berishës dhe politikave neo-liberale ka prodhuar vetëm përjashtim social, dëshpërim, shkatërrim të marrëdhënieve njerëzore, zvetnim të familjes, pabarazi të theksuar, humbje të vlerave dhe përgjegjshmërisë sociale, dhe një rritje flagrante të hendekut social mes një pakice të dhjamosur e një shumice dërrmuese të katandisur në grahmat e mbijetesës. Rritja stratosferike e kriminalitetit nuk është asgjë tjetër vetëm se një pasqyrë realiste që tregon dështimin e gjithëanshëm të mazhorancës qeverisëse, dhe është pikërisht tani koha që kjo qeveri të sikteriset së bashku me problemet e vuajtjet që ka shkaktuar, përpara se të jetë vonë për këdo.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 25 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)