Një tjetër histori e paimagjinueshme terrori po trondit Britaninë: vdekja e dhunshme e 10-vjeçares Sara Sharif nga duart e babait të saj, Urfan Sharif.
Sara e vogël u gjet e vdekur me 71 plagë të shkaktuara ditët e fundit të jetës– duke përfshirë një lëndim në kokë dhe një djegie nga një hekur i nxehtë. Vrasësi pretendoi se nuk donte ta vriste, por po e "dënonte" për sjelljet e saj.
Në muajt e fundit të jetës së saj të shkurtër, ajo ishte detyruar të braktiste shkollën dhe të bënte punët e shtëpisë për njerkën e saj. Dhjetëra lëndime dëshmojnë për një jetë të përditshme plot abuzime fizike.
Edhe pse fqinjët dëgjuan zërat dhe të qarat e vajzës dhe mësuesit e saj ishin të shqetësuar nga shenjat në trupin e saj, punonjësit socialë nuk e dinin saktësisht se çfarë po kalonte ajo dhe as nuk mundën të ndërhynin në kohë.
Megjithatë, jeta e saj ishte e vështirë që në fillim. Babai i Sarës e kishte njohur nënën e saj, Olga, në rrjete sociale kur viza e tij në Mbretërinë e Bashkuar ishte gati të skadonte.
Vajza lindi në vitin 2013, por lidhja e prindërve të saj përfundoi në ndarje vetëm një vit më vonë. Gjatë betejës së kujdestarisë Olga akuzoi ish-bashkëshortin e saj për dhunë në familje dhe iu dha kujdestaria e vajzës së tyre.
Kishte shumë shenja se Sharifi nuk ishte një baba i përshtatshëm: ndër të tjera, një test psikologjik e kishte treguar atë si manipulues dhe apatik. Por kur vajza, tashmë gjashtë vjeç, akuzoi nënën e saj për abuzim me të, ajo u la në kujdestarinë e të atit.
Në shtëpinë e saj të re, të cilën babai i Sarës tani e ndante me gruan e tij, Beinash Batool, ajo gjeti kushte më të këqija se ato që kishte lënë pas.
Mesazhet e njerkës dhe dhuna makabre ndaj Sarës
Në një mesazh që Batool i dërgoi motrës së saj në maj 2021, ajo shkruante se:
“Urfan e zhdëpi në dru. Ajo është plot me mavijosje, e ka nxirë. Ndihem shumë keq për Sarën, ajo nuk mundet as të ecë. Unë dua ta denoncoj atë.”
Mesazhet e tjera thoshin se Sara kishte filluar të villte kur hante, se vuante nga ankthi dhe se Sharifi e godiste sa herë që ajo ishte “djallëzore”. Në njërën prej tyre, ajo i shkruante motrës së saj:
"Nëse i ndodh diçka, nuk do të mund ta fal veten".
Megjithatë, ajo kurrë nuk e raportoi ngjarjen në polici apo në shërbimet sociale.
Vetëm kur mësuesit e vogëlushes së ndjerë vunë re lëndime të dyshimta në 2022 dhe 2023, të tilla si mavijosje në fytyrën e saj dhe kur morën përgjigje kontradiktore kur e morën në pyetje, ata kontaktuan shërbimet e mirëqenies së fëmijëve.
Por pas festave të Pashkëve vajza nuk u kthye në shkollë. Ajo u gjet e vdekur, katër muaj më vonë, në një shtrat, në një shtëpi të zbrazët. Pranë kufomës së saj të vogël ishte një shënim:
“Jam unë, Urfan Sharif, ai që e rrahu për vdekje. Betohem për Zotin se nuk ishte qëllimi im për ta bërë këtë. Por unë thjesht e humba!”
Babai dhe njerka
Familja e Urfan Sharif refuzoi të besonte se ai vrau vajzën e tij edhe pasi ai i tha trupws gjykuese: "E pranoj se për të gjitha është faji im".
Vëllai i tij Imran Sharif i tha Guardian:
“Pranimi i Urfanit na ka lënë të shkatërruar dhe zemërthyer.
Urfani është nën presion të madh dhe besoj fuqishëm se vëllai im është i pafajshëm dhe nuk mund të vrasë vajzën e tij, ai nuk ka qenë i pranishëm në shtëpi kur ka ndodhur ngjarja”.
Ai tha se Sharif po mbron gruan e tij, Beinash Batool. Sharif, 43 vjeç dhe Batool, u shpallën të dy fajtorë për vrasje të mërkurën pas një gjyqi tetë-javor në Old Bailey.
Vëllai i Sharifit, Faisal Malik, 29 vjeç, u shpall fajtor për shkaktimin ose lejimin e vdekjes së një fëmije.