Kripa, për sa kemi nevojë
pa rrezikuar shëndetin

Kripa, për sa kemi nevojë<br />pa rrezikuar shëndetin
TIRANE - Gjella me kripë e kripa me karar. Ky është apeli që bën shefja e Sektorit të Stilit të Jetesës në Departamentin e Promocionit në Institutin e Shëndetit Publik, Jeta Lakrori. Ajo thekson se kripa ushqimore është lëndë e rëndësishme për ushqyerjen dhe nuk është gjë tjetër veçse klorur natriumi apo NaCl që përmban përkatësisht  40% natrium dhe 60% klorur.

“Trupi ynë për të funksionuar ashtu siç duhet, ka nevojë për kripë apo natrium për shkak se natriumi është element i rëndësishëm për organizmin tonë. Natriumi ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve në trupin tonë, ndihmon në rregullimin e presionit arterial, ndihmon në transmetimin e impulseve nervore dhe ndikon në kontraktimin dhe relaksimin e muskujve”, - shpjegon Jeta Lakrori duke shtuar se natriumi është elementi esencial që rregullon sasinë e lëngjeve në trupin tonë, ai e mban trupin të hidratuar duke shtyrë ujin brenda në qelizë.

Por nga ana tjetër ajo thekson se natriumi duhet ruajtur dhe veshkat janë balanca natyrale që ruan sasinë e natriumit në trupin tonë për një shëndet sa më të mirë. Ato ndihmojnë në rregullimin e sasisë së natriumit në organizëm, nëse niveli i natriumit është ulët, hormoni i aldosteronit stimulon veshkat për rithithje të natriumit nga urina dhe e konservon atë, nëse niveli i natriumit është i lartë hormoni i aldosteronit nuk aktivizohet dhe veshkat e eliminojnë natriumin nëpërmjet urinimit.

SASIA E KRIPËS

Por natyrshëm lind pyetja për sa kripë ka nevojë organizmi ynë. “Përdorimi i kripës është i ndryshëm nga një vend në tjetrin. Europa ku bëjmë pjesë ne përdorimi i kripës është në nivele të larta 10 deri 12 gram në ditë. Nga studimet në botë meshkujt janë konsumatorë më të mëdhenj se femrat dhe vendet ku konsumohet më shumë kripë janë Kina, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA”, pohon Jeta Lakrori.

Por OBSH dhe FAO prej vitesh, për të parandaluar sëmundjet kronike, kanë rekomanduar që kripa e marrë duhet të reduktohet deri në më pak se 5 gr/ditë(2gr natrium/d). Ndërkohë specialistja shpjegon edhe se çfarë ndodh nëse ka marrje të pakët apo të shtuar të kripës. “Në kushte normale organizmi ynë eliminon çdo ditë 0,1gr deri në 0,6 gr natrium(sodium).

Kjo sasi rifitohet me dietën nëpërmjet ngrënies. Nuk është e nevojshme t`ju shtohet kripë ushqimeve mbasi sasia e natriumit që ndodhet në ushqimet natyrale të pa gatuara, është e mjaftueshme për të mbuluar nevojat e organizmit”, - pohon Jeta Lakrori duke shtuar se mungesa e marrjes së kripës është e rrallë. Por nëse takohet shenjat që mund të kenë individët janë: plogështia, dhimbjet dhe ngërçet në muskuj; të përzjera, të vjella.

KRIPA E JODIZUAR

Ndërsa sa i takon kripës që duhet përdorur specialistja shpjegon se në treg ka disa lloje kriprash. “Por kripa që duhet përdorur në konsumin e përditshëm është kripa e jodizuar e cila është kripë e zakonshme, por i është shtuar jod. Jodi është i domosdoshëm për zhvillimin dhe funksionimin normal sidomos të gjëndrës tiriode, e cila me prodhimin e hormonit të rritjes bën të mundur rritjen, zhvillimin dhe funksionimin normal të organeve te tjera.

Kripa e jodizuar ka të njëjtën shije dhe karakteristika si kripa e zakonshme”, - shpjegon Jeta Lakrori duke theksuar se kripa e jodizuar është një ushqim që duhet përdorur në mënyrë korrekte, nga e gjithë popullsia, në të gjtha moshat dhe në sasi të moderuar sipas rekomandimit për kripën e zakonshme, jo më shumë se 5 gram /ditë.

SI E MARRIM KRIPËN

Burimet kryesore të natriumit në ushqime

Burimi kryesor i natriumit, i këtij elementi esencial, është kripa e gjellës.
Burimet kryesore të natriumit në ushqime janë të natyrave të ndryshme:

65-70%  e natriumit gjendet si përbërës i ushqimeve të përpunuara dhe të përgatitura, të transformuara si në mënyrë artizanale apo industriale si edhe ushqimet e ngrëna jashtë shtëpisë. Këto ushqime kanë zakonisht sasi të lartë kripe si edhe kanë aditivë që përmbajnë natrium. Ushqime të përpunuara janë bukë, darka e përgatitur si, makarona, mish dhe vezë enët, pica, shkurtimet e ftohtë dhe proshutë, djathë, supat e ushqimet e shpejta

15% e natriumit gjendet si përbërës i ushqimeve në gjendjen e tyre natyrale, të papërpunuara, si: ujit, frutave, zarzavateve, mishit, vezës, qumështit dhe produkteve të  tij, peshkut, etj

15-20% e natriumit gjendet si përbërës i kripës së gjellës që i shtojmë në gatimet shtëpiake ose në tavolinë

Midis produkteve të transformuara burimi kryesor i kripës në ushqyerjen tonë të zakonshme është buka dhe prodhimet e furrës të cilat sjellin 40% të kripës në organizmin tonë. Në të vërtetë produktet e drithërave janë burim i rëndësishme i kripës sepse ato konsumohet në mënyrë të përditshme, si: biskotat e ndryshme, byrekët, ëmbëlsirat e ndryshme, krakersat, cerealet e mëngjesit, kekrat e ndryshme, etj dhe zakonisht këto ushqime përmbajnë më shumë kripë nga sa ne mendojmë. Psh 50 gr bukë apo një fetë përmban 0,4 gr kripë, cerealet e mëngjesit 30 gr apo 4 lugë gjelle përmbajnë 0,8 gr kripë, 20 gr biskota ose 2-4 biskota të ëmbla përmbajnë  0,1 gr kripë, 1 copë kek 35 gr përmban 0,3 gr kripë,etj.

Ndërsa mishi dhe produktet e tij sjellin 21 % të kripës në organizmin tonë, por konsumohen më pak se buka dhe produktet e saj, si: mishrat, sallamrat, djathin, konservat e peshkut ,etj. Proshuta krudo 50 gr(3-4 feta mesatare )përmban 3,2gram kripë etj

Qumështi dhe produktet e tij, si djathrat, gjiza, kanë sasi të ndryshme kripe. 

Disa lloj salcash apo erëzash që përdoren në zëvendësim apo shtim të kripës janë të pasura me natrium. Psh pluhurat apo tabletat e zarzavateve 1 tabletë 12gram (dado) përmban 4,8gram kripë, 14 gr(1 lugë gjelle), ketchup përmban 0,4 gramë kripë, salsa e sojës, etj, prandaj duhet përdorur me kujdes apo në mënyrë të moderuar.


*NGA JETA LAKRORI SPECIALISTE NË ISHP

Shkrimi u botua sot në Suplementin Shëndeti në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi