Mensat sociale të Bashkisë së Tiranës kanë ofruar sot një drekë festive për të gjithë ata të moshuar dhe njerëz në nevojë, që nuk kanë mundësi të festojnë si gjithë të tjerët.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe aktori i humorit Besart Kallaku në mensën sociale të Laprakës, u kanë shërbyer ushqim të moshuarve dhe njerëzve në nevojë.

Qytetari numër një i Tiranës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ndihmojmë me sa mundësi që të kenë jo vetëm për Krishtlindje dhe për Vit të Ri, por për gjatë gjithë vitit.

“U bëj thirrje qytetarëve që ashtu siç Besi na u bashkua sot, secili jo vetëm në stinën e festave, jo vetëm për Krishtlindje dhe për Vit të Ri, por për gjatë gjithë vitit, të kemi mundësi që të jemi solidarë, të jemi pranë njerëzve në nevojë dhe të kemi mundësi që të ndihmojmë, të ndihmojmë, të ndihmojmë. Sepse vetëm kur të kemi komunitete të forta, mund të kemi një Tiranë të fortë”, u shpreh Veliaj.

I pranishëm në drekën e Krishtlindjeve të shtruar nga Bashkia e Tiranës ishte dhe aktori i humorit Besart Kallaku i cili ka bërë thirrje njerëzve që të dhurojnë sa më shumë dashuri jo vetëm gjatë festave por çdo ditë.

 “Sot është ditë e veçantë, jo më kot iu bashkova edhe nismës së kryetarit që më mori edhe më tha: Sot duhet të shkojmë për një shërbim. Mirëpo, jo vetëm sot, por njeriu duhet të shërbejë çdo ditë. Krishtlindja nuk është vetëm sot, por sa herë dhuron dashuri, sa herë dhuron nga vetja, gjithmonë ka Krishtlindje”, tha Kallaku.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)