Interi luan kundër Bolognas në udhëtim për raundin e 28-të në Serie A. Dueli i së shtunës merr jetë në orën 18:00 dhe në këtë përballje nga minuta e parë projektohet Kristjan Asllani.
Mesfushori i Kombëtares shënoi dhe vendosi rekord në përballjen e fundit kundër Genoas, për të gjetur golin e parë me fanellën zikaltër. Dëmtimi i Calhanoglu ka bërë që Inzaghi t'i besonte Asllanit në tre duelet e fundit, me djaloshin që i bindi të gjithë në "Meazza".
Edhe kundër Bolognas mesfushori 21-vjeçar projektohet nga minuta e parë, edhe për shkak se Inter ka një transfertë delikate në Champions League. Të mërkurën zikaltërit luajnë sfidën e kthimit kundër Atletico Madrid, teksa kanë fituar 1-0 ndeshjen e parë.
Edhe pse Calhanoglu ka lënë pas dëmtimin, duket se forma e mirë e Asllanit i jep luksin Inzaghit që të lërë pushim turkun dhe ta ketë gati për në Champions.