Të vetmet rezultate të sigurta të shkrehjes së armëve janë, ka pohuar ai në një takim intim, dëmet qoftë njerëzore, qoftë materiale që pëson një popull kryengritës. Fitorja e vërtetë, pa dëme njerëzore e materiale, gjithnjë sipas tij, realizohet vetëm nëpërmjet diplomacisë.
Ai sillte si shembull kryengritjen e furishme të Kosovës, e cila shpërtheu në verën e vitit 1912. Historia e Gadishullit Ballkanik nuk kishte parë deri atëherë rezistencë kaq vullkanike kundër zgjedhës osmane sa kryengritja e kosovarëve në vitin 1912. Dihet se kur kryengritësit kosovarë çliruan Shkupin më 12 gusht 1912, madje me vrullin që ata kishin marrë kishin mundësi të pushtonin edhe Selanikun, gjithë diplomacia evropiane u vu në lëvizje.
E çfarë fituan kosovarët? – pyeste ai. Kosova fatkeqe kaloi nga zgjedha turke në zgjedhën serbe, kurse Shqipëria e sotme, e cila nuk u shkretua aq tepër sa Kosova, në sajë të diplomacisë fi toi pavarësinë.
Sigurisht që kjo retorikë edhe pse është e vërtetë dhe prekëse, tregon se Mithat Frashëri i gjykonte ngjarjet e vitit 1942 me situatën e vitit 1912. Ai duket se nuk e besonte se në vitin 1912 ishte koha e Evropës së Dinastive, pra koha e pazarllëkeve, kurse në vitin 1942 sundonte Evropa e Kombeve, e cila ishte betuar se do të vepronte sipas parimeve të shpallura në Kartën e Atlantikut.
Megjithatë, me dashje ose pa dashje, Komiteti Qendror i Ballit Kombëtar ra viktimë e parimeve liberale që ajo vetë kishte miratuar në fushën e strukturës së saj partiake.
Si parti “opinioni”, ajo i kishte lënë të lirë rrethet t’i zgjidhnin vetë pa ndërhyrjen e saj, anëtarët që do të bënin pjesë në komitetet krahinore. Zgjedhja e këtyre komiteteve të rretheve të jugut, e cila në shumicën e rasteve u krye gjatë muajit dhjetor, ra në duart e anëtarëve të kontingjentit të dytë, të cilët nuk pajtoheshin me udhëheqësit që bënin pjesë në Komitetin Qendror.
Në mënyrë të veçantë ata e shtinë në dorë drejtimin e BK në fillim në tre rrethe – në Vlorë, Kolonjë, Berat. Si rrjedhim, në këto rrethe, baza nuk u pajtua me qendrën. Madje, pa pritur direktivën e Komitetit Qendror, sigurisht në kundërshtim me të, komitetet e tre rretheve vendosën të formonin çetat e para të BK për luftë të armatosur kundër pushtuesit fashist.
Megjithatë, BK në nëntor 1942 nuk e informoi menjëherë me ndonjë trakt opinionin publik për themelimin e tij dhe ca më pak për programin e tij politik. Edhe kjo ka arsyet e veta. Në nëntorin e vitit 1942 mbushej një vit që në Shqipëri vepronte qeveria kuislinge e kryesuar nga Mustafa Kruja.
Me synimin për të përjetësuar okupacionin italian në Shqipëri, M. Kruja i kishte shpallur luftë për jetë a vdekje lëvizjes nacionalçlirimtare, e cila udhëhiqej nga PKSh-ja. Kur ai i shpalli luftë Frontit Nacional Çlirimtar kishte në krah të tij midis të tjerëve si ministra apo si këshilltarë Hasan Dostin, Ali Këlcyrën, Kol Tromarën, të cilët tani qenë në Komitetin Qendror të BK.
Midis tyre bashkëpunëtori më i zellshëm i qeverisë së tij kolaboracioniste dhe të Francesko Jakomonit, mëkëmbësit të mbretit perandor të Italisë në Shqipëri, ishte, sikurse u tha, Hasan Dosti, ministri i Drejtësisë. Në nëntor të vitit 1942 kur u themelua BK, qeveria kuislinge e M. Krujës ishte ende në fuqi.
Hasan Dosti ndonëse kishte disa muaj që ishte larguar nga qeveria e M. Krujës, gjurmët e tij si ministër i saj i Drejtësisë ishin ende të freskëta. Për shkak të persekutimeve që u bëheshin patriotëve shqiptarë nga ligjet e tij, ai vazhdonte të urrehej nga opinioni antifashist shqiptar. Mjafton të kujtojmë dekretligjin e përmendur të propozuar prej tij, të mbështetur nga M. Kruja, me të cilin dënohej deri në vdekje cilido antifashist që kapej me armë pa leje.
Veç kësaj, Tirana e kishte ende parasysh ekzekutimin në bazë të ligjit të propozuar prej H. Dostit me varje në litar, të Ferit Gjajkos, të Nikolla Dupes dhe të Hamdi Mëzezit, vetëm se gjatë kontrollit, siç u tha, që iu bënë pasagjerëve të një autobusi, u gjetën me armë pa leje.
Vetëkuptohet se në këto rrethana, krerët e BK po të guxonin të dilnin haptas me programin e tyre si luftëtarë antifashistë, do të shkaktonin reagimin e menjëhershëm të Mustafa Mërlika Krujës dhe të okupatorit fashist italian. Kjo është arsyeja përse krerët e BK nuk e shpallën menjëherë programin e organizatës së tyre.
Faik Quku shkruan në kujtimet e veta: “Hasan Dosti, nga frika që kishte prej italianëve kurrë nuk merrte pjesë ndër mbledhje... madje, përpiqej të shmangte takimet personale me të tjerët. Për këtë arsye, ai ishte kundër çdo organizimi e veprimi me përgjegjësi dhe që mund të shtonte mundësinë e zbulimit”. (F. Quku. Po aty, f. 202). Në vonesën e shpalljes së programit ka dhe një arsye të dytë.
Në nëntor të vitit 1942 disa nga krerët e BK të cilët kishin bashkëpunuar me okupatorin fashist (kryesisht H. Dosti, A. Këlcyra, K. Tromara), ende nuk ishin të sigurtë se luftën do ta fitonte koalicioni i madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan. Ka shumë mundësi që këta tre ish-kolaboracionistë të kenë ndikuar në vendimin që mori Komiteti Qendror i BK-së për të mos hyrë menjëherë në aksion luftarak kundër okupatorit.
Deklarata e tre ministrave të Jashtëm të aleatëve të mëdhenj anglo-sovjeto-amerikan, C. Hull, E. Eden dhe V. Molotov, me të cilën shpallën publikisht në dhjetor të vitit 1942 njohjen e pavarësisë së Shqipërisë si meritë e rezistencës antifashiste që po zhvillonin shqiptarët, i zuri në befasi militantët e BK-së.
Ata u zunë në befasi për faktin se BK i themeluar 3-4 javë më parë në mes të muajit nëntor 1942 nuk kishte shkrehur asnjë pushkë kundër okupatorit fashist italian. Aty për aty krerët ballistë e kaluan në heshtje këtë deklaratë historike, mbasi opinioni publik shqiptar ishte i bindur se burimi i saj historik ishte rezistenca e armatosur që po zhvillonte Fronti Nacional Çlirimtar në Shqipëri.
Por më vonë, kur ballistët menduan se merita e partizanëve në rezistencën e armatosur antifashiste ishte “harruar”, shpallën se ishin ata që me luftën e tyre ndikuan në deklaratat e përmendura të dhjetorit 1942 e 3 ministrave të Jashtëm të koalicionit të madh antifashist.
Vetë Hasan Dosti me dorën e tij ka shkruar këtë broçkull të jashtëzakonshme se deklaratat e tre ministrave të Jashtëm të koalicionit të madh antifashist ishin rezultat i luftës që po zhvillonte BK. Pastaj, si pa gjë të keq, shkruan më tej se deklarata e ministrit të Jashtëm britanik E. Eden “entuziasmoi Ballin Kombëtar dhe ushtoi si një këmbanë për kryengritje”. (H. Dosti. Po aty, f. 82).
E vërteta është se ndërsa krerët e BK nuk lëvizën nga pozicioni i tyre i pritmërisë, qenë militantët e kontingjentit të dytë të BK të cilët për të rikuperuar vonesën, mëkëmbën në disa rrethe menjëherë çetat e tyre të armatosura si Safet Butka në Kolonjë, Hysni Lepenica në Vlorë, Abaz Ermenji në Shkrapar e gjetkë.
Kjo shpjegon arsyen përse aksioni i parë luftarak i çetave të BK u krye më 1 janar të vitit 1943 nga çeta e Hysni Lepenicës në luftën e Gjormit në Vlorë. Në marsin e vitit 1943 punët ndryshuan. Me katastrofën që pësuan hitlerianët në Stalingrad, fi torja e koalicionit antifashist u bë mëse e sigurtë. Sikurse e ka cilësuar në atë kohë Uinston Çërçill, katastrofa e Stalingradit shënoi “fillimin e fundit” të Gjermanisë hitleriane.
Veç kësaj, në marsin e vitit 1943 M. Kruja duke mos qenë më kryeministër kishte dalë nga skena politike. Pikërisht në këto rrethana, Balli Kombëtar mori zemër dhe e shpalli në këtë kohë programin e vet publikisht.
Pjesë nga libri: “Mbi historinë e Ballit Kombëtar” fq. 66-73.
MERITA E VETME
E vetmja meritë që ballistët vënë në dukje për historinë e organizatës së tyre gjatë luftës është angazhimi i Ballit Kombëtar për të shpëtuar Shqipërinë nga regjimi komunist, madje në këtë drejtim ata mburren se BK e ka filluar luftën kundër regjimit komunist para se të fillonte “Lufta e Ftohtë”, pra jo pas luftës por që në ditët e Luftës së Dytë Botërore.
Sikur e kamtrajtuar dhe në shkrimin e përmendur, kjo nuk mund të quhet meritë, por një nga gabimet më të rënda të Ballit Kombëtar. …Në trajtimin e historisë së organizatës Balli Kombëtar nuk u mbështeta në kritikat që i ka bërë kundërshtarja e saj kryesore, Partia Komuniste Shqiptare.Siç e kam theksuar, jam mbështetur krejtësisht mbi aktet e nënshkruara nga vetë Balli Kombëtar dhe në kujtimet që kanë botuar vetë udhëheqësit e saj kryesorë.
Marrë me pjesë të shkëputura nga parathënia e librit.
Shkrimi u publika sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 23 shkurt 2013
(b.m/shqiptarja.com)