Në numrin e djeshëm Shqiptarja.com publikoi pjesën e parë Kristo Frashëri: Ju rrëfej Ahmet Zogun e vërtetë
Vijon nga numri i djeshëm
2.RINIA E AHMET ZOGUT
Në biografinë e përmendur botuar nga H. Selmani, për datëlindjen e A. Zogut jepen dy data: Njëra më 8 tetor 1895, të cilën mbreti e ka konsideruar të saktë, kurse tjetra, siç pohon ai vetë, për t’i bërë bisht pengesave administrative e zvogëloi tre vjet, 8 tetor 1898. Ne kemi nga bashkëmoshatarët e tij një datë të tretë. Sipas tyre, Ahmeti ka lindur më 1891, por ai e uli moshën e vet më 1895 për të pakësuar moshën e motrave të pamartuara të lindura pas tij.
Xhemal pashë Zogu vdiq më 1908. Sipas traditës zakonore, vendin e tij si kryetar i familjes Zogolli duhej ta zinte djali i parë Xhelal Zogu.
Nuk dimë se si rodhën punët në familjen Zogolli, meqenëse si kreu i familjes u shpall Ahmeti 11-vjeçar dhe jo Xhelal Zogolli. Duan të thonë se në këtë zgjedhje ka ndikuar kushëriri i nënë Sadijes, Esat pashë Toptani, në atë kohë komandant i xhandarmërisë të vilajetit të Shkodrës, nga varej kazaja e Matit.
Pas vdekjes së të jatit, e ëma e dërgoi Ahmet Zogun çunak 13-14 vjeçar (sipas ditëlindjes zyrtare të tij) për t’u shkolluar në Stamboll. Për shkollën që ai ndoqi në Stamboll nga tradita gojore kemi njoftime të ndryshme. Dikush thotë se ndoqi shkollën unike turke Ruzhdie, dikush gjimnazin Gallata-Saraj, dikush tjetër shkollën perandorake ushtarake. Kjo ka pak rëndësi.
AHMET ZOGU I RI, NË STAMBOLL.
Kulturën e vërtetë ai e mori nga këshilltari i të jatit të tij Sali Vuçiterni, ish-drejtor i Arsimit të sanxhakut të Dibrës, sidomos nga kujdestari i tij, Abdurrahman Krosi, një bashkëfshatar, i ngarkuar nga i jati për t’u kujdesur për të që i vogël. Ky kujdestar të cilin Ahmeti i vogël e thërriste “lalë”, në kuptimin e “vëllait” të madh, i shërbeu Ahmet Zogut si kujdestar edhe gjatë qëndrimit të tij në Stamboll. Thuhet se A. Zogu qëndroi në Stamboll deri në fund të pranverës të vitit 1912, kur mësimet shkollore u mbyllën për pushimet verore.
Kur në tetor 1912 filloi Lufta Ballkanike, Ahmet Zogu ishte, sipas ditëlindjes së pranuar prej tij, 17 vjeç. Pavarësisht nga mosha e tij e re, në sajë të veprimtarisë së gjyshit dhe të jatit të tij, ai respektohej si kreu i familjes Zogolli të Burgajetit të Matit. Për këtë arsye atij i erdhi edhe ftesa për të marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës.
E vërteta është se nga Mati u nisën për në Vlorë tre delegatë – Ahmet Myftar Zogu, Riza beg Çela dhe Kurt agë Kadia. Për udhëtimin e tij drejt Vlorës kemi dy telegrame të datës 2 dhjetor 1912, pra katër ditë pas shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, të cilat Lef Nosi i ka përfshirë në përkthimin shqip, së bashku me një mori telegramesh të atyre ditëve, në revistën që botoi me titull “Dokumenta historike për t’i shërbye historiës tonë kombëtare”, Elbasan 1924-1925. Telegrami i parë është nëshkruar nga Aqif pashë Biçaku prefekti i Elbasanit, drejtuar Ismail Qemalit në Vlorë.
Mban datën sipas stilit julian 19 nëntor 1328, pra sipas stilit gregorian 2 dhjetor 1912. Nga ky telegram del se Ahmet bej Mati (Ahmet bej Zogu), arriti në Elbasan më 1 dhjetor 1912, pra tri ditë pasi ishte shpallur Pavarësia e Shqipërisë. Banorët lumjanë dhe dibranë, thuhet më tej, që erdhën së bashku me të, deklaruan për mizoritë që ushtritë serbe kryen në Lumë (Dokumenta historike etj, nr. 11, janar 1925, f. 329). Të nesërmen, më 2 dhjetor, delegatët e Matit me shpurën që e shoqëronin, arritën në Lushnjë.
(Në foto: Ahmet Zogu)
Duket se lajmet që atyre u erdhën për afrimin e ushtrive serbe në Mat dhe për mizoritë që ato kishin kryer në Lumë dhe në Dibër, i detyruan delegatët matjanë ta ndërprisnin udhëtimin për në Vlorë dhe të ktheheshin sa më parë në vendlindjen e tyre. Ky është kuptimi i telegramit që Ahmet Myftar Mati i drejtoi nga Lushnja Ismail Qemalit në Vlorë: “U zgjodha përfaqësues i Matit. Nënshkruani për mua vendimet e Kongresit. Të nisem për aty apo jo? Pres me nxitim urdhërin Tuaj – Ahmet Myftar Mati” (Dokumente etj. Po aty. Nr. 10, dhjetor 1924, f. 308). Në fakt, në deklaratën e Pavarësisë nuk figuron nënshkrimi i tij.
Kjo për arsye se në akte të tilla nuk vihen nënshkrime me porosi. Emri i Ahmet Zogut nuk figuron as në procesverbalet e bisedimeve që u zhvilluan në Kuvendin Kombëtar. Edhe pse nuk qe i pranishëm në punimet e Kuvendit të Vlorës, ja çfarë shkruajnë lajkatarët e tij në biografinë e botuar më 1938 “10 vjet mbretni”: Me të marrë ftesën, ai i shoqëruar nga 26 vetë u nis për në Vlorë. Pastaj vazhdohet: Gjatë udhëtimit për në Vlorë “me intuitën e tij gjeniale ai vendosi që ditën të studionte pozitat e ushtrisë turke dhe natën të udhëtonte. Kështu Vlora pati nderin të ketë në hapin përfundimtar të Atdheut pranë, atë që Atdheun do ta shpëtonte nga çdo rrezik, duke e prirur ma vonë në udhë të ndritshme”.
Kur e pa Ismail Qemali djaloshin 17-vjeçar që iu paraqit si delegat i Matit, thuhet në këtë përshkrim butaforik, mbeti i mallëngjyer:
“Mirë se erdhe, bir i im, - i tha. - Duhet ta dish se, për këtë punë, që ne po bajmë sot për shpëtimin e Shqipnis, kemi pasë për mësues gjyshin t’and, Xhelal pashë Zogun. Mbasi muerrën fund përshëndetjet e rasës, mbreti u vu menjiherë në dijeni të qëllimevet dhe të programit të Kongresit, duke u tregue i zjarrtë në realizimin e andrrës shekullore të Shqipnis. Fjala e tij pati një ushtimë të thellë në të gjithë kongresistët, të cilët e shënuen si një nga shtyllat për ruejtjen e fatit të lumtun të së nesërmes së Atdheut”. (10 vjet mbretni, f. 22).
Në kujtimet që Zogu i ka diktuar adjutantit të vet kolonel H. Selmanit, përsëritet pothuajse e njëjta sajesë, e cila tregon se mbretit i pëlqenin sajesat kur ishte puna për lëvdata. Aty thuhet tekstualisht:
Me të marrë ftesën nga Ismail Qemali, u nis për në Vlorë i shoqëruar nga Riza beg Çela, Kurt Agë Kadia dhe nga 25 kalorës. Pastaj vazhdon: “Sa mbërriti në Vlorë, Zogu shkoi tek Ismail Qemali, i cili kur e pa Zogun, u çua në këmbë, e përqafoi i mallëngjyer dhe i tha: “Mirë se erdhe biri im, ja ku erdhi koha, por duhet ta dish se për këtë punë që po bëjmë ne sot për shpëtimin e Shqipërisë kemi pasur si mësues gjyshin tënd Xhelal pashë Zogun dhe këtë po e them që ta dinë të gjithë ata bashkatdhetarë që janë këtu sot në këtë mbledhje historike”. Më tej thotë se: “Fjalimi i tij (në Kuvendin Historik – K.F.) pati një ushtim të thellë tek të gjithë pjesëmarrësit në këtë kongres, të cilët e quajtën si një nga shtyllat e shëndosha për ruajtjen e fatit të lumtur të së nesërmes së Atdheut”. (Nga notimet etj, ff. 35-36).
3. AHMET ZOGU PAS SHPALLJES SË PAVARËSISË
Disa muaj pas shpalljes së Pavavrësisë, Ahmet Zogu ndërmori një vizitë për në Vlorë për t’u takuar me Ismail Qemalin, kryetarin e qeverisë së përkohshme shqiptare. Në Vlorë ai bujti në shtëpinë e kushëririt të tij Eqerem Vlorës (e ëma e tij bashkëshortja e Syria Vlorës ishte vajza e Mehmet pashë Toptanit, ky kushëriri i Esat pashë Toptanit dhe i Sadie Hanëm Toptanit e ëma e Ahmet Zogut).
Nga biseda që pati me Ismail Qemalin, Ahmet Zogu doli i mërzitur. Tërthorazi këtë na e pohon në “Kujtimet” e veta Eqerem Vlora. Ahmet Zogut nuk i pëlqyen njoftimet që atij i dha Ismail Qemali se qeveria e Vlorës kishte në program të zbatonte reformat administrative moderne në mbarë Shqipërinë përfshirë edhe në krahinën e Matit. Për Ahmet Zogun, reformat adminsitrative moderne nënkuptonin zhveshjen e derebejve nga pushteti personal që ata ushtronin prej shekujsh në krahinat e tyre. Për këtë arsye, pasi u largua nga Vlora, ai u kthye te Esat pashë Toptani në Durrës, kundërshtari më i rreptë i Ismail Qemalit.
Mbi këmbënguljen e tij për të kundërshtuar reformat administrative dëshmon në “Kujtimet” e tij të pabotuara edhe Syria Vlora, kushëriri i Ismail Qemalit, edhe ky ish-funksionar i lartë i Perandorisë Osmane. Më 28 Nëntor, kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë, Syrja Vlora edhe pse ishte delegat i Kuvendit të Vlorës, nuk e nënshkroi Aktin e Pavarësisë, mbasi kërkonte që Shqipëria të gëzonte vetëm një autonomi pa u shkëputur nga Perandoria Osmane. Por, më vonë pasi u bind se Pavavërsia tashmë ishte vendosur, e pranoi pavarësinë por mbajti distancë ndaj Ismail Qemalit.
Një nga problemet e Ismail Qemalit ishte ta tërhiqte Esat pashë Toptanin të merrte pjesë në qeverinë e Vlorës për të shuar lëvizjen e tij separatiste, e cila e dëmtonte pavarësinë e Shqipërisë. Veç kësaj, Ismail Qemali llogariste ta emëronte pashanë toptanas ministër të Brendshëm me shpresë se nëpërmjet tij mund të vendosej administrata moderne edhe në Shqipërinë e Mesme, e cila qëndronte jashtë autoritetit të qeverisë së Vlorës.
(Në foto: Historiani Kristo Frashëri)
Kur Syrja Vlora shkoi në banesën e Esat Toptanit, gjeti aty Ahmet Zogun me pesë shoqërues të tij. Në atë kohë A. Zogu ishte 18 vjeç. Kur Syrja Vlora i foli për ftesën e Ismail Qemalit për të vizituar Vlorën, pashai toptanas u përgjigj duke drejtuar gishtin tek A. Zogu dhe tek pesë shoqëruesit e tij se ishin pikërisht këta që pengonin të vinin në një marrëveshje me Ismail Qemalin”. Atëherë, - shkruan Syrja Vlora, - “iu drejtova Ahmet beut dhe u përpoqa që ta bind. Ahmet beu tregohej shumë pesimist, sa e pa në rrezik edhe jetën e Esat pashës në rast të një bashkëpunimi me Ismail Qemalin.
ër këtë arsye, ai (Ahmet Zogu – K.F.) nuk e shihte të udhës këtë bashkëpunim, mbasi si nga Ismail Qemali ashtu dhe nga anëtarët e qeverisë së tij, shihte dëme”. Bisedimet vazhduan disa orë, por Esat pasha nuk u bind. Në një nga këto takime ai pranoi të vinte në Vlorë, por vuri si kusht (sigurisht për të qetësuar nipin e tij A. Zogu), që autoriteti i qeverisë së Vlorës të mos shtrihej në Mat. Mosmarrëveshjet midis Ismail Qemalit dhe Esat Toptanit vazhduan të acaroheshin derisa Esat pasha shpalli “Qeverinë e Shqipërisë së Mesme”, e cila përfshinte vetëm krahinat qendrore të vendit. Një ndër veçoritë kryesore të këtij shteti liliput ishte se qeveria do të respektonte pushtetet lokale të qeveritarëve krahinorë. Për këtë arsye, A. Zogu u solidarizua me qeverinë e Esat Toptanit.
Syrja Vlora e takoi përsëri A. Zogun (ndoshta në verën e vitit 1913), këtë radhë në Tiranë. Duke folur për të, ai jep një përshkrim interesant mbi personalitetin e tij.
“Kur e takova në Tiranë, - shkruan ai, - A. Zogu ishte 18 vjeç. Pinjoll i një dere qe ka sunduar Matin e rrethet që prej dyqind-treqind viteve. Që në fillim ai u duk fisnik dhe me shtatin e tij të lartë e të hollë, me flokë ngjyrë gëshenjë, i ngjante një kalorësi nordik. Kur po bisedonim me Esat pashën mbi qeverinë e Vlorës, unë doja të mbaja kundrejt Ahmet beut një qëndrim atnor, pasi kujtonim se ishte i paaftë dhe pa eksperiencë në çështjet kombëtare dhe problememt poltiike.
Por në bisedë e sipër kur filloi të përzihej kuptova se në paragjykimet e mia isha gabuar për sa i përkiste largpamjes së tij në probleme të përgjithshme shqiptare. Zgjuarsia dhe dinakëria e Ahmet Zogut ishin në një shkallë aq të lartë sa ai mund t’ua mbyllte gojën burrave shumë më të mëdhenj në moshë dhe më të sprovuarve. Ai mund t’u jepte zgjidhje ashtu si dëshironte ai vetë, shumë çështjeve të ndërlikuara politike. Flet ngadalë. Fjala e tij është e fuqishme dhe e përpiktë. Mbronte Esat pashën dhe vinte përpara rrezikun e jetës së tij po të shkonte në Vlorë. Për Matin shfaqte mendimin se tani për tani duhej të mbetej jashtë rrethit të juridiksionit të qeverisë së Vlorës. Këtë arsyetim sui generis dhe në bisedim e sipas mbante një prudencë. Herë-herë bashkëfolësi i tij zbulonte në të shenjat e një ironie shumë të rafinuar”.
Më tej Syrja Vlora shkruan: “Kur Ahmet Zogu mbronte Esat pashën nuk dukej të ishte i sinqertë. Dëshira e tij ishte që Esat pasha të mos hipte në një shkallë të lartë prej ku me autoritet të qeverisë të ushtronte në popull ndikimin e vet. Arsyetimi që përdorte për Matin që të mbetej jashtë autoritetit të qeverisë së Vlorës, rridhte nga frika se mos Esat pasha pranonte të merrte pjesë në atë qeveri, sepse me anë të autoritetit të vet do të shtinte dhe Matin nën sundim. Esat pasha, nga ana e tij, përkrahte tezën e A. Zogut duke siguruar edhe ky interesat personale ose duke mos ia kuptuar interesat që kishte Ahmet beu. Me politikën e vet të modernizimit pushtetor... Ismail Qemali u bë pa dashur vegël e Ahmet Zogut dhe e Esat pashës. Por Esat pasha e kuptoi shpejt se djaloshi 18-vjeçar, të cilit në fillim nuk i dha asnjë rëndësi, do të ishte për të dhe për qeverinë që do të formonte një rrezik. Kështu, Esat pasha fill pasi u prish me Ismail Qemalin, nuk vonoi të bënte çmos të thyente influencën e Ahmet Zogut në Mat”.
Ahmet Zogu në kujtimet e diktuara Hysen Selamnit thotë të kundërtën. Esat pasha, - shkruan ai, - pasi ua dorëzoi më 23 prill 1913 malazezëve Shkodrën u kthye në Tiranë dhe “e ftoi në një bisedë kombëtare. Zogu menjëherë pasi organizoi vijat e luftës së bashku me një pari të Matit, Dibrës e Mirditës shkoi në Tiranë ku Esat pasha i bëri një pritje madhështore. Me popull e ushtri dolën ta prisnin tek “Rrapi i trishit” afër Tujanit. Aty pasi u përshëndetën, shkuan në Tiranë, natyrisht ai ishte i ftuar nga Esat pasha e do të qëndronte në shtëpinë e tij si të ftuarit e tjerë. Në bisedat e para që u zhvilluan Zogu e kuptoi se Esat pasha nuk donte që të njihte qeverinë provizore të Vlorës, por të formonte një qeveri në Durrës së bashku me Zogun.
(Në foto: Ismail Qemali)
Këtu Zogu i tha haptazi se sot ndodhemi në një situatë aq kritike dhe se Zografi (Jorgji Zografi – K.F.) me ushtri greke ka pushtuar Sarandën, Himarën, Delvinën, Gjirokastrën, Përmetin, Leskovikun, Korçën dhe po djegin me qindra shqiptarë çdo ditë. Nga ana tjetër Serbia ka pushtuar Kosovën, Dibrën, Lumën dhe po mban gjithnjë në rrethim Matin e përditë po derdhet gjak. Kështu që sot i vetmi mjet për burrat patriotë për të shpëtuar nga kjo gjendje e mjerueshme, para botës së qytetëruar është kjo qeveri provizore, e cila tashmë është e njohur e pranuar dhe me anë të saj kemi mundësi për të bërë të gjitha lëvizjet që do të na duhen, nëse ne e ndihmojmë këtë qeveri, tha Zogu.
Esat pasha dhe e gjithë paria po shikonin Zogun me një admirim për këtë fjalim patriotik të tij. Esat Toptani i tha: “Po unë çfarë të bëj?”. Zogu i përgjigjet: “Menjëherë shkoni në Vlorë dhe merrni postin e ministrit të Brendshëm dhe të Luftës, e përvishju punës me vullnet që të shpëtojmë Shqipërinë,. Në këtë pikë edhe unë me të gjitha forcat e mia do të jem me ty. Esat pasha e pranoi propozimin e Zogut dhe u nis për në Vlorë, ndërkohë që edhe Zogu me parinë u nis për në Mat”. (Nga notimet, etj, f. 41).
Më tej thuhet se Esat pashë Toptani shkoi në Vlorë dhe pas tri ditësh u kthye në Tiranë. Me ftesën e tij A. Zogu me gjithë parinë e Matit shkuan në Tiranë. Pasi e njoftoi se ishte i vendosur të shpallte së bashku me A. Zogun një qeveri në Durrës (e ashtuquajtura Qeveri e Shqipërisë së Mesme), A. Zogu iu përgjigj, sipas “Notimeve”: “Domethënë, ju, nuk jeni dakord me qeverinë provizore të Vlorës, e cila mori inisiativën për të shpallur Shqipërinë e pavarur dhe përsa u përket personave, ata mund të zëvendësohen me persona më të aftë, por u lipset ta ndihmoni dhe të bashkëpunoni me të”.
Esat pasha i tha prerë: “Jam kundër asaj qeverie dhe brenda dhjetë ditëve do të formoj qeverinë në Durrës. Po ju a do të bashkoheni me mua apo jo? Zogu i thotë prerazi: “Pasi ju po bëni veprime kundër interesave të Shqipërisë unë që sot po ua them në sy të gjithë kësaj parie, që jo vetëm jam kundër jush, por do të jem armiku juaj kryesor në qoftë se e bëni një veprim të tillë”. Kështu u ndanë edhe pa u përshëndetur me njëri-tjetrin. Zogu shkoi në Mat dhe menjëherë njoftoi qeverinë e Vlorës për gjithçka dhe i propozoi që jam i gatshëm të sulmoj Esat pashën me forcat e mia. (Po aty, f. 42).
Nuk do të zgjatemi me tregimet e mëtejshme të Ahmet Zogut, pasi ato i ngjajnë një apologjie të mbushur fund e krye me vlerësime të tepruara për vetveten, të cilat nuk vërtetohen, madje janë vështirë të vërtetohen nga burime dokumentare.
Sipas fjalëve që përmbajnë “Notimet”, Zogu e konsideronte Esat pashë Toptanin si edhe veten e vet, pinjoll të një familjeje bujare shqiptare, por me formim dhe pikëpamje krejt të ndryshme. Sipas “notimeve”, vetë ai “ishte i ri, por patriot, inteligjent dhe mbronte Qeverinë e Vlorës dhe unitetin kombëtar”, kurse “Esat pasha ishte kryelartë dhe me mentalitete të vjetra”, të cilit “interesi personal i pëlqente më shumë se çdo gjë tjetër. Sado që po mbushte 60 vjeç ambicia e tij nuk njihte kufi, pasi ai edhe Shqipërinë e konsideronte si një çiflig të tij”. Më tej thuhet: “Esat Toptani dhe Ahmet Zogu kishin ide shumë të kundërta. Kështu Zogu donte bashkimin e Shqipërisë, Esat pasha ishte nga ata që nuk e pëlqenin demokracinë e nuk mërzitej për të”. (Po aty, f. 44).
Syrja Vlora na jep një dëshmi interesante mbi ambicien që ushqente Ahmet Zogu që në moshë të re. Kur erdhi princi Vid në Durrës, “si gjithë paria e Shqipërisë, edhe Ahmet Zogu zbriti nga Mati në Durrës për t’i paraqitur urimet sovranit të Shqipërisë. Në Durrës i bëri një vizitë edhe Esat pashës, tani ministër i Luftës dhe ministër i Brendshëm i shtetit shqiptar. Gjatë vizitës ishin të pranishëm, shkruan Syrja Vlora, Stavri Stavri, sekretari i Esatit dhe Eqeremi biri i Syrja Vlorës. Pasi u largua A. Zogu, - shkruan Syrja Vlora, - Esat pasha u tha dy dëshmitarëve të pranishëm se ai parashihte që Ahmet Zogu një ditë do të bëhej rival i rrezikshëm i tij dhe ndikimin e vet ai do ta shtrinte në mabrë Shqipërinë.
Shkrimi u botua sot në gazrtën Shqiptarja.com (print) 26.07.2013
Po nga Kristo Frasheri mund te lexoni dhe
EKSKLUZIVE/ Fischer: Pse dështoi Zogu për Shqipërinë perëndimore
EKSKLUZIVE Konica: E kam njohur Zogun, kurrë s'tha të vërtetën
Eqerem Vlora, një nga kritikët më të mëdhenj të Ahmet Zogut
Gabimi i rëndë i Ahmet Zogut: Nuk mbajti qeveri në mërgim
DOKUMENTI SURPRIZË/ Letra e Duçes: Hasan Prishtina njeriu ynë
Ja pse e dhuroi Ahmet Zogu Shën Naumin dhe Vermoshin
Si ndikoi marrëveshja e Zogut me Pashiçin tek kufijtë e Shqipërisë
Si u bë ministër i Brendshëm 25-vjeçari Ahmet Zogu
EKSKLUZIVE/Kristo Frashëri: Ju rrëfej Ahmet Zogun e vërtetë
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)