Kristo Frasheri, Xhekobs: Një
fraksion i Titos, presion tek Hoxha

Kristo Frasheri, Xhekobs: Një<br />fraksion i Titos, presion tek Hoxha
TIRANE- Një ndër kërkesat që aleatët duhej t’i parashtronin qeverisë së Tiranës ishte edhe shkurtimi i shpenzimeve ushtarake, pasi ato rëndonin së tepërmi buxhetin e shtetit shqiptar. Midis propozimeve të tjera, Xhekobsi vinte theksin edhe në vendosjen e lidhjeve postare-telegrafike midis Shqipërisë dhe botës së jashtme. Rëndësi të veçantë, sipas tij, duhej t’i kushtohej edhe lidhjeve postare me ShBA-në ku ekzistonte një koloni e konsiderueshme emigrantësh shqiptarë e gatshme për të ndihmuar financiarisht të afërmit e tyre që banonin në Shqipëri.

Për Xhekobsin, çështja kryesore mbetej njohja nga Fuqitë e Mëdha e Shqipërisë si aleate e kampit antifashist dhe e qeverisë së Tiranës, si përfaqësuese legjitime e saj. Xhekobsi mendonte se para këtyre masave duhej të sqarohej qëndrimi politik i Britanisë së Madhe ndaj çështjes së kufijve të Shqipërisë. Konkretisht ai kërkonte të sqarohej pozicioni i një pjese të zyrtarëve britanikë të Foreign Office-it, të cilët nuk e lidhnin pavarësinë e Shqipërisë me integritetin tokësor të saj.

Ata mendonin se shkëputja nga Shqipëria e një territori në favor të Greqisë, nuk e prekte pavarësinë e saj si shtet. Diplomati amerikan Xhekobs nuk ishte i këtij mendimi. Ai shkruante se nëse Londra do t’i qëndronte besnike deklaratës së Antoni Edenit se e shihte pavarësinë e Shqipërisë të shkëputur nga integriteti i saj tokësor – duhej ta orientonte në mënyrë të qartë edhe politikën britanike ndaj respektimit të tërësisë tokësore të Shqipërisë.

Çështje tjetër që e shqetësonte diplomatin amerikan Xhekobs ishte qëndrimi i Moskës ndaj Shqipërisë dhe ndaj grupit të komunistëve shqiptarë në Tiranë. Për të ishte e domosdoshme të sqarohej nëse Moska po ushtronte fshehurazi, ose në ndonjë formë tjetër, presion ndaj komunistëve shqiptarë për ta detyruar Shqipërinë që të pranonte një formë qeverisjeje që shqiptarët nuk e dëshironin dhe një politikë të jashtme, gjithashtu të papranueshme për ta. Me fjalë të tjera, shtonte Xhekobsi, ne duhet të presim që qeveria sovjetike t’i përmbahet deklaratës së saj të shprehur në Jaltë se populli shqiptar ka të drejtë të zgjedhë lirisht dhe pa detyrim nga brenda ose nga jashtë formën e qeverisjes nën të cilën dëshiron të jetojë.

Në relacionin e tij të gjatë Xhekobsi trajtonte gjithashtu edhe problemin e kufijve të Shqipërisë. Shqipëria, shkruante ai, ka probleme kufitare me tre fqinjët e saj – me Greqinë, Jugosllavinë dhe Italinë. Zgjidhja e tyre duhej të bëhej objekt bisedimesh midis tre aleatëve të mëdhenj. Në lidhje me çështjen e parë nuk duhej, nënvizonte ai, të kishte ndryshime kufijsh midis Shqipërisë dhe Greqisë në favor të Greqisë.

Përsa u përket pretendimeve greke, shtonte Xhekobsi, çështja mund të shqyrtohej jo nga Konferenca e Paqes, por vetëm nga një organizatë ndërkombëtare, në të ardhmen, në një situatë të qetë dhe paqësore dhe të merrej vendim sipas kritereve të drejta. Përsa u përket rregullimeve të vogla, për zgjidhjen e tyre mund të ngarkohet një komision në të cilin të merrnin pjesë përfaqësuesit e dy shteteve të interesuara së bashku me përfaqësuesit e tre fuqive të mëdha, mundësisht të atyre që tani ndodhen në Tiranë. Rregullimet e vogla të bëhen në mënyrë që kufiri i ri të jetë sa më afër topografisë natyrale.

Pas këtij përcaktimi kufitar, shkruan Xhekobsi, banorët e minoriteteve të të dy palëve duhet të shkojnë në shtetin amë.
E dyta, një rregullim i ngjashëm, sipas Xhekobsit, mund të zbatohej edhe në lidhje me kufirin shqiptaro-jugosllav në rajonin e Kosovës. Ndonëse në rajonin e Kosovës, shtonte ai, banojnë rreth një milion e gjysmë shqiptarë, Tirana duket se ka rënë dakord me qëndrimin e Jugosllavisë për të mos bërë ndryshime në kufirin midis tyre.

Xhekobsi mendon se në këtë vendim të Tiranës ka ndikuar presioni i një fraksioni titist që ndodhet në regjimin aktual shqiptar. Si rrjedhim, sipas tij, zgjidhja e propozuar për të mos ndryshuar kufijtë shqiptaro-jugosllav, në fakt nuk është zgjidhje, pasi problemi mbetet i pazgjidhur.

Në lidhje me kufirin shqiptaro-jugosllav, Xhekobsi shkruante tekstualisht:
“Edhe po të kemi parasysh se regjimi aktual i Shqipërisë e ka pranuar status quo-në e tanishme, edhe pse ky problem nuk është i ngutshëm, është jashtëzakonisht e dëshirueshme që çështja të diskutohet me Ministritë e Jashtme britanike dhe sovjetike. Mundësisht të arrihet një marrëveshje që një komision, ndoshta i njëjti komision që do të shqyrtonte problemin e kufirit shqiptaro-grek, ta studionte këtë problem.

Synimi i këtij komisioni do të ishte paraqitja e rekomandimeve për arritjen e një marrëveshjeje të ngjashme me marrëveshjen e propozuar për kufirin shqiptaro-grek, natyrisht me përjashtim se këtu kemi të bëjmë me një territor më të gjerë, siç është krahina e Kosovës, e cila do t’i jepej Shqipërisë dhe me transferimin e popullatave, e cila do të bëhej në pajtim me të. Është gjithashtu e qartë që në lidhje me këtë çështje, bashkëpunimi dhe pjesëmarrja e autoriteteve jugosllave do të ishte thelbësore”. (F.R, vëll. IV, 1945, ff. 48-52).

E treta, përsa i përkiste ishullit të Sazanit, të cilin Italia e kishte shtënë në zotërim më 1920, sipas Xhekobsit, ai duhej t’i kthehej pa diskutim Shqipërisë. Në të vërtetë, çështja e ishullit të Sazanit u zgjidh në favor të Shqipërisë në Mbledhjen e Tretë të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, më 14 shtator 1945. Me këtë vendim u hodh poshtë kërkesa e qeverisë greke, e cila pretendonte të siguronte sovranitetin grek mbi ishullin. (F.R. vëll. IV, 1945, f. 56, shën. 32).

Xhekobsi nuk linte pas dore as çështjen e federatës ballkanike, e cila diskutohej në atë kohë se do të krijohej nga shtetet e gadishullit. Lidhur me federatën, diskutohej nëse Shqipëria do të merrte ose jo pjesë në të. Federata, e cila do të krijohej nga shtetet e Gadishullit Ballkanik, do të vepronte, sipas Xhekobsit, pa u ndikuar nga tre fuqitë e mëdha, madje edhe nga Franca. Shkurt, ajo do të ishte, sipas tij, një federatë e pavarur ballkanike. Për Xhekobsin, koha për krijimin e një federate të tillë ishte e papërshtatshme për shkak të mosmarrëveshjeve që ekzistonin në radhët e shteteve ballkanike. Prandaj, ideja për formimin e saj duhej të lihej për një kohë tjetër. (F.R. vëll. IV, 1945, f. 52).
 
7.Teza amerikane për njohjen e Shqipërisë
Departamenti i Shtetit e mori në konsideratë relacionin e Xh. Xhekobsit hartuar më 15 gusht 1945. Madje, ai u mbështet në këtë relacion mbi hapat e mëtejshme që ndërmori për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Me gatishmërinë që tregoi qeveria e kryesuar nga Enver Hoxha për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme për Asamblenë Kushtetuese, problemi më i mprehtë që duhej të zgjidhte Departamenti i Shtetit për njohjen e qeverisë shqiptare ishte sqarimi i qëndrimit britanik ndaj saj. Departamenti e pranoi sugjerimin e Xhekobsit se ishte e domosdoshme që tre aleatët e mëdhenj të koalicionit antifashist ta njihnin bashkërisht qeverinë e Tiranës.

Siç është thënë, Uashingtoni dhe Moska pranonin ta njihnin Shqipërinë si shtet i pavarur me kufijtë e vitit 1913. Përkundrazi, Londra, ndërsa pranonte idenë e njohjes së Shqipërisë si shtet i pavarur, nga ana tjetër kërkonte ndryshimin e kufijve të saj, në kuptimin e shkëputjes së territoreve të Shqipërisë së Jugut nga integriteti i saj territorial. Departamenti e pranoi gjithashtu sugjerimin e Xhekobsit që para se të flitej për njohjen e qeverisë shqiptare duhej të sqarohej rezerva që kishte shfaqur ministri i Jashtëm britanik A. Eden më 17 dhjetor 1942 lidhur me kufijtë e Shqipërisë.

Zgjidhjen e kësaj çështjeje Departamenti ia ngarkoi vetë Xhekobsit me porosi që të shkonte në Londër dhe ta trajtonte problemin së bashku me funksionarët e lartë të Foreign Office-it. Bashkë me Xhekobsin u nis në ndihmë të tij drejt Londrës, edhe sekretari i parë i Legatës amerikane dhe konsull i ShBA-së në Lisbonë, Cavendise Canon.

Xhekobsi u nis nga Tirana dhe pas një qëndrimi të shkurtër në Kazerta, pranë Napolit, ku e kishte selinë Komanda Ndëraleate e Mesdheut, e cila kishte nën administrim edhe Shqipërinë, arriti në Londër më 30 shtator 1945. Aty së bashku me Canonin pati një varg takimesh pune me funksionarë të Ministrisë Britanike të Punëve të Jashtme. Njoftimet e para mbi bisedimet e tij në Londër ai ia transmetoi Uashingtonit më 4 tetor 1945.

Në bisedimet që u zhvilluan me sferat e larta diplomatike britanike merrnin pjesë, shkruan Xhekobsi, z. Hayter, kreu i Departamentit Jugor të Foreign Office-it britanik, z. Laskey, zyrtar nga Foreign Office-i për Shqipërinë dhe Greqinë, Cavendise Canon sekretar i parë dhe Konsull amerikan në Lisbonë, me cilësinë e Këshilltarit Politik dhe Xhekobsi, përfaqësuesi amerikan në Shqipëri.

Në fillim aty u parashtrua pikëpamja që kishin amerikanët në lidhje me njohjen e qeverisë shqiptare. Të dy përfaqësuesit amerikanë Canon dhe Xhekobs deklaruan se pas zotimit që kishte marrë qeveria e Tiranës se zgjedhjet do të ishin të lira e të ndershme, Departamenti nuk shihte arsye për mosnjohjen e tyre.

Të dy përfaqësuesit amerikanë, vazhdon Xhekobsi, shpjeguan arsyet përse qeveria shqiptare duhej të njihej sa më parë, pasi Shqipëria ishte i vetmi vend në Ballkan ku marrëdhëniet e aleatëve me autoritetet vendëse nuk po zhvilloheshin mbi baza të rregullta. Ata shpjeguan gjithashtu përse autoritetet shqiptare meritonin njohjen, përderisa kishin në dorë kontrollin e të gjithë vendit. “Unë – theksoi Xhekobsi – shtova se e mendoja të rrezikshme vonesën e mëtejshme të njohjes.

Kjo shtyrje e vazhdueshme, nënvizoi ai, kishte mundësi që ta çonte regjimin (shqiptar – K.F.) tërësisht në një kombinim sovjeto-jugosllav. Veç kësaj, - përfundoi ai, - atje (në Shqipëri – K.F.) ndihet nevoja, e cila është në rritje, për të diskutuar disa probleme me autoritetet shqiptare, të tilla si traktati i paqes me Italinë, i cili nuk mund të diskutohet për sa kohë që regjimi aktual që kontrollon Shqipërinë nuk njihet (nga aleatët – K.F.). Natyrisht, - vazhdoi Xhekobsi, - do të dalë dhe çështja e pretendimeve territoriale greke”.

Funksionari britanik Hayter tha se mendonte se çështja e njohjes nuk duhej lënë pa trajtuar. Megjithatë, ai mendonte se ekzistonte një problem, nëse çështja duhej trajtuar pikërisht në atë moment, kur edhe Konferenca e Ministrave të Jashtëm e kishte lënë atë çështje pa trajtuar. Zoti Canon dhe unë, thotë Xhekobsi, u përgjigjëm se ky problem mund të shmangej nëse ne këtë propozim ua parashtronim qeverive britanike dhe sovjetike meqenëse Departamenti Amerikan i Shtetit e ka marrë në konsideratë raportin tim (të Xhekobsit) mbi gjendjen në Shqipëri.

Pasi Cannon-i, për t’u siguruar për trajtimin e parashtruar nga Xhekobsi, i dha Hayter-it raportin drejtuar Departamentit nga vetë Xhekobsi, Hayteri komentoi se e shihte pa vend t’u kërkohej autoriteteve shqiptare garanci për zgjedhje të lira e të ndershme, kundrejt njohjes së parakohshme, mbasi në rast se ato nuk do të ishin të drejta, çfarë do të bënin aleatët? Të anullonin njohjen?

Përfaqësuesi britanik shtoi se, nëse ne, aleatët nuk do të ishim në gjendje t’i vëzhgonim këto zgjedhje dhe ai mendonte se ne nuk duhej ta merrnim përsipër, do të ishte më mirë të jepej njohja pa kërkuar garanci deri në hollësira. Ne, shkruan Xhekobsi, duke patur parasysh qëndrimin e mëparshëm të Foreign Office-it, u habitëm nga kjo deklaratë.
Përfaqësuesi britanik Laskey vërejti se duke pasur parasysh pretendimet greke ndaj Epirit të Veriut, Foreign Office mund të bënte një rezervë në lidhje me njohjen se Britania e Madhe nuk i njihte kufijtë aktualë të Shqipërisë si përfundimtarë.

Të dy përfaqësuesit amerikanë deklaruan se trembeshin nga reagimi i qeverisë sovjetike, e cila nuk pranonte ndryshimin e kufijve të Shqipërisë. Ata mendonin se nuk ishte e nevojshme të bëhej një rezervë e tillë meqenëse, sipas tyre, lidhja e marrëdhënieve diplomatike nuk sillte medoemos dhe njohjen e kufijve aktualë të Shqipërisë.

Të dy përfaqësuesit amerikanë shtuan se Shtetet e Bashkuara mendonin se në rast se ndjehej nevoja e ndryshimit të kufijve që ekzistonin para 1939, ato duheshin bërë në kuadrin e një rregullimi të përgjithshëm europian. Si rrjedhim, ne shtuam, thotë Xhekobsi, se në këtë pikë pretendimet greke mund të shqyrtoheshin më vonë nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm, siç parashihej në Potsdam ose mundësisht nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Përfundimisht, diplomati amerikan Xhekobs mendonte se ShBA-ja mund të udhëzonte ambasadorët e saj në Londër dhe Moskë për të informuar qeveritë britanike dhe sovjetike rreth propozimit të saj, që të njihej regjimi aktual që kontrollon Shqipërinë.

Ndërkohë Hayter-i në një takim që kishte patur me një zyrtar të ambasadës frënge në Londër ishte informuar se Franca ishte e përgatitur ta njihte regjimin aktual në Shqipëri pa asnjë rezervë. Në lidhje me bashkërendimin e veprimit për njohjen me Francën ata mendonin se kjo do të ngadalësonte procedurën e dhënies së njohjes dhe se sovjetikët do të kundërshtonin pjesëmarrjen e Francës në çështjet e Ballkanit, sikurse u pa në Konferencën e fundit. Funksionari britanik Hayter tha se do të përpiqej ta bindte ambasadën frënge për ta shtyrë njohjen e qeverisë shqiptare derisa aleatët e mëdhenj të ishin gati. (F.R. vëll. IV, 1945, ff. 56-58).

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit James C. Dunn, i cili ato ditë ndodhej në Londër, më 6 tetor i drejtonte nga kryeqyteti britanik Sekretarit Amerikan të Shtetit J. Byrnes një telegram me të cilin e njoftonte se: “Pas shqyrtimit me Xhekobsin të situatës në Shqipëri, unë rekomandoj që ne të procedojmë sa më shpejt që të jetë e mundur në njohjen e regjimit aktual që kontrollon Shqipërinë.

Janë zhvilluar biseda informale me zyrtarë të Foreign Office-it këtu (në Londër – K.F.), të cilët duket se janë dakord me ne në vija të përgjithshme. Ashtu si në të kaluarën, kemi bashkërenduar veprimet tona në lidhje me Shqipërinë, si me qeverinë britanike ashtu me atë sovjetike.

Unë sugjeroj si hap të radhës që ambasadat (amerikane – K.F.) në Londër dhe në Moskë të udhëzohen për të informuar qeveritë britanike dhe sovjetike se Departamenti pasi shqyrtoi raportin e përgatitur nga Xhekobsi, propozon që të tre aleatët të njoftojnë bashkërisht qeverinë e Tiranës për gatishmërinë e tyre në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të. Si kusht kërkojnë që qeveria shqiptare të angazhohet për të zhvilluar zgjedhje në pajtim me parimet e parashtruara në Deklaratën e Krimesë mbi Europën e çliruar”. (F.R. vëll. IV, 1945, f. 59).

Ne po sjellim këtu porosinë që ambasadori amerikan në Moskë, Harriman, mori më 13 tetor 1945 nga Sekretari i Departamentit të Shtetit. “T’i komunikohet Ministrisë së Jashtme sovjetike, - thuhet në mesazh, - se, pasi Departamenti i Shtetit e analizoi gjatë disa muajve gjendjen në Shqipëri, arriti në këto përfundime: 1. Se njohja duhet t’i jepet autoriteteve aktuale në Tiranë si qeveri e përkohshme e Shqipërisë; 2. Se njohja të mos shpallet derisa të bëhen zgjedhje të lira për Asamblenë Kushtetuese, e cila do të ketë fuqinë të zgjedhë formën e përhershme të qeverisjes dhe të vendosë një administratë të rregullt qeveritare”.

Në lidhje me këto dy pika, Departamenti parashtronte këto argumente: Për pikën e parë, Departamenti i Shtetit mendon se qeveria aktuale në Shqipëri i plotëson kushtet për t’u njohur; se gëzon një mbështetje popullore më të madhe se çdo grup opozitar apo kombinim i grupeve opozitare; se ajo ka dhënë prova se kontrollon efektivisht mbarë vendin; se ka aftësinë që të përmbushë funksionet qeveritare dhe të realizojë detyrimet ndërkombëtare.

Ky regjim, i cili u rrit si e vetmja lëvizje rezistence efektive proaleate, në Shqipëri ka shfaqur nismë dhe energji në zgjidhjen e problemeve të rindërtimit dhe duket se e dëshiron sinqerisht mirëqënien e popullit shqiptar.
enver hoxha













Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg