Kriteret, afatet dhe tarifat për tokat me qira, në ‘sitë’ edhe kontratat e vjetra/ Zbardhet vendimi

Kriteret, afatet dhe tarifat për tokat me qira, në ‘sitë’ edhe kontratat e vjetra/ Zbardhet vendimi

Foto ilustruese

TIRANE-Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme disa vendime, mes tyre edhe atë për kriteret e reja për dhënien me qira të tokave bujqësore që janë në pronësi të shtetit. Afatet e qirasë janë 10-30 dhe 99 vjeçare për tokat që merren me qira për ullishta dhe pemëtore.

Tarifat minimale të qirasë vjetore janë nga 5 mijë lekë në vit për hektarë deri në 27 mijë lekë. Por me rëndësi është edhe fakti, që qeveria ka miratuar edhe një nen tranzitor që fut në “sitë” kontratat ekzistuese, që janë miratuar, ndërsa rivlerësimi do të bëhet çdo 5 vjet.

VENDIMI I PLOTË

I. PËRKUFIZIME

1. Në zbatim të këtij vendimi, termat kanë këto kuptime:

a) “Tokë bujqësore në pronësi të shtetit”, sipërfaqet, që në dokumentacionin kadastral figurojnë në kategorinë e resursit “tokë bujqësore”, të cilat, me vendime të Këshillit të Ministrave i janë dhënë në përgjegjësi administrimi ministrisë përgjegjëse për bujqësinë, dhe tokat bujqësore shtetërore, të cilat janë dhënë me qira nga ish-drejtoritë e bujqësisë, në zbatim të ligjit nr.8318, datë 1.4.1998, e akteve nënligjore në zbatim të tij;
b) “Bordi i qiradhënies së tokave bujqësore në pronësi të shtetit” (Bordi), një komision “ad hoc”, që ngrihet pranë qiradhënësit;
c) “Qiradhënës”, shteti, i përfaqësuar nga ministria ose/dhe institucionet në varësi të saj, të cilat kanë të drejtë të lidhin kontratë qiraje për tokën bujqësore në pronësi të shtetit, me miratimin e ministrit;
ç) “Ministria”, ministria pëgjegjëse për bujqësinë;
d) “Ministri”, ministri përgjegjës për bujqësinë;
dh) “Struktura përgjegjëse e qiradhënësit”, sektori përgjegjës në ministri, i cili në përshkrimin e punës ka të përcaktuar dhënien me qira të tokave bujqësore shtetërore ose njësia përgjegjëse për dhënien e tokave bujqësore shtetërore me qira në institucionet e varësisë.

2. Shkurtimet në emërtimet e disa institucioneve janë, si më poshtë vijon:

– “DAMT”, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në këshillin e qarkut;
– “ZVRPP”, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

II. OBJEKTI I QIRADHËNIES

Objekt i qiradhënies, sipas këtij vendimi, janë të gjitha sipërfaqet e lira të tokës bujqësore në pronësi të shtetit, të cilat, me vendime të Këshillit të Ministrave i janë dhënë në përgjegjësi administrimi ministrisë, dhe tokat bujqësore shtetërore, që janë dhënë me qira nga ish-drejtoritë e bujqësisë, afati i kontratave të qiradhënies të të cilave ka përfunduar ose përfundon pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

III. SUBJEKTET NË PROCESIN E QIRADHËNIES SË TOKAVE BUJQËSORE NË PRONËSI TË SHTETIT

1. Qiradhënësi, nëpërmjet strukturës përgjegjëse për administrimin e tokave bujqësore, bën shpalljen publike dhe përditësimin e listës së ngastrave ose grup-ngastrave që do të jepen me qira në faqen e tij të internetit. Çdo palë e interesuar, që ka pretendime pronësie apo është palë në një proces gjyqësor me objekt ngastrat e tokës bujqësore në pronësi të shtetit të shpallura për qiradhënie, ka të drejtë t’i paraqesë ankesat përkatëse pranë qiradhënësit, sipas dokumentacionit të paraqitur në Agjencinë e Trajtimit të Pronës apo në gjykatë.

2. Qiradhënësi ka për detyrë:

a) përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për realizimin e procedurës së konkurrimit dhe të mënyrës së paraqitjes së tij;
b) regjistrimin, në regjistrin e kërkesave të subjekteve për dhënien me qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit;
c) organizimin e procedurës konkurruese të ofertave;
ç) shpalljen dhe njoftimin e vendimit të Bordit, të miratuar nga ministri;
d) monitorimin e kontratave për marrjen me qira të tokave bujqësore.

3. Ngritja e Bordit për vlerësimin e ofertave për marrje me qira të tokave bujqësore shtetërore pranë qiradhënësit miratohet nga ministri. Bordi përbëhet nga jo më pak se 5 (pesë) me, të paktën,:

– një përfaqësues i strukturës përgjegjëse për administrimin e tokave në ministri;
– një specialist agronom ose të blegtorisë, sipas rastit, nga ministria/institucionet e varësisë;
– një specialist ekonomist ose specialist urbanist, sipas rastit, nga qiradhënësi dhe/ose institucionet e tjera shtetërore;
– një jurist nga ministria/institucionet e varësisë;
– një përfaqësues nga agjencia rajonale e ekstensionit, në qarkun ku ndodhet toka bujqësore, objektqiradhënieje.

4. Bordi ka për detyrë shqyrtimin e ofertave të paraqitura nga subjektet për marrjen me qira të tokës bujqësore në pronësi të shtetit, garantimin e barazisë ndërmjet subjekteve kur, për të njëjtën sipërfaqe toke bujqësore është paraqitur më shumë se një kërkesë për qiramarrje, si dhe marrjen e vendimeve brenda afateve që përcaktohen në këtë vendim.

5. Kërkesa për marrjen me qira të tokës bujqësore, objekt i këtij vendimi, mund të bëhet nga çdo person, fizik ose juridik, vendas apo i huaj si dhe pa shtetësi, i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

IV. PROCEDURAT QË NDIQEN PËR DHËNIEN ME QIRA TË TOKAVE BUJQËSORE NË PRONËSI TË SHTETIT

1. Dhënia me qira e tokave bujqësore në pronësi të shtetit realizohet nëpërmjet procedurës së ankandit.

2. Subjektet e përcaktuara në pikën 5, të kreut III, të këtij vendimi, të cilat kërkojnë për të marrë me qira tokë bujqësore shtetërore, paraqesin kërkesën pranë strukturës përgjegjëse të qiradhënësit.

3. Kërkesa paraqitet me shkrim dhe përmban:

a) identitetin e kërkuesit dhe dokumentin e regjistrimit si subjekt tregtar;
b) fragmentin e hartës kadastrale të ngastrave që kërkohen për qiramarrje, në shkallën 1:2500, sipas sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, apo 1:5000, sipas hartës kadastrale të DAMT-it, në rastet kur zona kadastrale ku ndodhet toka bujqësore nuk është në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
c) pasqyrën kadastrale të ngastrave, me madhësinë e sipërfaqes për secilën prej tyre;
ç) një përshkrim të përgjithshëm të projektit për veprimtarinë bujqësore që do të zhvillohet mbi tokën, objekt kërkese, për qiramarrje, në të cilën të specifikohen kulturat bujqësore ose speciet e bimëve që do të mbillen, teknologjitë që do të aplikohen në kultivimin e bimëve dhe përpunimin e produkteve, investimet në infrastrukturë (kullim, ujitje, sistemim etj.), të shprehura në tregues fizikë e monetarë, tregun e shitjes, aftësitë financiare, kreditë dhe burimet e financimit, të shprehura në vlerë, që garantojnë investimet, ndikimin e veprimtarisë në shtimin e numrit të të punësuarve;
Dokumentet që vërtetojnë aftësitë financiare, kreditë dhe burimet e financimit duhet të jenë të lëshuara nga institucionet e ngarkuara nga ligji për këtë qëllim;
d) planin e biznesit për aktivitetin që do të ushtrohet;
dh) raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, të përgatitur nga specialistë mjedisi të licencuar;
e) projektin e investimeve, të përgatitur nga specialistë të licencuar;
ë) afati i përdorimit të tokës për qiramarrje, në varësi edhe të kulturave bujqësore ose specieve të bimëve që do të mbillen;
f) vërtetime të lëshuara nga institucionet kompetente, që konfirmojnë se nuk ka detyrime financiare ndaj organeve tatimore qendrore dhe vendore, nuk është në ndjekje penale si dhe nuk ka detyrime ndaj qiradhënësit;
g) vërtetim nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme që përcakton gjendjen aktuale të pronësisë për sipërfaqen e tokës bujqësore, objekt kërkese, ose vërtetimin nga DAMT-i, pranë këshillit të qarkut, në rastin kur këto sipërfaqe përfshihen në zona kadastrale ku nuk është kryer regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme.

4. Qiradhënësi, nëpërmjet strukturës përgjegjëse, verifikon brenda 5 (pesë) ditëve pune nëse kërkesa e paraqitur është në përputhje me përcaktimet e pikës 3, të këtij kreu. Nëse kërkesa nuk është në përputhje me pikën 3, atëherë qiradhënësi njofton ofertuesin për plotësimin e mangësive të kërkesës, duke i lënë 5 (pesë) ditë afat. Nëse kërkesa është në përputhje me përcaktimet e pikës 3, qiradhënësi ngarkon me urdhër strukturën përgjegjëse, të cilës i bashkohen edhe specialistë të tjerë të fushës, për përgatitjen e procedurës konkurruese dhe për llogaritjen e çmimit vjetor fillestar të qiradhënies. Kjo strukturë kryen këto detyra:

4.1 Shpall menjëherë, publikisht, njoftimin për fillimin e procesit të qiradhënies për sipërfaqen konkrete të tokës bujqësore, objekt qiradhënieje, me qëllim që palët e interesuara, që kanë pretendime pronësie për këtë sipërfaqe, sipas dokumentacionit të paraqitur në Agjencinë e Trajtimit të Pronës apo në gjykatë, të paraqesin ankesat përkatëse pranë qiradhënësit, brenda 20 ditëve kalendarike nga publikimi. Shpallja e njoftimit bëhet në faqen zyrtare të internetit të qiradhënësit, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare si dhe në një gazetë kombëtare me tirazh të madh;
4.2. Kryen, paralelisht, verifikime, brenda 20 ditëve kalendarike nga shpallja e njoftimit, sipas pikës 4.1, në:

a) zyrën vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për gjendjen aktuale të pronësisë për të gjitha ngastrat e përfshira në sipërfaqen e tokës bujqësore të paraqitura në materialin hartografik të publikuar;
b) DAMT, pranë këshillit të qarkut, për kategorinë e resursit dhe bonitetin, për të gjitha ngastrat e përfshira në sipërfaqen e tokës bujqësore, të paraqitura në materialin hartografik të publikuar;
c) ministrinë përgjegjëse për ekonominë dhe financat, ministrinë përgjegjëse për infrastrukturën dhe në bashkinë, në territorin e së cilës gjendet sipërfaqja e tokës bujqësore, për përcaktimin nëse kjo sipërfaqe do të jetë objekt investimesh publike apo strategjike në një afat kohor prej 10 vjetësh;
ç) ministrinë përgjegjëse për turizmin dhe mjedisin, për të përcaktuar nëse sipërfaqja e tokës bujqësore shtrihet në zonë turistike, park kombëtar dhe zonë rreptësisht të mbrojtur;
d) Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, për verifikimin e përcaktimeve të detyrueshme për zbatim, që rrjedhin nga dokumentet kombëtare e vendore të planifikimit për sipërfaqen e tokës bujqësore të propozuar për dhënie me qira;
dh) terren, nëpërmjet një grupi pune, për gjendjen faktike të sipërfaqes së tokës bujqësore, objekt qiradhënieje, dhe dokumenton këtë verifikim në një raport teknik.

4.3. Organizon dhe ndërmerr masat e nevojshme për zhvillimin e procedurës së konkurrimit për dhënien me qira të tokës bujqësore, objekt i kërkesës së regjistruar. Për këtë qëllim, harton dokumentet e procedurës konkurruese si dhe realizon njoftimin publik për organizimin e saj dhe paraqitjen e ofertave për sipërfaqen e tokës që vihet në dispozicion për qiradhënie, objekt i kërkesës së parë, të dërguar pranë qiradhënësit.

5. Njoftimi publik për procedurën konkurruese bëhet në dy gazeta kombëtare, për dy ditë radhazi, në faqen zyrtare të internetit të qiradhënësit, pranë bashkisë dhe njësisë administrative ku ndodhet sipërfaqja e kërkuar, si dhe në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik.

6. Njoftimi për zhvillimin e procedurës së konkurrimit për dhënien e tokës bujqësore në pronësi të shtetit me qira përmban qëllimin e dhënies me qira të tokës, sipërfaqen, objekt qiradhënieje, vendndodhjen e saj, vlerën më të ulët (minimale) të qiradhënies, sipas pikave 1 deri në 4, të kreut V, me të cilën fillon procedura e konkurrimit, si dhe vendin, datën dhe orën e zhvillimit të kësaj procedure.

7. Afati i paraqitjes së ofertave zgjat 45 (dyzet e pesë) ditë kalendarike, nga data e publikimit të njoftimit për procedurën konkurruese. Në rast se paraqiten ankesa lidhur me dokumentacionin që duhet të paraqesë qiramarrësi, afati i paraqitjes së ofertave shtyhet 5 (pesë) ditë kalendarike. Paraqitja e ankesave duhet të bëhet jo më vonë se 5 (pesë) ditë përpara afatit të paraqitjes së ofertave. Njoftimi për shtyrjen e këtij afati publikohet në faqen zyrtare të internetit të Qiradhënësit.

8. Subjektet e interesuara për marrjen me qira të tokës bujqësore, objekt i procedurës së shpallur, përfshirë edhe subjektin, i cili ka paraqitur kërkesën e parë, i paraqesin ofertat për qiramarrje pranë Qiradhënësit brenda afateve të përcaktuara në njoftimin për zhvillimin e procedurës së konkurrimit.

9. Ofertat për t’u kualifikuar për vlerësim duhet të përmbajnë dokumentacionin, si më poshtë vijon:

a) Vetëdeklarimin për ekstraktin e regjistrit tregtar të personit fizik apo juridik, që ka paraqitur ofertën;
b) Një përshkrim të përgjithshëm të projektit për veprimtarinë bujqësore që do të zhvillohet mbi tokën, objekt kërkese për qiramarrje, në të cilën të specifikohen kulturat bujqësore ose speciet e bimëve që do të mbillen, teknologjitë, që do të aplikohen në kultivimin e bimëve dhe përpunimin e produkteve, investimet në infrastrukturë (kullim, ujitje, sistemim etj.), të shprehura në tregues fizikë e monetarë, tregun e shitjes, aftësitë financiare, kreditë dhe burimet e financimit të shprehura në vlerë, që garantojnë investimet, ndikimin e veprimtarisë në shtimin e numrit të të punësuarve. Dokumentet që vërtetojnë aftësitë financiare, kreditë dhe burimet e financimit duhet të jenë të lëshuara nga institucionet e ngarkuara nga ligji për këtë qëllim;
c) Planin e biznesit të aktivitetit që do të ushtrohet, sipas modelit të miratuar me udhëzim të ministrit;
ç) Raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, të hartuar nga specialistë mjedisi të licencuar;
d) Projektin e investimeve, të hartuar nga një specialist arkitekt i licencuar;
dh) Afatin e përdorimit të tokës për qiramarrje, në varësi edhe të kulturave bujqësore ose specieve të bimëve që do të mbillen;
e) Vetëdeklarimin që nuk ka detyrime financiare ndaj organeve tatimore qendrore e vendore, nuk është në ndjekje penale dhe nuk ka detyrime ndaj qiradhënësit;
ë) Kohën e fillimit e të mbarimit të mbjelljes së tokës me kultura bujqësore, në rastin e qiramarrjes së saj për pemëtore, vreshta dhe ullishte;
f) Nivelin e çmimit (lekë/ha në vit) që ofron për marrjen me qira të tokës bujqësore;
g) Sigurimin e ofertës në vlerën e qirasë së një muaji, duke e llogaritur me vlerën e shpallur në njoftimin për konkurrim.

Dokumentacioni i përcaktuar në shkronjat “a” dhe “e”, të pikës 9, do të gjenerohet nga strukturat përgjegjëse nga portali unik qeveritar e-albania apo regjistrat zyrtarë. Në rastin kur dokumenti nuk arrihet të gjenerohet, si më sipër, struktura përgjegjëse njofton personin e interesuar për plotësimin dhe dorëzimin e këtij dokumentacioni brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike, nga data e njoftimit.

10. Ofertat paraqiten në një zarf të mbyllur, i cili duhet të përmbajë një kopje origjinale ose të noterizuar të dokumentacionit të ofertës dhe ku të përcaktohen qartë identiteti dhe adresa e personit, fizik apo juridik të interesuar.

11. Në procesin e hapjes së ofertave duhet të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të bordit dhe subjektet e interesuara për qiramarrje ose përfaqësuesit e tyre, të pajisur me prokurë dhe dokument identifikimi.

12. Kur ofertat nuk plotësojnë kushtet për kualifikim, atëherë ato skualifikohen nga konkurrimi. Ofertat e kualifikuara si të rregullta nga përmbajtja e dokumentacionit të paraqitur vlerësohen në vijim, pa praninë e pjesëmarrësve, sipas kritereve të vlerësimit.

13. Bordi harton procesverbalin e zhvillimit të procedurës konkurruese, ku përshkruan ofertuesit, dokumentacionin e paraqitur prej tyre si dhe ofertuesit e kualifikuar e ata të skualifikuar.

14. Bordi, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike, nga data e hapjes së procedurës konkurruese, shqyrton ofertat e kualifikuara si të rregullta, vlerëson me pikë ofertën, sipas kritereve të vlerësimit, dhe harton vendimin për renditjen e ofertueseve. Gjatë periudhës së vlerësimit, Bordi ka të drejtë të kryejë verifikime lidhur me të dhënat e paraqituara në ofertë si dhe të kërkojë sqarime për ofertën e paraqitur nga subjektet ofertuese. Në rastin kur Bordi vlerëson se duhet të kryejë verifikime të detajuara, afati i shqyrtimit të ofertave realizohet brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike, nga data e hapjes së procedurës konkurruese.

15. Subjekti me më shumë pikë të grumbulluara shpallet me vendim të Bordit fitues i procedurës konkurruese.

16. Organizimi dhe funksionimi i Bordit, i Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave si dhe kriteret e vlerësimit të ofertave dhe mënyra e përllogaritjes së tyre përcaktohen me udhëzim të Ministrit.

17. Subjektet pjesëmarrëse në konkurrim kanë të drejtë të ankohen, me shkrim, pranë Ministrit, kundër vendimit të Bordit, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga data e marrjes së njoftimit të vendimit. Shqyrtimi i ankimit bëhet brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave, i ngritur nga Ministri, i përbërë nga 3 (tre) anëtarë, të ndryshëm nga anëtarët e bordit.
Kur komisioni vlerëson se në procedurën konkurruese janë shkelur kriteret procedurale apo ka pasur parregullsi në kryerjen e vlerësimit të ofertave, atëherë ai i propozon Ministrit anulimin e procedurës së zhvilluar ose rivlerësimin nga Bordi të ofertave të paraqitura për marrjen me qira të tokës bujqësore.
Kur komisioni vlerëson se në procedurën konkurruese nuk janë shkelur kriteret procedurale apo nuk ka pasur parregullsi në kryerjen e vlerësimit të ofertave, atëherë ai i propozon Ministrit vazhdimin e mëtejshëm të procedurës dhe njoftimin e palës ankimuese.

18. Në përfundim të afateve të ushtrimit të së drejtës së ankimimit, të përcaktuar në pikën 17, të këtij kreu, në rast se nuk ka asnjë ankim të depozituar, kryetari i Bordit i paraqet Ministrit, brenda afatit të përcaktuar në pikën 14, një raport përmbledhës dhe i propozon miratimin e fituesit të procedurës konkurruese për dhënien me qira të tokës bujqësore.

19. Ministri, në rastin e parashikuar në pikën 18, të këtij kreu, e shqyrton propozimin e Bordit brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, nga marrja e raportit.

20. Në rastin e miratimit të propozimit të Bordit, Ministri urdhëron lidhjen e kontratës së qirasë me subjektin fitues dhe nënshkruan kontratën përkatëse. Ministri mund t’ia delegojë nënshkrimin e kontratës titullarit të një strukture të brendshme të ministrisë ose institucionit në varësi të tij. Modeli i përmbajtjes së kontratës është sipas shtojcës A, të këtij vendimi. Kontrata mund të përmbajë edhe kushte të tjera specifike, në varësi të projektit që realizohet, për aq sa ato nuk bien ndesh me dispozitat e përcaktuara në modelin e shtojcës A.

21. Në rastin kur pas shpalljes së njoftimit për procedurë konkurruese për qiradhënie dhe mbarimit të afatit të përcaktuar në njoftim është paraqitur vetëm një ofertë, Bordi e shqyrton ofertën e paraqitur në datën e njoftuar, e vlerëson atë me kriteret e përcaktuara për qiradhënie dhe merr vendimin përkatës, i cili i paraqitet për miratim Ministrit.

22. Nëse pas lidhjes së kontratës konstatohen raste të pamundësisë objektive të qiradhënies për një pjesë të sipërfaqes së kontraktuar (kur provohet se një palë e tretë disponon një titull pronësie për një pjesë të sipërfaqes së ngastrës, objekt qiradhënie, ose në rast se sipërfaqja e tokës është destinuar për investime publike), me pëlqimin e palëve kjo sipërfaqe mund të zbritet nga sipërfaqja e parashikuar në kontratën bazë dhe. për këtë. palët duhet të nënshkruajnë një amendament të kontratës bazë. Në rast se palët nuk bien dakord, secila prej tyre ka të drejtë të zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën e qirasë. Të gjitha pretendimet e mundshme, në rast të prishjes së njëanshme të kontratës, rregullohen sipas dispozitave të Kodit Civil.

23. Qiradhënësi është përgjegjës për realizimin e procesit të dhënies me qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit, të monitorimit dhe zbatimit të kushteve të kontratave të qirasë nga qiramarrësit.

24. Qiradhënësi, së bashku me përfaqësuesit e Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë këshillit të qarkut, realizojnë procesin e dorëzimit të tokës qiramarrësit. Dorëzimi i tokës bëhet në bazë të një inventari dorëzimi, të nënshkruar nga përfaqësuesit e palëve.

25. Qiradhënësi ka të drejtë të anulojë procedurën konkurruese të qiradhënies në çdo fazë procedurale, në rast se vihet në dijeni të ekzistencës së pretendimeve të caktuara të pronësisë nga ana e palëve të treta.

26. Qiradhënësi nuk mban asnjë përgjegjësi në raport me ofertuesit në procedurën konkurruese ose palën qiramarrëse apo palët e treta në rast se, respektivisht, anulon procedurën konkurruese për shkak të paraqitjes së një pretendimi pronësie nga një palë e tretë, zgjidh pjesërisht apo plotësisht kontratën e qirasë me qiramarrësin, për shkak se vihet në dijeni për një palë të tretë që disponon një titull pronësie për të gjithë apo një pjesë të sipërfaqes së tokës, objekt qiradhënieje.

V. PËRCAKTIMI I VLERËS VJETORE TË QIRADHËNIES SË TOKAVE BUJQËSORE NË PRONËSI TË SHTETIT
1. Vlera vjetore e dhënies me qira të tokës bujqësore në pronësi të shtetit, si në rastet kur për të njëjtën sipërfaqe paraqitet më shumë se një ofertë, ashtu edhe në rastet kur rezulton një ofertë e vetme, përcaktohet në bazë të kategorisë së bonitetit, brenda niveleve, si më poshtë vijon:

Kategoria e
tokës sipas
bonitetit I II III IV V VI VII VIII-X
Vlera minimale lekë/ha në vit 17000 -27000 15000-22000 12000-20000 10000-15000 7000-12000 5000-10000 5000-10000 6000

2. Përcaktimi i vlerës së qirasë për çdo tokë bujqësore shtetërore, objekt i kërkesës për qiramarrje, për të cilën do të shpallet procedura konkurruese, përcaktohet nga struktura përgjegjëse.

3. Struktura përgjegjëse, në përcaktimin e vlerës fillestare të qirasë për hapjen e procedurës konkurruese, merr parasysh karakteristikat në lidhje me bonitetin e tokës, gjendjen e infrastrukturës ujitëse dhe kulluese të saj, distancën nga tregjet, nivelin e industrisë agro – përpunuese si dhe shkallën e zhvillimit të infrastrukturës rrugore të zones. Kriteret dhe mënyra e llogaritjes së vlerës fillestare të qirasë përcaktohen me udhëzim të Ministrit.

4. Në tokat bujqësore në pronësi të shtetit, kur sipërfaqet e tokës që jepen me qira nuk kanë të dhëna në librin e bonitetit për kategorinë e tokës, QTTB-ja, me kërkesën e qiradhënësit, brenda një periudhe 20-ditore, bën analizat dhe përcakton bonitetin e tokës përpara shpalljes së procedurës konkurruese.

5. Kur objekt i qiradhënies janë sipërfaqe toke bujqësore, në të cilat përfshihen më shumë se një parcelë me kategori të ndryshme të tokës, sipas bonitetit, përllogaritja e vlerës bëhet e veçantë për secilën parcelë dhe shuma e tyre përbën vlerën e përgjithshme të sipërfaqes së dhënë me qira.

6. Të ardhurat financiare, që sigurohen nga dhënia me qira e tokës bujqësore në pronësi të shtetit, arkëtohen për llogari të buxhetit të shtetit. Qiramarrësi e kryen paraprakisht pagesën e vlerës vjetore të qirasë, brenda tremujorit të parë të vitit përkatës, për të cilin paguhet qiraja.

VI. AFATET E DHËNIES ME QIRA TË TOKAVE BUJQËSORE NË PRONËSI TË SHTETIT

1. Tokat bujqësore në pronësi të shtetit jepen me qira për afate kohore, si më poshtë vijon:

a) Deri në 10 vjet, kur destinohen për kultivimin e bimëve të arave, eterovajore dhe bimëve dekorative;
b) Deri në 30 vjet, kur destinohen për:
i. krijimin dhe kultivimin e vreshtave;
ii. krijim pemëtoresh me specie drufrutorësh, mosha biologjike e të cilave përkon me këtë kohëzgjatje kultivimi dhe me rentabilitet ekonomik;
iii. ndërtim serrash e kultivim të bimëve në to;
iv. fidanishte.

c) Deri në 99 vjet, kur:
i. destinohen për krijim ullishtash;
ii. destinohen për krijim pemëtoresh me drufrutorë si kulturat arrore dhe specie të tjera, mosha biologjike e të cilave përkon me këtë kohëzgjatje;
iii. veprimtaria sipas shkronjave “a” dhe “b”, të kësaj pike, shoqërohet me investime për përpunimin e prodhimeve të mara nga toka e dhënë me qira.

2. Në çdo rast, madhësia e sipërfaqes së tokës bujqësore që jepet me qira nuk mund të jetë më e vogël se madhësia e sipërfaqes së parcelës sipas së cilës ajo rezulton e regjistruar në dokumentacionin kadastral të DAMT-it ose sa madhësia e sipërfaqes së parcelës sipas së cilës ajo reflektohet në hartën treguese të tokës “HTR”, pranë ZVRPP-së.

VII. MONITORIMI I KONTRATAVE

1. Qiradhënësi është përgjegjës për ndjekjen e përmbushjes së detyrimeve kontraktore dhe monitorimin e kontratave të lidhura në përputhje me këtë vendim si dhe kontratat në proces, të lidhura sipas vendimit nr.460, datë 22.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të rregullave dhe procedurave të dhënies me qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit”, të ndryshuar.

2. Monitorimi i zbatimit të detyrimeve të kontratave të qirasë realizohet nga struktura përgjegjëse, e cila bashkëpunon me strukturat e tjera teknike pranë qiradhënësit.

3. Struktura përgjegjëse ndjek në vijueshmëri respektimin e kushteve të kontratave të qirasë.

4. Për këtë qëllim, ajo mban regjistrin e kontratave të qirasë, forma dhe përmbajtja e të cilit miratohen me udhëzimin e ministrit.

5. Për çdo kontratë të lidhur, në fund të vitit struktura përgjegjëse harton raport të hollësishëm për respektimin e kushteve të secilës kontratë dhe ia paraqet Ministrit brenda datës 20 janar.

6. Për përmbushjen e detyrimeve kontraktore dhe monitorimin e kontratave të lidhura nga ish-drejtoritë e bujqësisë ngarkohen agjencitë rajonale të ekstensionit bujqësor, në juridiksionin të së cilave gjendet toka bujqësore, objekt i këtyre kontratave.

VIII. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Rivlerësimi i vlerës së qirasë do të bëhet çdo 5 vjet, bazuar në normën mesatare të inflacionit në 5 vitet e fundit, sipas Bankës së Shqipërisë. Ky rregull zbatohet edhe për kontratat e lidhura në zbatim të vendimit nr.460, datë 22.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të rregullave dhe procedurave të dhënies me qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit”, të ndryshuar, si dhe ato të lidhura nga ish-drejtoritë e bujqësisë. Për qëllim të rivlerësimit, për kontratat ekzistuese afati 5-vjeçar do të fillojë të përllogaritet nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

2. Vendimi nr.460, datë 22.5.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të rregullave dhe procedurave të dhënies me qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit”, i ndryshuar, shfuqizohet.

3. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja