Met Gala 2027 nuk do ta organizojë ekspozitën në nder të John Galliano-s.

Stilisti e bëri të ditur lajmin të hënën përmes një deklarate në Instagram, ku shkroi: “Pas shumë reflektimi dhe diskutimesh me të gjithë palët e përfshira, kam vendosur, me shumë trishtim, se është më mirë që ekspozita të mos zhvillohet në këtë moment.”

Ai vijoi: “Nuk dua që debati rreth meje ta vendosë Met-in në një pozitë të vështirë apo të largojë vëmendjen nga puna e jashtëzakonshme e Institutit të Kostumeve. Gjithashtu e kuptoj dhe e respektoj faktin se një ekspozitë që nderon punën time do të ishte e dhimbshme për disa njerëz.”

Galliano ishte një zgjedhje e diskutueshme për eventin vjetor të drejtuar nga Anna Wintour, për shkak të komenteve të tij antisemitike dhe raciste në një kafene në Paris në vitin 2011.

“Unë vazhdoj të mbaj përgjegjësi të plotë për dhimbjen e shkaktuar nga fjalët e mia në të kaluarën, veçanërisht për lëndimin që u shkaktova komuniteteve hebraike dhe aziatike, dhe vazhdoj të jem thellësisht i penduar,” vijoi Galliano në deklaratën e tij. “E kuptoj se pendesa e sinqertë dhe kuptimplotë nuk arrihet përmes një ekspozite, njohjeje institucionale apo një gjesti të vetëm publik. Është një përgjegjësi e vazhdueshme, e dëshmuar përmes dëgjimit, të mësuarit dhe sjelljes së një personi me kalimin e kohës.”

Ekspozita “John Galliano: Horizons” u njoftua në fillim të gushtit dhe ishte planifikuar të hapej të hënën e parë të majit, datë e cila, në vitin 2027, do të përkojë me Yom HaShoah, i njohur gjithashtu si Dita e Përkujtimit të Holokaustit dhe Heroizmit.

Sipas New York Times “kujdestarët dhe anëtarët e bordit të Met-it po përpiqen me shpejtësi të kufizojnë dëmet” dhe po “diskutojnë mundësinë e ndryshimit të datës”, ndërsa donatorët po “kërcënojnë të tërheqin donacionet e tyre për muzeun”.

Në një deklaratë nga Metropolitan Museum of Art, Wintour tha: “Vendimi i John-it që ekspozita kushtuar punës së tij të mos zhvillohet në këtë moment është shumë i guximshëm dhe tregon karakterin e njeriut që ai është. Besoj se ky është vendimi i duhur dhe si ai, ashtu edhe Muzeu, kanë mbështetjen time të plotë.”

Muzeu gjithashtu bëri të ditur se detajet për një ekspozitë të re do të njoftohen “në një datë të mëvonshme”.