‘Buka e përditshme’ në Shqipëri duket se garantohet tërësisht nga gruri i tokës së huaj. Përgjatë 2025-ës shifrat zyrtare tregojnë se importi i drithërave (grurë, misër apo elb) arriti nivelin më të lartë historik, me rreth 374 mijë tonë të blerë jashtë vendit, me vlerë 104.8 milionë euro, nga 335 mijë tonë që ishte në 2024-ën.
Në Shqipëri mbillen rreth 45 mijë hektar tokë me grurë, por edhe ai prodhim nuk gjen plotësisht treg, për shkak se bizneset nuk e konsiderojnë cilësor, dhe kryesisht mbetet për konsum vetjak apo për bagëti. Në vitin e lënë pas, u shit jashtë vendit vetëm 248 tonë drithëra, me një vlerë prej vetëm 280 mijë euro. Boshllëkun e grurit vendas, po e mbushim me import kryesisht nga Serbia (161 mijë tonë) dhe Rusia (131 mijë tonë).
Jo vetëm drithëra, por Shqipëria po regjistron rritje edhe të importit të zarzavateve apo frutave. Në 2025-ën janë blerë nga shtetet e huaja 99 mijë tonë fruta dhe 69 mijë tonë zarzavate. Edhe blegtoria nuk është në ditë të mira, 45 mijë tonë mish u importua vjet, dhe 36 mijë tonë bulmet.
Megjithë këto shifra importi, te zarzavatet dhe frutat Shqipëria duket se konkurron. Vjet i shiti tregjeve të huaja 174 mijë tonë zarzavate me vlerë 141 milionë euro dhe 139 mijë tonë fruta me vlerë 67 milionë euro.
Edhe pse Shqipëria eksporton në sasi të mëdha perime apo fruta, vjet dhjetëra ngarkesa janë ndaluar në kufijtë e Evropës për prezencë të lartë pesticidesh. 25 ngarkesa u raportuan në sistemin evropian RASFF, kryesisht speca, domate e fruta.
Sipas institucioneve shqiptare problemi kryesor që po haset në bujqësinë shqiptare është vjelja e produktit para se të kalojë afati i lejuar i përdorimit të pesticidit.(pra pas hedhjes së pesticidit, produkti duhet të lihet derisa të shpërlahet nga efekti i tij, dhe më pas të vilet, por ky afat shpesh nuk respektohet). Por në tregun shqiptar siç më herët kanë konfirmuar për Report TV institucionet qarkullojnë edhe pesticide të futura kontrabandë.
Ndërsa sa i takon eksportit të mishit është në shifra minimale (41 tonë në 2025-ën) në raport me importin, për shkak se prej vitesh, bizneset shqiptare nuk plotësojnë kushtet e BE, duke nisur nga gjurmueshmëria e produkteve shtazore, por edhe tek cilësia e tyre.
Por edhe produktet e importit nuk janë plotësisht të pastra. Gjatë vitit të kaluar janë regjistruar disa raste të importit të luleshtrydheve, rrushit e pjeshkave me prezencë të lartë pesticidesh që vinin nga Greqia dhe Italia. Ndërsa qindra tonë misër për bagëti që vinte nga Serbia gjithashtu është bllokuar në kufi për prezencë të lartë aflatoksine, e po ashtu nga shtetet e huaja ka ardhur edhe mish i kontaminuar me salmonelë, rasti i fundit në dhjetor me origjinë nga Rumania. Kurse që në nisje të vitit, një sërë rastesh të qumështit të importuar për bebe, gjithashtu ka rezultuar i kontaminuar dhe është tërhequr nga tregu.
Tranzicioni ekonomik pas 90-ës e ka ‘trazuar’ në tërësi sektorin që dikur ishte burimi kryesor i të ardhurave, pasi sot po ka pak të mbjella. Në total për të prodhuar nga perimet e deri tek bimët medicinale mbillen rreth 677 mijë hektarë tokë.
Bazuar në të dhënat e Institutit të Statistikave pesha e bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto po zbehet vit pas viti, nga 20% që ishte pesha e sektorit në prodhimin kombëtar para 1 dekade, ka zbritur në 15%, për shkak se sektori prej vitit 2019 nisi të jepte shenja rënie, ndërsa në 10 tre mujorë bashkë është në rënie të pandalur.
Kriza në sektorin bujqësor është thelluar edhe më shumë në 5-vjeçarin e fundit, dhe për këtë faktorët janë të shumtë, nga financimi i pamjaftueshëm, skema e TVSH-së që favorizon importin, emigrimi i popullsisë nga zonat bujqësore e deri tek puna e fokusuar në makineri të vjetra.
Komente












