Kancelari gjerman Friedrich Merz ka vendosur të thërrasë së shpejti Këshillin Kombëtar të Sigurisë për konsultime mbi krizën energjetike, për shkak të situatës së ndjeshme dhe strategjike të furnizimit me karburantGjermani.

Ai e bëri vetë këtë njoftim, pa dhënë shumë detaje.

“Qëllimi ynë është i qartë: ekonomia gjermane dhe qytetarët duhet të jenë të sigurt që furnizimi me produkte thelbësore, si nafta, benzina dhe karburanti për avionë, të mbetet i garantuar”, deklaroi Merz në Hanover.

Aktualisht situata është “e tensionuar”, por furnizimi vazhdon të jetë i sigurt.

“Nëse situata përkeqësohet, ne jemi të përgatitur të ndërhyjmë.”

Këshilli Kombëtar i Sigurisë është një organ i ri, i krijuar pas ardhjes së Merz në pushtet, dhe merret vetëm me kërcënimet më serioze ndaj vendit ose me kriza sistemike. Deri tani është mbledhur vetëm një herë, në nëntor, për të miratuar një plan veprimi kundër kërcënimeve hibride, sidomos nga Rusia.

“Siguria e furnizimit është prioritet maksimal për Gjermaninë”, theksoi Merz, duke shtuar se për të garantuar stabilitetin do të përdoren “të gjitha mjetet e disponueshme”.

Çmimet e karburantit janë rritur ndjeshëm në Gjermani, si edhe në vende të tjera, duke shtyrë qeverinë të ndërhyjë. Aktualisht çmimet mund të rriten vetëm një herë në ditë, ndërsa po diskutohet ulja e akcizave dhe qeveria duket e gatshme ta bëjë këtë shpejt. Në kufirin me Poloninë janë krijuar radhë të gjata, pasi shumë gjermanë shkojnë të furnizohen atje për shkak të çmimeve pak më të ulëta.

Situata është e ndërlikuar edhe në aeroporte. Kompania ajrore Lufthansa ka njoftuar se është e gatshme të pezullojë fluturimet e shkurtra ndërqytetëse (Cityliner), për të cilat ekziston alternativa e trenit, duke ruajtur karburantin për linjat më të rëndësishme.

Një problem tjetër i madh është se Gjermania ka kuptuar se nuk ka një plan të përditësuar për rezervat e karburantit, as një strategji të qartë se si të veprojë në raste të tilla.

Për këtë arsye, paralelisht me mbledhjen e Këshillit të Sigurisë,  që do ta trajtojë çështjen si emergjencë kombëtare, synohet një bashkëpunim i ngushtë me landerët (rajonet), të cilat në Gjermani kanë kompetenca të gjera.

Kryeministrat rajonalë të partisë SPD i kanë dërguar një letër Merz-it, duke kërkuar një konferencë të jashtëzakonshme me qeverinë federale. Ata theksojnë se, për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit dhe rrezikut të mungesave edhe për mallra të tjera, nevojiten urgjentisht konsultime në nivel të lartë politik për “çështjet themelore të sigurisë energjetike” dhe çmimeve. Ata bëjnë edhe një krahasim me periudhën e pandemisë së COVID-19, kur përgjigjet e koordinuara rezultuan efektive.

Prej disa javësh, shqetësimi për karburantin është bërë problemi kryesor për qeverinë. Sipas një sondazhi të publikuar nga YouGov, 58% e qytetarëve në Gjermani janë të paktën pjesërisht të shqetësuar për një mungesë të mundshme të karburantit për avionë: 17% janë shumë të shqetësuar, ndërsa 41% mesatarisht. Vetëm 32% deklarojnë se ndihen të qetë./CorrieredellaSera