Kompanitë ajrore në Evropë po përgatiten për kufizime në furnizimin me karburant avionësh (kerosen), fillimisht në disa zona të kontinentit që nga mesi i majit. Por, për shkak të pasigurisë mbi furnizimet në javët e ardhshme, disa operatorë po hartojnë plane emergjente edhe për vjeshtën, ndërkohë që Ngushtica e Hormuzit vazhdon të mbetet e mbyllur që nga fundi i shkurtit.

“Nuk kam parë kurrë një situatë të tillë: askush nuk di gjë dhe askush nuk dëshiron të shprehet përtej fundit të muajit,” thotë për Corriere drejtori ekzekutiv i një kompanie ajrore evropiane. “Po përgatitemi për skenarin më të keq” shton ai.

Fundi i karburantit të avionëve

Sipas parashikimeve më pesimiste të analistëve, shtatori shihet si muaji kur rezervat mund të bien në zero, nëse situata nuk përmirësohet. “Kjo nuk do të thotë thjesht që do të anulohen disa fluturime,” shpjegon drejtuesi i operacioneve të një kompanie loë-cost.

“Do të thotë që nuk do të ketë as edhe një pikë karburant avioni për të furnizuar qoftë edhe një avion të vetëm në gjithë kontinentin.” Por përpara se të arrihet në një skenar të tillë, “do të kemi kaluar nëpër anulimin e mijëra nisjeve çdo ditë, pikërisht në kulmin e verës” thotë drejtori

Çfarë thuhet publikisht dhe privatisht

Në publik, kompanitë ajrore përpiqen të qetësojnë pasagjerët dhe investitorët, duke këmbëngulur se nuk kanë mungesa karburanti. Por prapa skenave alarmi ka arritur nivele të ndjeshme, sidomos për shkak të “heshtjes” së disa kompanive të naftës.

Për të kuptuar më mirë situatën, ditët e fundit, Corriere ka folur me rreth dhjetë profesionistë të sektorit,  drejtorë ekzekutivë, shefa operacionesh, drejtorë financiarë dhe drejtues aeroportesh. Ajo që e përkeqëson më tej panoramën është fakti se alternativat për të mbushur boshllëkun e krijuar nga ndalimi i importeve nga Gjiri po shterojnë dhe kontinenti ka filluar tashmë të përdorë rezervat në depo.

Takimet në Bruksel

Konfirmimi vjen nga një takim i dy task-forcave të ngritura pranë Komisionit Evropian. Stoqet tregtare të karburantit për avionë “po pakësohen për shkak të mbylljes së zgjatur të Ngushticës së Hormuzit”, bën të ditur BE-ja në një deklaratë.

Dhe, edhe pse “tregu deri tani e ka përballuar tensionin në furnizim”, Brukseli “duhet të nisë të përgatitet për pasojat e mundshme nëse situata zgjat përtej fundit të majit” dhe, nëse është e nevojshme, të përdorë rezervat emergjente.

Situata e emergjencës

Ekspertët e sektorit shpjegojnë se tashmë jemi në një situatë emergjente. “Shkurtimi i numrit të fluturimeve nuk do të mjaftojë,” thonë disa drejtues.

“Ka kompani që po blejnë karburantin e disponueshëm direkt nga rafineritë,” vazhdon një drejtor ekzekutiv, “një praktikë e pazakontë, sepse zakonisht ndërmjetësojnë agjentët, por tashmë rregullat janë thyer.” “Disa kompani të naftës kanë ndaluar së përgjigjuri pyetjeve tona për disponueshmërinë e kerosenit në muajt në vijim,” thotë një tjetër drejtor ekzekutiv.

Kanalet e furnizimit

“Po i drejtohemi drejtpërdrejt rafinerive, duke u përpjekur të porosisim prej tyre sasi të karburantit për avionë,” thotë një tjetër CEO. “Por në këmbim ata kërkojnë prej nesh detaje mbi planifikimin,  sa karburant na nevojitet dhe kur.”

“Mungesa e karburantit në disa aeroporte në gjysmën e dytë të majit është një skenar që e konsiderojmë të mundshëm,” konfirmon më shumë se një drejtues. Të njëjtët tregojnë se po shtohen gjithnjë e më shumë ndërmjetës që ofrojnë karburant të rafinuar nga Nigeria, “por transportin duhet ta organizojmë vetë — diçka e padëgjuar: ne jemi kompani ajrore, nuk merremi me anije cisternë.”

Stuhia e përkryer

Mbi Evropë po përvijohet ajo që analistët e quajnë “stuhia e përkryer”. Vëmendja tashmë është zhvendosur nga çmimi, i cili mbetet shumë i lartë, te disponueshmëria e karburantit.

Sipas Argus, “tendencat aktuale tregojnë se mungesa e karburantit për avionë mund të shfaqet në aeroportet evropiane që brenda qershorit”. Kompania thekson se “importet e prillit dhe prodhimi i lartë i rafinerive evropiane kanë vonuar ndikimin e humbjes së furnizimeve nga Gjiri i Lindjes së Mesme”. Por furnizimi me kerosen “tani pritet të mjaftojë vetëm deri në gjysmën e dytë të majit, sipas vlerësimeve të kompanive të naftës”.

Amortizatorët janë shteruar

Pavarësisht rritjes së importeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Nigeria, Evropa po arrin të zëvendësojë vetëm rreth gjysmën e furnizimit të humbur nga Gjiri. Një pjesë tjetër ka ardhur këto javë nga anijet cisternë në lundrim. Por Michelle Brouhard, drejtuese e Politikave dhe Rreziqeve Gjeopolitike në Kpler, jep alarmin:

“Tregjet e kanë shteruar amortizatorin e tyre kryesor: produkti i ngarkuar në anijet cisternë nuk është më në gjendje të kompensojë humbjen e furnizimeve nga Lindja e Mesme dhe Kina, ndërkohë që prodhimi i rafinerive ka nisur të bjerë.”

Probleme në disa fronte

Sipas vlerësimeve të dhëna nga George Shaë i Kpler, midis majit dhe korrikut Evropa do të duhet të gjejë diku mbi gjysmë milioni fuçi karburant avionësh në ditë për të përmbushur kërkesën e kompanive ajrore. Në prill, një ndihmë e rëndësishme erdhi nga importet nga Shtetet e Bashkuara dhe Nigeria.

Ndërkohë, karburanti i ngarkuar në anijet cisternë — në qarkullim nëpër botë, ka mbushur boshllëkun e krijuar nga humbja e furnizimeve nga Lindja e Mesme dhe Kina. Por ai “jastëk sigurie tani është pothuajse i shteruar”, thekson Kpler.

Rezervat e karburanti të avionëve në det

Sasia e karburantit që ndodhet në anijet cisternë në det është një tregues shumë i rëndësishëm, sepse ndihmon në vlerësimin e furnizimit të ardhshëm: duke ditur sa kerosen është në transport, mund të parashikohet kur dhe sa do të mbërrijë në portet evropiane.

Aktualisht, Evropa po regjistron nivelet më të ulëta të këtij karburanti në det që nga fillimi i mbajtjes së statistikave të besueshme. Më 30 prill, këto sasi ishin pak më pak se 57 milionë tonë, sipas Kpler. Për të kuptuar rënien e fortë, mjafton të dihet se më 11 prill ishin mbi 650 milionë, ndërsa më 24 prill gati 370 milionë. Sot, teknikisht, konsiderohen të shteruara.

Rezervat po shterojnë

Në të njëjtën kohë, rafineritë po fillojnë të ulin prodhimin, “pasi disponueshmëria e naftës bruto po pakësohet dhe politikat (edhe fiskale) po ngushtojnë marzhet”.

“Sistemi global po humbet njëkohësisht si burimin e tij më fleksibël të furnizimit, ashtu edhe aftësinë për të rindërtuar rezervat”, thuhet në një analizë të Kpler, e cila paralajmëron për “goditjen e katërfishtë ndaj karburantit të avionëve: eksportet nga Lindja e Mesme pothuajse të zeruara, eksportet kineze pothuajse të zeruara, karburanti në anijet cisternë i shteruar dhe prodhimi i rafinerive në rënie”. “Rezerva e furnizimit po thahet nga të gjitha drejtimet.”

Sa ditë kemi?

Në maj, Evropa do të ketë më pak se 46 ditë mbulim me karburant për avionë, në rënie nga 52,2 ditë në prill. “Ky është një nivel tipik në kushte normale, me importe të qëndrueshme dhe aktivitet të rregullt të rafinerive”, theksojnë nga Kpler. “Por ne nuk jemi në kushte normale.”

Dhe në fakt, “numërimi mbrapsht ka filluar. Dhe kjo fazë nuk do të jetë e ngadaltë. Sapo rezervat fillojnë të bien në një sistem që është strukturalisht në deficit, ato priren të shterojnë më shpejt nga sa pritet, sepse nuk mbetet më furnizim fleksibël që të stabilizojë tregun.”

Racionimi i kërkesës

Nën pragun e 20 ditëve, situata konsiderohet emergjente. Kompania e specializuar vlerëson se, nëse kushtet mbeten të njëjta (me Ngushticën e Hormuzit ende të mbyllur në javët në vijim), në shtator Evropa do të ketë më pak se 8 ditë mbulim me kerosen. Në tetor, situata do të kalonte në deficit. Pa furnizime të reja me karburant për avionë, nuk do të kishte as edhe një pikë për t’u ngarkuar në avionë, me pasoja të paprecedenta për sektorin.

“Ndërsa sistemi kalon gjithnjë e më shumë drejt shfrytëzimit të rezervave, përshtatja zhvendoset nga çmimi te disponueshmëria, duke përgatitur terrenin për një shtrëngim të shpejtë dhe për racionim,” shpjegojnë nga Kpler.

Sa zgjasin rezervat

“Çështja nuk është nëse bota do të mbetet pa karburant për avionë,” vazhdojnë analistët. “Pyetja është për sa kohë sistemi do të arrijë ta përthithë goditjen përpara se diçka të prishet.” “Evropa mund të duket ende sikur ka 50 ditë mbulim në letër, por ky numër tashmë po shkëputet nga realiteti.

Jastëkët mbrojtës janë zhdukur, furnizimi mbetet i kufizuar dhe tani janë rezervat që po mbajnë gjithë peshën.” “Ernest Hemingëay shkroi dikur se dështimi vjen ‘gradualisht, pastaj papritur dhe menjëherë’,” thotë Brouhard. “Kështu përshtaten tregjet dhe pikërisht kjo është ajo që po ndodh tani në sektorin e produkteve të rafinuara.”

Kërkesat në Gjermani

Ditët e fundit, sipas të përjavshmes Der Spiegel, në Gjermani shoqatat e sektorit i kanë kërkuar qeverisë të lejojë përdorimin e sistemit të furnizimit me kerosen të NATO-s, i ndërtuar për raste lufte, duke shpjeguar se kompanitë e naftës u garantojnë furnizim “vetëm deri në mesin e majit”.

“Drejtuesit e kompanive të naftës nuk kanë qenë në gjendje të thonë çfarë do të ndodhë më pas.” Disa kompani që menaxhojnë aeroporte i kanë thënë Corriere-s se “nuk kanë asnjë ide” për disponueshmërinë e karburantit për avionë “në javët e ardhshme”. Në dy raste, kanë qenë vetë drejtues të aeroporteve rajonale që i kanë kërkuar këtij mediumi nëse kishte informacione të përditësuara mbi situatën.

Nuk ka procedura standarde

“Edhe vetë Bashkimi Evropian nuk e di saktësisht në çfarë gjendjeje ndodhemi,” akuzojnë disa drejtues të kompanive ajrore dhe të shoqërive që menaxhojnë aeroportet. “Në dallim nga gazi dhe energjia elektrike, tregjet e naftës nuk janë të rregulluara dhe nuk ekziston një procedurë standarde për mbledhjen e të dhënave në një situatë krize si kjo,” shpjegon për Corriere me email Anna-Kaisa Itkonen, zëdhënëse e Komisionit Evropian.

“Gjithashtu vihet re mungesë transparence mbi zhvillimin e rezervave nga operatorët e ndryshëm. Konteksti aktual gjeopolitik i paqëndrueshëm nuk ndihmon, pasi situata ndryshon çdo ditë.”

Përgjigjja e BE-së

Sa i përket rezervave tregtare të karburantit për avionë, “marrim informacione nga kompanitë dhe operatorë të tjerë të rëndësishëm", përgjigjet zëdhënësja.

"Edhe pse nuk janë të detyruar t’i ndajnë këto të dhëna, ata po marrin pjesë në përpjekjen e koordinimit që është në zhvillim. Nuk i takon Komisionit t’i bëjë publike këto informacione: duhet të respektojmë konfidencialitetin tregtar dhe nuk kemi akses në kontratat e furnizimit me karburant" shpjegon ajo.

Skenarët në Bruksel

A po përgatitet Brukseli për më të keqen, me frikën e mungesës së kerosenit, mijëra fluturime të anuluara dhe miliona pasagjerë të bllokuar? “Po hartojmë modele dhe skenarë për çdo eventualitet,” sqaron Anna-Kaisa Itkonen.

“Nuk e dimë sa do të zgjasë kjo krizë, as sa kohë do t’u duhet tregjeve për t’u përshtatur,” pranon ajo. “Në këtë kontekst, koordinimi dhe bashkëpunimi i ngushtë me shtetet anëtare dhe me industrinë janë thelbësore.”/CorrieredellaSera