Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka deklaruar se e ardhmja e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar kështu zgjerimin si një prioritet strategjik për Evropën.

Në fjalimin e tij në Kolegjin e Evropës në Natolin, Poloni, Costa tha se procesi i zgjerimit është i lidhur ngushtë me paqen, sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e demokracisë në kontinent.

Ai theksoi se secili vend kandidat duhet të ecë përpara në bazë të meritës dhe të përmbushjes së kushteve për anëtarësim. Costa përmendi veçanërisht Malin e Zi, i cili synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit, nëse plotëson kushtet.

Duke iu referuar të ardhmes së Evropës, Costa u shpreh se kontinenti duhet të kapë mundësinë për të kapërcyer ndarjet e së kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët.

“Ta bëjmë zgjerimin realitet”, ishte mesazhi i tij.