Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, është shprehur se qeveria po harton një plan për ngritjen e një kompanie shtetërore të tregtimit të karburanteve.

Komentet Ibrahimaj i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se një kompani shtetërore e naftës do të bënte të mundur sigurimin e më shumë rezervave në raste krize dhe mos-abuzimin me çmimin e tregtimit të karburantit.

Ajo tha gjithashtu se Qeveria ka një plan për miratimin e një ligji që do të mundësojë krijimin e një rezerve shtetërore të karburanteve, që do të shërbejë në raste krizash.

“Ne jemi akoma duke hartuar planin për ngritjen e një kompanie të tillë dhe do të dalë me një prezantim të asaj që kjo kompani do të bëjë. Është në planin tonë që përmes këtij instrumenti të bëjmë të mundur edhe një garanci më shumë të transparencës dhe eficencës në treg. Ne edhe në kuadër të procesit të integrimit, do të kemi në plan që të miratojmë një ligj që definon rezervën shtetërore, që do të jetë në pronësi të shtetit për përballimin e krizave. Po studiojmë kush janë modelet më të mira dhe do prezantohen brenda vitit”, tha mes të tjerash Ibrahimaj.


Lajmi kryesor:

Shtrenjtohet nafta/ Kur do kthehet Bordi i Transparencës? Ibrahimaj për Report Tv: Po monitorojmë, në 2022 u aktivizua kur shkoi mbi 220 lekë! I përgjigjet Braçes: S'ka kartel që cakton çmimet