ATHINE- Parlamenti i Athinës i ka dhënë dritën e gjelbër reformave urgjente të vendosura nga Eurogrupi. Votimi zgjati deri në orën 01:00. Me anën e këtij votimi parlamenti ka miratuar projekt-ligjin për miratimin e masave shtrënguese, i cili u është kërkuar nga kreditorët e zonës euro, pavarësisht nga niveli konsiderueshëm për mospajtim nga drejtuesit e partisë së majtë Syriza.

Kanë qenë 229 vota pro, 64 kundër dhe 6 abstenime. Ky ishte bilanci i votimit i cili i dha ‘Ok’ Eurogrupit për të zhvilluar negociatat e tjera të ndihmës së kërkuar.

Projekt-ligji për të imponuar rritjet e taksave dhe shkurtimet e shpenzimeve u miratua me mbështetjen e tre partive të opozitës pro-evropiane.
 
Disa anëtarë të shquar të partisë në pushtet të kryeministrit Aleksis Tsipras 'votuan kundër rekomandimit të tij, përfshirë ministrin e Energjisë Panajotis Lafazanis dhe ish ministrin e financave Yanis Varoufakis.
 
Huadhënësit e eurozonës kërkuan një raund të ri të reformave, gjatë një marrëveshje të arritur këtë javë për ti vendosur Greqisë një program të ri ndihme.

Kundërshtarët e argumentuan këtë fakt se grekët nuk mund të përballen më me reformat pas 6 viteve të recesionit, pasi kanë qënë në varfëri dhe papunësi.


Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)