TIRANE- Në gjithë bursat botërore dje ka mbizotëruar shitja e aksioneve. E panjohura e Greqisë ka shtuar spekulimet për një krizë të re globale, që do të godiste jo vetëm Eurozonën…
 
Pse po kthehet në një “telenovelë” kriza financiare e Greqisë?
Që nga viti 2009 kriza e borxhit grek ka patur disa pika rreziku maksimal. Kjo ndodh kur qeveria ka deklaruar se e kishte të pamundur të plotësonte detyrimet ndaj ndërkombëtarëve për të shlyer borxhet shumë të mëdha, të marra për të dalë nga kjo krizë. Sa herë që ka patur sinjale të tilla, vendet e zonës euro, por edhe vendet kryesore të zhvilluara, kanë pësuar tronditje të mëdha, pasi mendohet që largimi i një vendi nga sistemi euro do të kishte pasoja që ende nuk dihen, sepse nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë.
 
Si paraqitet aktualisht situata?
Sa vjen e po bëhet më evidente pamundësia e Greqisë për të përballuar detyrimet e saj financiare ndaj partnerëve të huaj. Para një jave, ajo shleu gjysmë miliardi euro, por vetë ministri i Financave sapo deklaroi se do të jetë shumë e vështirë të përballohen detyrimet e muajit maj, që janë mbi 1 miliard euro. Kjo ndodh, pasi të ardhurat buxhetore nuk po rriten në masën e parashikuar, duke qenë se qeveria e ekstremit të majtë, nën peshën e premtimeve elektorale, nuk mendon të zbatojë shtrëngimet sociale të paraardhësve që të ulë shpenzimet buxhetore.
 
Pra, duhet të konsiderohet e pashmangshme situata e falimentit?
Qeveria greke synon gjithnjë shtyrjen e pagesave, jo moratoriumin, apo faljen e tyre nga të huajt. Ka propozuar edhe rrugë alternative, të tilla si rritje të investimeve nga jashtë, por jo privatizimet. Nervozizmi i bursave tregon për tendencën e investitorëve botërorë për të besuar më shumë se Greqia do të ngrejë duart.
 
Ç’do të thoshte kjo?
Një tërmet financiar. Kur u krijua monedha unike, nuk u parashikua që një vend të dalë prej saj. Në rast se Greqia do të mbetet pa burime financiare, mund të mendohet, si një situatë ekstreme, që ajo të kthehet në të kaluarën dhe të shtypë sërish dhrahmi. Por kjo nuk do të ishte një gjë e lehtë. Vlera e valutës kombëtare do të ulej shpejt dhe do të pasohej nga një seri problemesh zinxhir.
 
Vende si Gjermania duket se mendojnë ta lenë në duart e fatit Athinën. Është kjo zgjidhja e problemit?
Të mendosh se nuk do të ketë impakt mbi vendet e tjera nga dalja e Greqisë prej Eurozonës, do të ishte sikur të shpresoje se nga plasja e një bombe të mos kishte dëmtime anash saj. Pyetja që shtrohet tani nga ekspertët është: përhapja e krizës do të ishte, në një rast të tillë, e përkohshme dhe e manovrueshme, apo do të godiste themelet e bashkimit të vendeve të Evropës. Për këtë, askush nuk është në gjendje të japë një përgjigje të qartë.
         
Po vetë grekët ç’qendrim mbajnë?
Kryeministri Alexis Tsipras shprehet gjithnjë optimist sa i përket arritjes së marrëveshjes mbi reformat me partnerët ndërkombëtarë brenda këtij muaji. Tsipras pranon haptazi se deri më tani katër janë pikat ku nuk ka marrëveshje dhe që janë ato më thelbësoret: rregullat e punësimit, reforma e pensioneve, privatizimet dhe rritja e TVSH-së. Por, sipas tij, Europa nuk do të pranojë të zgjedhë rrugën imorale dhe atë të shantazhit financiar, por atë të stabilitetit dhe sheshimit të pakënaqësive.
 
Ç’probleme do të kish Shqipëria nga një situatë ekstreme?
Jemi një vend që përdor gjerësisht euron, si i tillë luhatjet e saj krijojnë problem. Së dyti, një krizë më e thellë në vendin fqinj do të sillte në Shqipëri një valë emigrantësh të papunë. Dhe së treti, gjithnjë në situata të tilla rriten tensionet sociale, racizmi, pretendime territoriale ndaj fqinjëve. Ne na leverdis një zgjidhje sa më e shpejtë e kësaj krize.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)