Kriza/ Nisin reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë

Kriza/ Nisin reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë

Termocentralet në Obiliq

Nga e hëna, më 15 gusht, qytetarët e Kosovës do të përballen me reduktime të energjisë elektrike, ka bërë të ditur Kompania Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS). Reduktimet, sipas KEDS-it, do të nisi nga ora 08:00 dhe konsumatorët do të kenë gjashtë orë energji elektrike dhe dy orë reduktime.

“Prej nesër, vendi do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor”, tha KEDS përmes një njoftimi të dërguar në orët e vona të së dielës.

KEDS u arsyetua se vendimi për reduktime është marrë për shkak se nuk ka mundësi financiare për blerjen e energjisë nga jashtë, pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare janë rritur shumë.

Njoftimi për nisjen e reduktimeve vjen pasi më 9 gusht, KEDS kishte kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) të shtrenjtojë tarifat e rrymës. Muajin e kaluar, KEDS kishte paralajmëruar një dimër “shumë të pasigurt” për shkak të krizës energjetike që ka prekur Evropën.

Në njoftimin e 14 gushtit, KEDS tha se për shkak të rritjes së çmimeve të importit, kjo kompani dhe KESCO vitin e kaluar e kishin përmbyllur vitin me mbi 46 milionë euro humbje.

Edhe vitin e kaluar, Kosova është prekur nga kriza energjetike, teksa konsumatorët janë përballur me reduktime dhe shtrenjtim të tarifave. Dy termocentralet në Obiliq, Kosova A dhe B mund të prodhojë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, gjatë dimrit, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë.

Në Kosovë, rreth 94 për qind e energjisë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6 nga burimet e ripërtërishme sikurse hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore./ REL

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:50
Reduktimi i energjisë në Kosovë, PDK: Qeveria dështoi të menaxhojë krizën, nuk ka asnjë plan

Nisur nga vendimi i fundit për reduktimin e energjisë elektrike në Kosovë ka ardhur edhe reagimi nga opozita. Sekretari për marrëdhëniet ndërkombëtare i PDK-së, Bernard Nikaj në një dalje për mediat tha se reduktimi po vjen si paaftësi e qeverisë për të menaxhuar krizën energjetike. Ai tha se kjo situatë ka ardhur për shkak se qeveria nuk ka një plan për zgjidhjen e krizës energjetike.

Sipas Nikajt reduktimi i energjisë ka ardhur si pasojë e dështimit të qeverisë për të menaxhuar Korporatën Energjetike.

“Ja që me 15 gusht të 2022-tës, në mes të verës, qytetarët e Kosovës janë në terr. Prandaj, përgjegjës për këtë situatë, nuk janë punëtorët e KEK-ut. Përgjegjës për këtë situatë, është një faktor tjetër dhe ajo është Qeveria e Kosovës, e cila me qasjen ndaj menaxhimit të KEK-ut, me qasje pa plan, pa guxim dhe pa ide se si ta menaxhojë sektorin energjetik, e ka sjellë punën që ta ringjallë nga harresa kolektive, doktrinën e reduktimit të energjisë elektrike”, tha ai.

PDK e konsideron të pafalshme që qytetarët e Kosovës të mësojnë në mbrëmje se të nesërmen nuk do të ketë energji elektrike dhe që në kushtet optimale të prodhimit të energjisë elektrike të ketë reduktime.

Ora 14:11
Kufizimet e energjisë/ Ministria e Ekonomisë në Kosovë-qytetarëve: Gjeni mënyra të tjera alternative për t’u ngrohur në dimër

Pas njoftimit për kufizime të energjisë elektrike, Ministria e Ekonomisë  së Kosovës, u ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të gjejnë mënyra të tjera alternative për t’u ngrohur në dimër.

“Tutje, Qeveria do të marrë masa për çështjen e ngrohjes gjatë muajve në vijim për të ndihmuar qytetarët. Prandaj, të gjithë qytetarët dhe sipërmarrësit, të cilët janë duke planifikuar të bëjnë investime në sistemet e tyre të ngrohjes, ftohen e rikujtohen që t’i ndërrojnë ato nga energjia elektrike në forma të tjera të burimit të energjisë”, thuhet në njoftim.

K.T./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë