Kriza politike në Kosovë është thelluar pas dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha të hënën se e konsideron këtë vendim të Osmanit jokushtetues dhe për pasojë nuk do të thërrasë seancë derisa të flasë Gjykata Kushtetuese. Për këtë arsye, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pritet ta dërgojë shumë shpejt çështjen në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

“Nëse ka dekret për shpërndarje të Kuvendit, Kuvendi nuk mund ta vazhdojë punën. Nëse Gjykata Kushtetuese do të marrë masë të përkohshme, natyrisht që rrethanat do të ndryshojnë… vendimi i presidentes për të shpërndarë Kuvendin për mua ka qenë befasi, sepse është jokushtetues, është i ngutshëm dhe si i tillë do ta kundërshtoj edhe si kryetare e Kuvendit”, tha Haxhiu

Haxhiu i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese të reagojë sa më shpejt, duke paralajmëruar se situata aktuale mund të sjellë pasoja të pariparueshme në funksionimin e institucioneve.

 “Thërras Gjykatën Kushtetuese, pa dashur që të kuptohet si ndërhyrje, por situatat aktuale janë të tilla që nevojitet vigjilencë, vëmendje, shpejtësi, profesionalizëm nga ana e Gjykatës Kushteutese dhe thërras që të gjithë ta lënë Gjykatën Kushtetuese që ta bëjë punën e saj, sepse jam e bindur që në rrethana të tilla Gjykata mund të vendoset në presione nga kushdo, prandaj është e rëndësishme që ajo ta bëjë punën sa më profesionale dhe sa më shpejt, sepse është e rëndësishme që Kuvendi të vazhdojë punën” tha ajo. 

Presidentja Osmani e prezantoi më 6 mars dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe për dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme, duke arsyetoi vendimin me faktin se se 5 marsi ishte afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri, pasi mandati i saj përfundon më 4 prill dhe deputetët nuk arritën ta kryejnë procesin brenda afateve.

Në seancën e 5 marsit, Vetëvendosje paraqiti dy kandidatë për president – Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën. Seanca u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit, pasi deputetët e opozitës nuk morën pjesë.Opozita i kundërshtoi dy emrat e propozuar nga Vetëvendosje dhe kërkoi ose një marrëveshje politike mes partive, ose një kandidat konsensual. 

Edhe vetë Osmani kishte shprehur synimin për një mandat të dytë, por emri i saj nuk u propozua zyrtarisht dhe nuk kishte mbështetjen e nevojshme politike.

Vetëvendosje thotë se procedurat për zgjedhjen e presidentit i ka nisur më 5 mars dhe se Kushtetuta jep afat 60 ditë për ta përmbyllur këtë proces.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para, ose me 61 vota në rundin e tretë. Megjithatë, që seanca të zhvillohet duhet të jenë të paktën 80 deputetë në sallë.