Zyrtarë të lartë amerikanë dhe iranianë do të takohen sot në Oman për bisedime të drejtpërdrejta, në mes të një krize që ka ngritur frikën e një përplasjeje ushtarake mes dy vendeve.
Diskutimet vijnë pas një grumbullimi të forcave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, në përgjigje të shtypjes së dhunshme nga Irani të protestave mbarëkombëtare kundër qeverisë muajin e kaluar, për të cilat grupet e të drejtave të njeriut thonë se kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve.
Paqartësia rreth vendndodhjes dhe shtrirjes së bisedimeve kishte kërcënuar t’i prishte ato, të cilat janë pjesë e një përpjekjeje diplomatike nga ndërmjetës rajonalë për të ulur tensionet.
Të dy vendet mbeten shumë larg në qëndrimet e tyre. Shpresa është që, nëse kanë sukses, diskutimet mund të çojnë drejt negociatave.
SHBA-të kërkojnë që Irani të ngrijë programin e tij bërthamor dhe të heqë dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar, ka thënë se bisedimet duhet të përfshijnë gjithashtu raketat balistike të Iranit, mbështetjen e vendit për grupet e armatosura rajonale dhe trajtimin e qytetarëve të vet.
Irani, megjithatë, ka deklaruar se diskutimet do të kufizohen vetëm në programin e tij bërthamor, dhe nuk është e qartë nëse këto dallime janë zgjidhur.
Në javët e fundit, presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do të bombardojë Iranin nëse nuk arrihet një marrëveshje. SHBA-ja ka dërguar mijëra trupa dhe atë që Trump e ka përshkruar si një “armatë” në rajon, përfshirë një aeroplanmbajtëse së bashku me anije të tjera luftarake dhe avionë luftarakë.
Irani është zotuar se do t’i përgjigjet çdo sulmi me forcë, duke kërcënuar se do të godasë asetet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe Izraelin.
Delegacioni iranian do të udhëhiqet nga ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, i cili javën e kaluar tha se forcat e armatosura të vendit të tij ishin “me gishtin në këmbëz”, ndërsa SHBA-të do të përfaqësohet nga i dërguari special Steve Witkoff dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner.
Ky do të jetë takimi i parë që përfshin zyrtarë amerikanë dhe iranianë që nga lufta mes Izraelit dhe Iranit qershorin e kaluar, kur SHBA-të bombarduan tre objektet kryesore bërthamore të Iranit.
Irani thotë se aktiviteti i pasurimit të uraniumit u ndal pas sulmeve.
Për udhëheqësit iranianë nën presion, bisedimet mund të jenë shansi i fundit për të shmangur një veprim ushtarak amerikan që mund ta destabilizojë edhe më tej regjimin, i cili, sipas analistëve, ndodhet në pozicionin e tij më të dobët që nga ardhja në pushtet pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Kërcënimet e Trumpit erdhën në një kohë kur forcat e sigurisë iraniane shtypën brutalisht demonstrata masive, të nxitura nga thellimi i krizës ekonomike, ku protestuesit kërkonin fundin e Republikës Islamike.
Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut, një grup me seli në Uashington, tha se kishte konfirmuar të paktën 6.883 vdekje, duke paralajmëruar se numri mund të jetë shumë më i lartë, dhe se më shumë se 50.000 persona ishin arrestuar.
Kriza aktuale ka rikthyer në qendër të diskutimeve çështjen e programit bërthamor të Iranit, i cili ka qenë në zemër të një mosmarrëveshjeje të gjatë me perëndimin.
Për dekada, Irani ka thënë se programi i tij ka qëllime paqësore, ndërsa SHBA-të dhe Izraeli e kanë akuzuar se është pjesë e një përpjekjeje për të zhvilluar një armë.
Irani thotë se ka të drejtë të pasurojë uranium në territorin e vet dhe ka hedhur poshtë thirrjet që rezervat e tij të uraniumit shumë të pasuruar – 400 kg të transferohen në një vend të tretë.
Zyrtarët kanë lënë të kuptohet se janë të hapur për lëshime, të cilat mund të përfshijnë krijimin e një konsorciumi rajonal për pasurimin e uraniumit, siç u propozua gjatë bisedimeve me SHBA-të që u shembën kur Izraeli nisi luftën e tij të papritur vitin e kaluar.
Në të njëjtën kohë, Irani thotë se kërkesat për të kufizuar programin e raketave balistike të vendit dhe për t’i dhënë fund mbështetjes për aleatët në rajon, një aleancë që Teherani e quan “Boshti i Rezistencës”, që përfshin Hamasin në Gaza, milicitë në Irak, Hezbollahun në Liban dhe Huthit në Jemen, janë të papranueshme dhe shkelje e sovranitetit të tij.
Të martën, presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se i kishte kërkuar Araghchit të “ndjekë negociata të drejta dhe të barabarta” me SHBA-të, “me kusht që të ekzistojë një mjedis i përshtatshëm”.
Në çdo rast, Irani pritet të kërkojë heqjen e sanksioneve që kanë gjymtuar ekonominë e tij. Kundërshtarët e regjimit thonë se çdo lehtësim do t’u jepte sundimtarëve klerikë një litar shpëtimi.
Për SHBA-të, takimi, në varësi të rezultatit të tij, mund t’i ofrojë Trumpit një rrugëdalje nga kërcënimet e tij ushtarake.
Vendet e rajonit janë të shqetësuara se një goditje amerikane mund të çojë në një konflikt më të gjerë ose në kaos afatgjatë në Iran, dhe kanë paralajmëruar se vetëm fuqia ajrore nuk do të jetë në gjendje të rrëzojë udhëheqjen iraniane.
I pyetur nëse udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei, duhet të shqetësohet, Trump i tha NBC News të mërkurën: “Do të thosha se ai duhet të jetë shumë i shqetësuar. Po, duhet të jetë.”
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se diskutimet do të duhet të shkojnë përtej çështjes bërthamore që të arrihet “diçka domethënëse”.
“Nuk jam i sigurt se mund të arrihet një marrëveshje me këta njerëz, por do të përpiqemi ta zbulojmë. Nuk shohim asnjë dëm në përpjekjen për të kuptuar nëse ka diçka që mund të bëhet,” tha ai.
Bisedimet, fillimisht të planifikuara të mbaheshin në Stamboll, janë një përpjekje e udhëhequr nga Egjipti, Turqia dhe Katari për të zbutur tensionet.
Irani, megjithatë, kërkoi në minutën e fundit që vendndodhja e takimit të ndryshohej në Oman, i cili kishte pritur diskutime vitin e kaluar, dhe që ai të kufizohej vetëm te zyrtarët iranianë dhe amerikanë.
Komente








