Gazetari i Corriere della Sera, Leonard Berberi, është shprehur se ka një krizë për karburant në disa nga aeroportet italiane, kryesisht në Brindisi, për shkak të luftës në Iran dhe bllokimit të Ngushticës së Hormuzit.
Në emisionin ‘Bota Report’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Berberi tha se kjo nuk do të thotë se s’do të ketë më fluturime nga Brindisi, por sipas tij, avionët që fluturojnë nga Tirana apo aeroporte të tjera drejt Brindisit, duhet të jenë të pajisur me karburant të nevojshëm edhe për kthim.
Berberi sqaroi se nëse Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur edhe pas datës 9 prill, kjo do të sillte një krizë edhe më të madhe të fluturimeve në Europë.
Kjo sipas tij, do ta detyronte Europën që të ndërmerrte masa njësoj si masat anti-Covid. Berberi tha se nëse Ngushtica e Hormuzit do të mbetej e mbyllur edhe për një muaj, atëherë Komisioni Europian mund të kërkonte pezullimin e rregullave për mbrojtjen e konsumatorit (për rimbursimin e biletave), rrallim të fluturimeve dhe shtrenjtimin me 20-30% të biletave të udhëtimeve me avion.
Teksa e konsideroi krizën e shkaktuar nga lufta në Iran për naftën, si më problematike se kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, Berberi shtoi se mund të na presë një verë ‘stresuese’.
Denis Minga: Çdo të thotë se aeroporti i Brindisit nuk ka më karburant?
Leonard Berberi: Jo nuk do të thotë se s’do të ketë më fluturime nga Brindizi. Nuk jemi akoma në këtë situatë. Por do të thotë se të gjithë aeroplanët që mbërrijnë në Brindizi duhet të arrijnë me një sasi karburanti që është e mjaftueshme për fluturimin nga Brindizi deri në destinacionin tjetër. Pra me pak fjalë, nuk mund të furnizohet asnjë kompani ajrore, asnjë aeroplan në Brindizi, sepse nuk ka karburant. Faktikisht karburant ka, por është një sasi karburanti që i dedikohet fluturimeve speciale, si fluturime shëndetësore apo fluturime urgjente. Pra është sipas ligjit që kufizohet karburanti. Mesa kuptojmë nga burimet tona lokale në Brindizi, kjo është edhe si konsekuencë e faktit që në disa aeroporte të tjera italiane nuk mund të bëhet një furnizim për më shumë se 2000 litra karburant. 2000 litra janë afërsisht 50 minuta apo një orë autonomi fluturimi. Dhe kjo çon nën presion edhe aeroporte të tjera, ku ndoshta karburant ka.
Denis Minga: Në një fluturim Tiranë-Brindisi, avioni që niset nga Tirana duhet ta ketë karburantin edhe për t’u kthyer?
Leonard Berberi: Saktësisht po, i njëjti aeroplan duhet të ketë një sasi karburanti që i mjafton jo vetëm për fluturimin mes Tiranës dhe Brindisit, por edhe midis Brindisit edhe Tiranës. Kjo do të thotë se edhe një aeroplan më i rëndë, ndoshta në disa raste (nuk është rasti i Shqipërisë, sepse udhëtimet mes Shqipërisë dhe Italisë janë më të shkurtra) ku udhëtimet janë më të gjata, me një sasi karburanti më të madh, disa sedile të aeroplanit do të bllokohen sepse duhet një aeroplan më i lehtë.
Denis Minga: Mund të paraqitet kjo situatë edhe në aeroporte që kanë një lloj frekuence më të shpeshtë me Shqipërinë, si përshembull aeroporti i dytë i Romës, apo aeroportet në Milano dhe Verona apo Piza. Pra këto që janë linjat mjaft të shpeshta të frekuentuara nga shqiptarët?
Leonard Berberi: Deri tani situata është nën kontroll. Nuk diskutohet që deri të paktën në 20-25 prill situata me karburant mjafton në këto aeroporte. Në Milano përshembull ne kemi probleme në aeroportin e Milano Linates, por nuk ka fluturime direkte nga ky aeroport për në Shqipëri. Dy aeroporte të tjera të Milanos, ai i Bergamos dhe Malpensës, deri tani nuk kanë një situatë delikate dhe kështu karburanti është... Në aeroportin e Venecias janë vënë disa kufizime, në aeroportin e Trevisës ku ka disa fluturime mes Venetos dhe Shqipërisë, në Peskara ka vetëm një cisternë që është në dispozicion të kompanive ajrore. Do të shohim në ditët në vijim se si do të jetë situata.
Denis Minga: Ka një shqetësim edhe në Shqipëri, por ata që kanë prenotuar udhëtimet, çfarë ndodh nëse kriza zgjatet? Sepse kam dëgjuar një lajm që nëse kriza do të zgjatet, Komisioni Europian do të ndërhyjë për t’u dhënë të drejtë kompanive edhe për të mos rimbursuar biletat që mund të mos përdoren. Cila është narrativa që komentohet edhe në median tuaj?
Leonard Berberi: Ne kemi një problem këtu në BE. Anija çisternë e fundit me karburant për avionët që është nisur në fund të shkurtit nga Gjiri Persik, me destinacion Europën, arrin në datën 9 prill. Pas datës 9 prill ne nuk do të kemi më karburant për avionët që mbërrin nga Gjiri Persik. Kjo do të thotë se do të fillojë avash avash pas datës 9 prill një konsumim i ngadaltë i të gjithë depozitave që ne kemi për aviacionin. Dhe pastaj do të merret karburant te rezervat strategjike të shteteve. Po bëhen disa llogaritje dhe analiza se cili do të jetë impakti nëse Gjiri Persik vijon të jetë i bllokuar edhe për një muaj tjetër. Nuk diskutohet që BE, si për vaksinat kundër Covid-19 do të ndërhyjë në njëfarë mënyre. Ka disa plane, po diskutohet mbi disa skenarë. Një nga skenarët e parë është ai i limitimit të fluturimeve të aviacionit privat, por edhe një pezullim i rregullave për mbrojtjen e konsumatorit, pra të pasagjerëve, kur kompanitë ajrore nuk do të kenë karburantin që i duhet për të fluturuar. Pra po diskutohen disa skenarë, por nuk jemi akoma në ato situata. Të paktën sipas burimeve të Komisionit Europian, nuk diskutohet që nëse Gjiri vijon të qëndrojë i bllokuar edhe në fillim të majit, do të diskutojmë sërish dhe skenarët mund të jenë edhe më dramatikë se të sotmet.
Denis Minga: A ka lufta në Iran pasoja më të rënda për naftën krahasuar me luftën Rusi-Ukrainë?
Leonard Berberi: Pasojat e kësaj luftë për naftën janë më të rënda se të asaj në Ukrainë. Do të jenë akoma më të rënda në muajt në vijim. Ne duhet të llogarisim që çdo anije çisternë që niset nga Gjiri Persik për në Europë, i duhet të paktën një muaj e gjysmë për të mbërritur në Europë. Pra ne kemi më shumë se një muaj që është bllokuar Gjiri Persik dhe kur të hapet, e para anije nga Gjiri Persik i hapur do të vijë pas një muaj e gjysmë. Ne mund të kemi një verë shumë të stresuar nga ana e disponimit të karburantit për aviacionin civil dhe do të shohim në shtator-tetor kush do të jenë konsekuencat. Me siguri biletat e avionit do të rriten 20-30%.
Komente










Cdo gje eshte e planifikuar. Njerzit flen gjume dhe lejojne te ndodhin keto pislleqe ne kurizin tone.
Përgjigju