Studentë nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Kroacia dhe Maqedonia zhvilluan një takim informal në ambasadën shqiptare të Zagrebit
Përgatiti: Klevis Gjoni, intern në ambasadën shqiptare në Zagreb
Zagreb, 19 Qershor /ATSH/- "Në Serbi ekzistojnë shumë steriotipe për rajonin, por takime të tilla të bëjnë të kuptosh se në të vërtetë jemi shumë më të ngjashëm se sa besojmë".
Ky ishte përfundimi i Nebojsa Vilotiç, studentit i arkitekturës nga Novi Sadi, pas takimit të së enjtes, ku 20 studentë nga vendet e Ballkanit Perëndimor "u bashkuan në diversitet" në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Zagreb, ambasadë që të paktën për një ditë u shndërrua në një përfaqësi për të gjithë Ballkanin.
Për studentët nga Serbia, Kroacia, Bosnja-Hercegovia dhe Maqedonia takimi ishte një mundësi e mirë për t'u njohur me historinë dhe mundësitë e studimeve që ofron Shqipëria, por njëkohësisht edhe për t'u shoqëruar me studentët nga të gjithë trevat shqiptare. Një aktivitet i tillë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë vijon pas dy takimeve historike midis Kryeministrave Rama-Vuçiç dhe vetëm një muaj pasi Ministrat e Jashtëm të vendeve të rajonit firmosën në Tiranë një deklaratë për intensifikimin e shkëmbimeve midis të rinjve.
Në marrëveshjen e nënshkruar, ngritja e strukturave të përbashkëta rinore, promovimi i shkëmbimeve studentore, zhvillimi i aktiviteteve kulturore me gjithpërfshirje rajonale dhe njohja më e mirë e vendeve fqinje konsiderohen si thelbësore për tejkalimin e paragjykimeve e për inkurajimin e tolerancës ndëretnike. Një qasje e re europiane për të ardhmen e Ballkanit nisi me Procesin e Berlinit në 2014-n. Në nismën e inicuar nga Gjermania dhe drejtuar këtë vit nga Austria, Kancelarja Merkel konsideroi mungesën e bashkëpunimit rajonal si "hallkën e munguar", në rrugën e përbashkët të gjashtë vendeve të rajonit drejt Bashkimit Europian.
Për Bashkimin Europian, në hapësirën gjeografikisht të vogël të Ballkanit Perëndimor zhvillimi i projekteve të përbashkëta ekonomike, politike dhe kulturore do të mungojë një integrim shumë më të shpejtë të të gjithë rajonit.
Duke iu referuar shembullit të pajtimit franko-gjerman, ambasadori Ilir Melo theksoi se, i përket të rinjve që të ndërrojnë faqe dhe të punojnë për një të ardhme më të mirë në të gjithë rajonin. "Në një takim në Sarajevë, një ambassador perëndimor më tha se duket sikur në këtë pjesë të botës njerëzit punojnë më shumë për një të shkuar më të mirë, se sa për një të ardhme më të mirë. Të rinjtë janë ata që duke bashkëpunuar midis tyre dhe me një vizion dhe gjykim të ri për mitet e historitë e të shkuarës do të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët në familjen e kombeve europiane", tha Melo.
Pak më shumë se 50 vjet më parë, Franca dhe Gjermania nisën një proces historik pajtimi, pas një shekulli e gjysmë luftë të nisur me pushtimet e Napoleonit dhe të kulminuar me Luftën e Dytë Botërore. Rrugëtimi drejt këtij afrimi i shndërruar sot në boshtin kryesor të Bashkimit Europian nisi pikërisht studentët. Në marrëveshjen për miqësinë, të firmosur në vitin 1963 në Elize nga Presidentët Charles des Gaulles dhe Konrad Adenanuer, një prej pikave kryesore ishte themelimi i shoqatës së Franko-Gjermane të të rinjve.
Në gjysmë shekulli ekzistencë, më shumë se 8 milionë studentë kanë marrë pjesë në shkëmbime studentore, seminare apo intershipe të organizuara nga kjo organizatë. Vetëm në 2013-n, 61 mijë studentë nga të dyja vendet morën pjesë në programe të shkëmbimeve studentore në të dy vendet përkatëse. 320 mijë gjermanë dhe pothuajse 300 mijë francezë punojnë sot përkatësisht përtej kufirit.
Në Ballkan, shkëmbimet studentore mbeten ende në një nivel të ulët, por marrëveshja e firmosur në maj në Tiranë nga Ministrat e Jashtëm të vendeve të Europës Juglindore përbën një fillesë shpresëdhënëse për rritjen e shkëmbimeve, jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në kulturë e sigurisht tregëti. Marrëveshja është edhe më kuptimplotë, duke qenë se u firmos në vitin e parë, të një shekulli të ri që ka nisur në paqe për Ballkanin. Nga atentati ndaj Princ Ferdinandit, trashëgimtarit të fronit Austro-Hungarez në Sarajevë në 1914 e deri në 2014, për 100 vjet Ballkani u shndërrua në sinonim të konflikteve, luftrave dhe tensioneve të përhershme ndëretnike.
Dy vizitat e kryeministrit Rama dhe atij Vuçiç, në brenda pak muaj në Beograd dhe Tiranë, kanë vendosur gurin e themelit për ndërtimin e një boshti paqeje në Ballkan. Të dy kryeministrat, në deklaratat e tyre theksuan se kjo paqe që sot gëzojmë nuk duhet të merret si e mirëqënë dhe se thellimi i marrëdhënieve rajonale është i domosdoshëm në një moment të historisë ku as Ballkani nuk mund të bëjë pa Europën, por ku as Europa nga ana e saj nuk mund të bëjë pa një pjesë thelbësore të trupit të saj.
Njëri nga pjesëmarrësit në takim, Danijal Sahinoviç. i cili për shkak të luftës në Bosnje e Hercegovinë u detyrua të kalonte katër vjet të fëmijërisë së tij "pothuajse gjithë kohën në një bodrum për t'i shpëtuar bombave", e njeh mbase më mirë se kushdo rëndësinë e këtyre takimeve: "Ne në Bosnje e dimë më mirë se kushdo se sa e lehtë është të marrësh armët dhe të shkatërrosh bashkëjetesën dhjetëra-vjeçare. Fqinj që jetuan me hallet dhe gëzimet e njëri-tjetrit, brenda një dite nisën të vriteshin ndërmjet tyre në vitet 1990 për arsyen e vetme sepse tjetri ishte serb, kroat apo boshnjak. Urrejtja do të krijojë përsëri luftë, është provuar dhe riprovuar gjithmonë në histori. Njohja e njëri-tjetrit, takime të tilla, më shumë se gjithçka tjetër janë ato që do të garantojnë që ne dhe fëmijët tanë të mos përsërisim kurrë më gabimet e paraardhësve tanë". /a.ke/








