Në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u zhvillua sot ceremonia e promovimit të librit “Laver Bariu, ustai i fundit” të akademikut Vasil S. Tole, botim i shtëpisë botuese “Onufri”.

Aktiviteti, i konceptuar si një takim miqsh me figurën e Usta Laverit dhe trashëgiminë e tij muzikore, mblodhi personalitete të botës akademike, përfaqësues të institucioneve kulturore dhe dashamirës të muzikës popullore.

Veprimtaria u moderua nga z. Andreas Dushi, drejtor i Qendrës së Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, i cili vlerësoi përmbajtjen e veprës dhe metodologjinë e saj të kujdesshme.

Në fjalën e tij përshëndetëse, akad. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore e Albanologjike në Akademinë e Shkencave, vlerësoi botimin e akademikut Vasil S. Tole si një ndërmarrje serioze shkencore dhe një akt të rëndësishëm kujtese kulturore.

Ai theksoi se libri “Laver Bariu – ustai i fundit” nuk është thjesht një monografi, por një rrëfim i shumëzëshëm ku ndërthuren historia, përvoja artistike dhe dëshmia njerëzore, duke sjellë një portret të gjallë të mjeshtrit të sazeve të Përmetit.

Akad. Hoxha vuri në dukje se vepra e Usta Laverit është pjesë e një tradite të gjallë, të ripërmasuar nga individualiteti i tij krijues, e cila ka marrë vlerësim ndërkombëtar nga UNESCO si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”. Ai e cilësoi librin si një kontribut të vyer për studimet mbi iso-polifoninë shqiptare dhe një model metodologjik që ndërton portretin e artistit përmes kujtimeve, analizave dhe dëshmive të bashkëkohësve.

Në përfundim, akad. Hoxha theksoi se muzika e Laver Bariut nuk ka një fund, por mbetet pjesë e trashëgimisë së gjallë dhe identitetit kulturor kolektiv. Ai vlerësoi autorin Vasil S. Tole për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në dokumentimin dhe promovimin e muzikës tradicionale shqiptare, duke e cilësuar këtë botim si një akt studimi, kujtese dhe përgjegjësie ndaj identitetit kulturor të vendit.

Botuesi Bujar Hudhri solli perspektivën e shtëpisë botuese Onufri lidhur me botimin e veprës dhe theksoi mënyrën e veçantë se si autori ka studiuar personalitetin artistik të Laver Bariut, duke e vendosur në piedestal si figurë emblemë të kulturës shqiptare.

Një përshëndetje e veçantë erdhi edhe nga kryetarja e Bashkisë së Përmetit, znj. Alma Hoxha, e cila e cilësoi Laver Bariun si njeriun që e ktheu klarinetën në zë të shpirtit shqiptar, duke e bërë figurë emblematike të qytetit dhe të traditës muzikore.

Programi u pasurua me interpretimin e “Kaba me bakllama” nga Fatmir Lela, si dhe me përshëndetjet muzikore të sazeve të Përmetit.

Në vijim të këtij takimi, prof. dr. Artan Shkreli solli reflektime mbi dimensionin kulturor e muzikor të veprës, duke vlerësuar kontributin e autorit në trashëgiminë kulturore.

Prof. asoc. Mikaela Minga e analizoi librin edhe nga perspektiva e kompozitorit, duke e cilësuar si themel të domosdoshëm për etnomuzikologjinë dhe për vendosjen e Laver Bariut në qendër të muzikës me saze.

Autori akad. Vasil S. Tole ndau me të pranishmit rrugëtimin në hartimin e librit, duke theksuar se ky botim është njëherazi libri i sazeve dhe i muzikës popullore qytetare të Shqipërisë së Jugut. Ai shpjegoi se teksti prej 450 faqesh përfshin fotografi, transkriptimet, bibliografi specifike dhe QR Code me ilustrime të trashëgimisë muzikore të Usta Laverit. Në fund, autori falënderoi botuesin, redaktorët dhe organizatorët e veprimtarisë.

Ceremonia u mbyll me falënderimet e familjarëve të Usta Laverit, të cilët shprehën mirënjohjen për nderimin e figurës së tij dhe përkushtimin e autorit në ruajtjen e kujtesës kulturore.