ZAGREB, 24 dhjetor /ATSH-HINA/ - Rreth 22 000 vëzhgues do të ndjekin zgjedhjet presidenciale në Kroaci, që zhvillohen më 28 dhjetor.
Duke marrë parasysh se për zgjedhjet janë caktuar 6 350 vendvotime, del se në çdo vend mesatarisht do të ketë nga tre vëzhgues e gjysmë.
Pesë organizata joqeveritare do të kenë 794 vëzhgues, ndërsa të tjerët janë nga partitë politike, të cilët përkrahin kandidatët presidencialë - Ivo Josipoviç (SDP), Kolinda Grabar-Kitaroviç (HDZ), Milan Kujunxhiç (Lidhja e kroatëve) dhe Ivan Vilibor Sinçiç (Muri i gjallë).
"Vëzhguesit janë të mirëseardhur, besojmë se prania e tyre do t'i përgënjeshtrojë pohimet e pabaza për grabitje votash", deklaroi Komisioni Shtetëror Zgjedhor kroat, i cili të dielën për herë të parë do të jetë edhe vetë objekt i vëzhgimit.
Në këto zgjedhje marrin pjesë rreth 3,8 milionë votues./ a.jor.