Kroacia mbyll pikat kufitare me Serbinë për shkak të fluksit të madh të refugjatëve. Zyrtarë të qeverisë thanë se ky vendim ekstrem u mor për shkak se nuk kishte rrugëdalje tjetër.

Që kur Hungaria vendosi kontrollet në pikat kufitare me Serbinë, në Kroaci kanë hyrë më shumë se 11 mijë emigrantë. Sipas BBC shumë refugjatë po planifikojnë të kalojnë kufirin drejt fqinjëve të Sllovenisë me distinacionin final Austrinë dhe Gjermaninë.

 “Situata e emigrantëve është e papërballueshme. Të gjitha pikat kufitare që lidh Kroacinë me Serbinë  janë mbyllur, përveç rrugës kryesore që lidh Beogradin dhe Zagrebin, në pikën kufitare të Bajakovo” – thuhet në deklaratën e qeverisë kroate.

Sllovenia ka pezulluar linjën hekurudhore me Kroacinë pasi vetëm ditët e fundit kanë hyrë 150 refugjatë. Numri i madh i emigrantëve ka krijuar një krizë politike në vendet e Bashkimit Europian.

Redaksia Online
(o.m/Shqiptarja.com)