Rreth 3000 shqiptarëve që punojnë në Kroaci së shpejti do t’u njihen vitet e punës dhe kontributet shoqërore për pension. Lajmin e ka dhënë Kryeministri Rama i cili ka shkruar në Facebook se ka përfunduar faza e parë e bisedimeve.

 “Shqipëria dhe Kroacia përfunduan raundin e parë të negociatave për marrëveshjen e sigurimeve shoqërore.  Pas përfundimit të procesit teknik do të ndiqen të gjitha procedurat për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Rreth 3 mijë shqiptarë që punojnë në këtë vend do të përfitojnë nga njohja e viteve të punës”, shkruan Rama.

Kujtojmë se edhe mes Shqipërisë dhe Zvicrës pritet që të miratohet se shpejti marrëveshja për njohjen e sigurimeve shoqërore, kjo pasi pak javë më parë kaloi për miratim në parlamentin e Zvicrës.  Në kuadër të marrëveshjeve për Sigurimet Shoqërore, Shqipëria ka përfunduar rreth një muaj më parë negocimin teknik të marrëveshjeve me pensionet me Italinë. Marrëveshja për njohjen e viteve të punës i vjen në ndihmë 500 mijë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali.

Qeveria shqiptare po intensifikon bashkëpunimin edhe me Greqinë për të bërë të mundur nisjen e negociatave për njohjen e pensioneve. Në fillim të këtij muaji nisën bisedimet në nivel ekspertësh është një hap tepër pozitiv në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe një ogur i mirë për arritjen e marrëveshjes në fushën e pensioneve, e cila do të materializonte parimin e mbrojtjes sociale për çdo qytetar i cili ka kontribuar aktivisht në ekonomitë e të dy vendeve. Ndërsa nga 1 gushti ka nisur zbatimi i marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Kanadanë. Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj bën me dije se rreth 30-40 mijë shqiptarë të cilët jetojnë dhe punojnë në Kanada pritet të përfitojnë.