Shqipëria dhe Italia sapo kanë përfunduar negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet. Marrëveshja për njohjen e viteve të punës i vjen në ndihmë 500 mijë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali. Këtë e bëri të ditur kryeministri Edi Rama duke thënë se do të ndiqen procedurat për ratifikimin e kësaj marrëveshje. Gjatë vizitës në Itali më 17 nëntor, kryeministri Edi Rama zbuloi se kishte kërkuar që të përshpejtoheshin procedurat për njohjen e pensioneve të shqiptarëve.

“Lajm i mirë. Shqipëria dhe Italia sapo kanë përfunduar negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet. Pas përfundimit të procesit teknik do të ndiqen procedurat për ratifikimin e kësaj marrëveshje dhe më në fund, pas një përpjekje të gjatë e thuajse të pamundur, rreth 500 mijë shqiptarë pritet të përfitojnë me hyrjen e saj në fuqi”, tha Rama.

Për këtë ngjarje të rëndësishme për emigrantët reagoi edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila thotë se marrëveshja realizon njohjen reciproke të kontributeve e përfitimeve të pensioneve.“Ratifikimi i saj”-, thotë Nikolla, do të jetë ndër prioritetet e sesionit të ri parlamentar.

Italia ka nënshkruar marrëveshje të tillë me disa vende tashmë si me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Argjentinën, Tunizinë, Bosnjën, Izraelin, etj. Prej datës 25 deri më 27 korrik do të jetë në një vizitë në Tiranë, Senatori Tommaso Nannicini, Kryetar i Komisionit parlamentar për kontrollin e veprimtarive të institucioneve që menaxhojnë format e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe asistencës sociale, i cili do të kryesojë Delegacionin e përbërë nga Përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe të Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore.

Delegacioni do të kryejë vizitën në Tiranë për negociatat me palën shqiptare marrëveshjen mbi njohjen e sistemeve të pensioneve dhe të sigurimeve shoqërore ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, me qëllim arritjen e bashkimit të kontributeve shoqërore për ata shtetas që kanë punuar në të dy Vendet. Gjatë vizitës Delegacioni do të zhvillojë takime me Zëvendës Ministren e Financave, Olta Manjani, si edhe me ekspertë teknikë në fushën e legjislacionit dhe të marrëveshjeve mbi sigurimet shoqërore.

Konferenca për Shtyp lidhur me komunikimin e rezultateve të arritura gjatë takimit të parë të negociatave do të mbahet pranë Rezidencës së Italisë në datën 27 korrik në orën 12.30. Do të mbajë fjalën Ambasadori i Italisë, Fabrizio Bucci, Senatori Tommaso Nannicini dhe Geri Ballo, Nismëtare e peticionit “Pensioni është një e drejtë. Mbështesim marrëveshjen Itali-Shqipëri”.

Vitet e Punës

Për të përfituar pension, si për personat që jetojnë në Shqipëri, ashtu edhe për ata që jetojnë jashtë vendit tonë, duhen minimalisht 15 vite pune të siguruar, ndërsa për të përfituar pension të plotë pleqërie duhen 36 vite e 8 muaj punë e siguruar. Të gjitha vitet e punës që njihen si vjetërsi pune për efekt pensioni, llogariten që nga mosha 16 vjeç, si për burrat ashtu edhe për gratë dhe pavarësisht sektorëve ku kanë punuar. Personat të cilët i afrohen moshës së daljes në pension, por që nuk kanë minimumin e nevojshëm të vjetërsisë së punës prej 15 vitesh, nuk përfitojnë pension në vendin tonë.

Para se emigrantët shqiptarë që punojnë jashtë të plotësojnë moshën e caktuar për të dalë në pension, këta persona duhet patjetër që të interesohen pranë Agjencive të Sigurimeve Shoqërore ose personalisht, ose me anë të familjarëve të tyre që jetojnë në Shqipëri. Punonjësit e Agjencive të Sigurimeve Shoqërore, në bazë të dokumenteve të rregullta ligjore, do të bëjnë llogaritjen e viteve të punës.

Një kusht tjetër është edhe e drejta që ka çdo person për të paguar kontributet vullnetare të sigurimeve shoqërore, me qëllim që të plotësojë numrin e nevojshëm të viteve të punës që duhen për të përfituar pension në vendin tonë. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:52
Përfundon negocimi teknik i marrëveshjes për njohjen e pensioneve në Itali, Rama: Do përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë

1658585348_Sequence03.00274313.Still035.jpg

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për jmarrëveshjen e njohjes së pensioneve nga Shqipëria dhe Italia duke thënë se pas përfundimit të procesit teknik, nga kjo marrëveshje do të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë.

“Shqipëria dhe Italia sapo kanë përfunduar negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet. Pas përfundimit të procesit teknik do të ndiqen procedurat për ratifikimin e kësaj marrëveshje dhe më në fund, pas një përpjekje të gjatë e thuajse të pamundur, rreth 500 mijë shqiptarë pritet të përfitojnë me hyrjen e saj në fuqi”, tha Rama.