Në qytetin bregdetar të Sarandës ka mbërritur një ditë më parë kroçera “MS Oosterdam” , me 1,867 pasagjerë në bord. Lajmin e bëri të ditur Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja përmes një postimi në rrjetet sociale.
Turistët e ardhur nga vende të ndryshme të botës kanë vizituar destinacionet turistike dhe kulturore në Sarandë dhe zonat përreth, duke kontribuar në gjallërimin e aktivitetit ekonomik dhe turistik të qytetit.
Mbërritja e kësaj kroçere konfirmon interesin në rritje të vizitorëve të huaj për rivierën shqiptare, ku Saranda vijon të mbetet një nga destinacionet kryesore.
“Saranda mirëpret një tjetër gjigand të turizmit detar! Kroçera “MS Oosterdam” solli sot në qytetin bregdetar 1867 vizitorë nga e gjithë bota.
Nga mrekullia natyrore e Syrit të Kaltër, te pasuritë historike kulturore të Butrintit e Finiqit, e deri te ujërat kristal të Ksamilit, Saranda vazhdon të mahnisë çdo turist që prek brigjet e saj”, shkruan Gonxhja në rrjetet sociale.
Komente











