Kromi i bllokuar, Tahiri: Task Force 
kundër kontrabandës së kromit

Kromi i bllokuar, Tahiri: Task Force <br />kundër kontrabandës së kromit
LEZHË - Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi ishin sot në Lezhë pas aksionit të bllokimit të 19 kamionëve me krom dhe inerte.

Ata kanë pasur një takim me drejtorët e policisë së qarqeve Dibër dhe Lezhë dhe shefat e komisariateve Bulqizë dhe Peshkopi. Në takimin që zgjati rreth 2 orë me dyer të mbyllura mësohet të jetë diskutuar për luftën kundër trafiqeve, si dhe mbi intesifikimin e kontrolleve në të gjitha pikënyjet e qarkut.

Nga burime brenda mbledhjes mësohet që pas falenderimit për punën e bërë, ministri Tahiri ka kërkuar një angazhim gjithnjë më të madhe për të luftuar krimin ndaj çdo vepre penale.

Të njëjtat burime citojnë që ministri Tahiri ka urdhëruar për ngritjen e një Task-Force për ndalimin e kontrabandës së kromit, ndërsa do vazhdojnë hetimet ndaj abuzuesve mbi këtë fenomen.

Kjo do të parashikojë forcimin e kontrolleve si në akset rrugore kombëtare ashtu edhe në pjesë të tjera të territorit ku mund të zhvillohet kjo veprimtari e paligjshme, e deri në pikat kufitare nga ku ky mineral nxirret jashtë vendit.

Ministri Tahiri ka lënë porosi të veçanta për forcimin e masave ndaj dy drejtorive të policisë në Lezhë dhe Dibër, si dy nga qarqet më kryesore prej nga ku nis dhe kalon kjo kontrabandë minerali.

Takimi ka marrë shkas për këtë mbledhje nga bllokimi i kamionëve, të cilët kishin destinacion portin e Durrësit dhe nuk kishin “dokumentacionin përkatës”. Rreth 1 mijë ton mineral kromi ishte i ngarkuar në 15 kamionë dhe 4 kamionë ishin me materiale inerte.
 
Sipas ministrisë, për këto materiale “transportuesit nuk kishin dokumentacionin përkatës”.

Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se, “më datë 5 nëntor 2013, Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë ka organizuar një operacion për goditjen e aktiviteteve të kundraligjshme në lidhje me ngarkesat me minerale dhe inerte pa dokumentacinon e duhur tatimor”.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Anti-berishistët mbledhin firmat për partinë e re, a do të mbështetet?



×

Lajmi i fundit

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia