Pas kronikës së transmetuar në Report Tv, për kalimin e vijave të bardha dhe çelja e dritës jeshile të semaforëve për automjetet dhe këmbësorët njëherazi, ka reaguar drejtori i Policisë Rrugore të Tiranës, Ervin Dervishi.

Dervishi thekson se është detyrë e Autoritetit Rrugor ndryshimi i kronometrimit të kohës semaforike për secilin përdorues të rrugës.

“Arsen me ngacmoi kronika juaj, të përgëzoj për kontributin tuaj në ndërgjegjësimin qytetar ndaj përdoruesve të rrugës.

Shpresoj që autoriteti përgjegjës, të ketë ndjekur dhe të marrë masat për plotësimin me Vija të Bardha të këtij kryqëzimi, ku dukej qartësisht se mungonin.

Pa dashur të bej avokatin e drejtuesit të mjetit, semafori ku ti ndodhesh ( kthimi majtas ) është i padukshëm për drejtuesin e mjeteve.
 
Shpresoj gjithashtu që Autoriteti përkatës të marrë masat për ndryshimin e kronometrimit të kohëve semaforike për secilin përdorues rruge, në mënyrë që mos ketë përplasje mes tyre.

Mungesa e një infrastrukture të duhur, sinjalitika rrugore jo e përshtatshme, ashtu sikurse e parashikon Kodi Rrugor, sjell çorientim dhe hutim tek përdoruesit e rrugës, çka sjell situata ku nuk mund të flitet më për zbatueshmërinë e Kodit Rrugor.

Gjithsesi Policia Rrugore do duhet të bëhet edukator edhe për këtë fenomen, pasi frika ndaj policisë rrugore vazhdon të prevalojë karshi ndërgjegjes dhe edukatës rrugore të drejtuesve të mjeteve”, tha Dervishi.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com