Në këtë komunë, 228 persona përfitonin ndihmë ekonomike, nga këta 193 prej tyre ishin përfitues të paligjshëm.
Skandali është zbuluar nga kontrolli i bërë nga Shërbimi Social Shtetëror i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Ky shërbim ka kallëzuar sot në Prokurorinë e Rrethit të Tiranës, kryetarin Artan Leka dhe anëtarët e Këshillit të komunës Krrabë, si dhe përgjegjësen e seksionit të ndihmës ekonomike dhe të Personave me Aftësi të Kufizuar, me motivacionin e shpërdorimit të detyrës. Të gjithë këta ishin përfaqësues të LSI. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.
Këto burime thanë se, nga kontrolli i ushtruar nga auditi i Shërbimit Social Shtetëror ka rezultuar se nga 228 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike në Komunën e Krrabës, 193 prej tyre e kanë përfituar ndihmën ekonomike në shkelje me kriteret e përcaktuara ligjore, mes të cilëve edhe familjet e Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të komunës.
“Sipas vlerësimit paraprak, për periudhën e kontrolluar 9-mujore të vitit 2013, këto shkelje ligjore i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit gjithsej një dëm prej 7.124.722 lekë. Shkelje të tjera u evidentuan edhe gjatë kontrollit të dosjeve të personave me aftësi të kufizuara, ku rezultoi se nga 52 persona që trajtohen me pagesë paaftësie në komunën e Krrabës, 8 prej tyre e kanë përfituar atë në shkelje të kritereve ligjore”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Sipas ministrisë, veprimet e mësipërme ngarkojnë me përgjegjësi kryetarin dhe anëtarët e Këshillit të komunës Krrabë, si dhe administratoren e Ndihmës Ekonomike dhe të Aftësisë së Kufizuar të komunës Krrabë.
“Në përfundim të këtij kontrolli, Shërbimi Social Shtetëror ka kërkuar regjistrimin e procedimit penal ndaj të kallëzuarve dhe ushtrimin e ndjekjes penale ndaj personave të tjerë që do të rezultojnë përgjegjës gjatë hetimeve të kryera”, ka deklaruar Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Shërbimi Social Shtetëror po vazhdon kontrollet e skemës së Ndihmës Ekonomike dhe Pagesave të Aftësisë së Kufizuar dhe do të kallëzojë në Prokurori të gjitha shkeljet e gjetura në skemën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar.
NDIHMA EKONOMIKE, KOMUNA MORI 1.5 MLN LEKE PER MUAJT TETOR-NENTOR
Vetëm për muajt tetor-nëntor 2013 komuna e Krrabës ka përfituar nga buxheti i shtetit 1 469 102 lekë për ndihmën ekonomike. Në listëpagesë duket shuma që i është dhënë kësaj komune më 30 dhjetor të këtij viti për të bërë pagesat e ndihmës ekonomike për tetorin dhe nëntorin.
(Në foto: Apartameni i kyetarit të këshillit, Artan Leka)
(Foto/Shuma e kaluar komunës Krrabë, Ndihmë ekonomike muaji tetor-nëntor 2013 vkk.nr.24-25 dt.27.12.2013, listëpagesa)
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)