KRUJE- Uji i pijshëm në çezmat e banorëve të qytetit të Krujës prej 3 ditësh rrjedh i ndotur dhe tërësisht i turbullt. Banorët vuajnë mungesën e ujit, pasi vjen i mbushur me baltë dhe inerte.

Banorët ankohen për këtë situatë dhe kërkojnë marrjen e masave që uji të mos rrjedhë më i ndotur.

Sipas drejtorisë së Shëndetit Publik në Krujë kjo situatë përsëritet sa herë ka reshje intensive shiu. Vendburimi i ujit ndotet për shkak të rrëshqitjes së dherave, si pasojë e prerjes së pyjeve pa kriter në malin e Shkretës, ku ndodhet ky reservuar.

Ndërkohë, Ndërmarrja e Ujësjellësit që furnizon gjithë qytetin e Krujës ka ndërprerë ujin deri në përmirësimin e cilësisë së tij, ndërsa banorët sigurojnë ujin përmes puseve dhe burimeve në periferi të qytetit.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)