Kruja: Përplasja me qeveritarët 
e dhe vdekja e Hasan Prishtinës

Kruja: Përplasja me qeveritarët <br />e dhe vdekja e Hasan Prishtinës
Kjo është pjesa e dytë e promemories së Mustafa Krujës, hartuar në shenjë nderimi për mikun e tij që mbeti i vrarë në Selanik pas një atentati. Dokumenti i gjetur në arkivin e Ministrisë së Jashtme italiane është përkthyer nga italishtja dhe përgatitur për botim nga Prof. Izber Hoti me titullin “PROMEMORJE E DENJË”. Ajo është përfshirë edhe në librin e ri të kolanës së veprave të Mustafa Krujës me titullin “Gjysëm shekulli me pendë në dorë”, që pritet të dalë në librari së shpejti nga botimet “Omsca-1”. Pjesën e parë të këtij dokumenti e botuam në numrin e djeshëm të gazetës dhe po e vijojmë sot, në suplementin tonë.

Vijon nga dje...

Pasi shpresa, sidomos ajo e politikanit, duhet të ketë njëfarë mbështetje në realitet, Hasan Prishtinës, edhe pse idealist, nuk mund t’i përvidheshin situata reale. Ai hetoi se bazë mbi të cilën mund t’a mbështeste çdo shpresë të irredentistit dhe atdhetarit të madh shqiptar duhej të drejtohej nga Roma. Ai nuk mund të mos e dinte simpatinë që populli shqiptar kishte gjithmonë ndaj Italisë, si dhe marredhëniet e tij historike me shtete  të ndryshme italiane, prej Venediku deri në Napoli.  

     Ai e dinte se ajo që bëri diplomacia italiane në Konferencën e Londrës në dobi të pavarësisë shqiptare,  nuk ishte më pak  e vlefshme nga ajo e Ballplatz-it. Rrethanat e luftës e kishin shtyrë Hasanin që të drejtohej më shumë kah Viena se sa kah Roma.

Kështu veproi për shkak se vetëm në këtë mënyrë mund të zhvillonte një veprim në dobi të popullsisë së tij të shtypur. Pasi Perandoria e Habzburgëve u shkatërrua gjendja ndryshoi. Hasan beu e dinte se e vetmja fuqi që do të përkrahte të drejtat shqiptare ishte Italia. Për këtë arsye, pas pushimit të armëve Hasan Prishtinën e shohin në Romë. Ai këtu nuk erdhi t’i kërkojë ndihmë Italisë në dobi të Kosovës në këto rrethana, sepse e dinte se Italia gjatë luftës qe aleate e Serbisë, por të paktën të thoshte fjalën e saj në dobi të Shtetit shqiptar, siç ishte definuar në periudhën e paraluftës.

     Ai kaloi disa muaj në kryeqytetin italian dhe pastaj u kthye në Shqipëri.
     Veprimtaria që zhvilloi në këtë periudhë Hasan Prishtina, qoftë në atdhe ose jashtë tij, ka vulë të qartë të patriotizmit dhe të miqësisë më të sinqertë ndaj Italisë. Ai ndihmonte sa dinte gjithmonë qeveritarët që të evitonin ngatërresat e çdo lloji, që paraqiteshin në rrethanat e pasluftës, kërkonte të eliminoheshin armiqësitë dhe synimet e planeve të elementëve kundërshtarë, si edhe luftonte intrigat e pandërprera të jashtkufijve, që bëheshin me qëllim të nxitjes së turbullirave në vend.

     Në kohën e Konferencës së Paqes Hasan beu shkoi sërish në Romë, kur mendoi se  synimet italiane me ato jugosllave ishin të kundërta. Mirëpo, ai hetoi menjëherë se këto mospajtime nuk ishin të natyrës që do të ndikonin në çështjen e Kosovës. Atëherë shkoi në Rijekë dhe iu paraqit D’Anuncios, që menjëherë i bëhet idhull e për të cilin fiton simpati të madhe.

Më vonë me një mik të vetin, Dervish be Mitrovicën, shkoi që të marrë pjesë në një komitet irredentist të shqiptarëve, bullgarëve, malazezëve, kroatëve e të hungarezëve të Vojvodinës, të themeluar nën mbrojtjen e poetit – ushtar i madh (Gabriele D’Anuncio-I.H.). Punon me pasion idealist dhe kështu fiton admirimin e komandantit të madh. Asgjë nuk i dukej më e çmuar në marredhëniet personale dhe asgjë nuk e mbronte sa nderi që ishte mik i një italiani të madh që shihej e shoqërohej me kujtimet që kishte për të, si dhe letrat që kishte marrë prej tij, të cilat ishin plot dashuri për popullin shqiptar.

     Në verën e vitit 1920 Shqipëria sulmohet tradhëtisht nga bandat serbe, që e rrezikuan edhe vetë qytetin e Shkodrës. Hasan beu është atje, pranë Bajram Currit i cili fiton famën e Garibaldit shqiptar e që komandon edhe kësaj rradhe vullnetarët kosovarë në mbrojtje të atdheut të tij. Luftëtarët nuk mungojnë dhe janë të gatshëm të sakrifikohen për çdo pëllëmbë të tokës kombëtare. Mirëpo, flitet se mungon materiali luftarak ; ka vetëm pak municion, nuk ka mjaft pushkë për të gjithë luftëtarët, asnjë ton. Çfarë bën qeveria?

     Hasan Prishtina shkoi në Tiranë. Bisedoi me qeveritarët: “Çka bëni? Përse nuk dërgoni material? Me çka duhet të luftojnë këta rimarrës e shqipe të bjeshkëve të saj ?”. Këta fatkëqinj të Qeverisë janë të zënë ngushtë e përgjigjen: “Ku t’a gjejmë materialin. Edhe shtëpitë janë të zbrazta!”. “Do të provoj un t’ua gjej këtë material të nevojshëm dhe atë pa asnjë qindarkë”. Qeveritarët e mjerë mbetën të habitur duke parë njëri tjetrin. “Veproni, pa do t’u jemi mirënjohës”, i thanë patriotit të madh, por me një mosbesim të tepruar dhe jo pa ironi, të cilën nuk mundën t’a fshihnin. “I shërbej atdheut tim”, tha tjetri e shkoi.

     Pas disa ditëve ja, në limanin Medua dy barka të mëdha plot me materiale të ndryshme luftarake, të ardhur nga Rijeka: dhuratë e çmuar për Shqipërinë në atë kohë prej një miku të madh, të cilën e dërgoi vetëm mbështetur në fjalën e Hasan Prishtinës. Dervish bej Mitrovica, i ngarkuar me këtë mision  nga D’Anuncio, zbriti shpejt për t’ia sjellë mikut lajmin e gëzuar. Miku njofton Qeverinë dhe lut atë që të shpejtojë shkarkimin, duke zbatuar urdhërin e autoriteteve të limanit, dhe për këtë arsye të dërgojë një numur puntorësh.

     Të nesërmen në Medua arrin komandanti i xhandërmarisë së Shkodrës. “Ku janë punëtorët? As këta pak punëtorë që janë këtu nuk mund të punojnë, sepse leja për zhgarkim ende nuk ka arritur”, i tha Dervish beu komandantit sa e pa. “Un këtu kam ardhur që të pengoj shkarkimin, qeveria ka urdhëruar që materiali të kthehet prapa”, ia ktheu komandanti.

     Tradhtia? Mos vallë serbët kanë pushtuar Shkodrën? Edhe Tiranën? Asgjë nuk mirret vesh. Dervishi vazhdon të telefonojë: thërret Hasanin e ai Tiranën. Nga ministrat dëgjohen përgjigje të turbullta e konfuze: “Qeveria ka urdhëruar ashtu si ka thënë komandanti i xhandërmarisë. Ajo e refuzon materialin. Është e detyruar t’a refuzojë, mirëpo ajo nuk mund të shpjegojë motivin, çështje shteti...” Hasanit të mjerë i coptohet zemra. Merr një makinë e niset për Tiranë.

Ministrat e zotë, me dhëmbë të shtrënguara ia thonë arsyen e Qeverisë: Beogradi ka protestuar. Atdhetari i madh përpiqet më kot t’ua shpjegojë atyre arsyen shteti kundër arsyes së shtetit. Çdo gjë iu bë e qartë dhe shkoi tejet i dëshpëruar, mirëpo duke u betuar në përbuzje të përjetshme, në urrejtje të përjetshme. Përbuzje dhe urrejtje që i mori deri në varr e që u bënë shkaku i vdekjes së tij të përdhunshme e të hershme.

     Në dhjetor 1921 Hasan Prishtina bashkëpunoi me një grup atdhetarësh të tjerë në një përpjekje që e solli atë në Presidencë të këshillit. U detyrua të ikë në brendì të vendit, ku qëndroi gati dy vjet. Pastaj kaloi në Itali. Qëndroi në Romë disa muaj, kur u bë një ndrrim në qeveri, të cilin edhe vetë e kishte dëshiruar.

Kjo qeveri i mundësoi atij kthimin në atdhe, mirëpo, pas gjashtë muajsh, partia kundërshtare kthehet sërish në pushtet dhe ai është i detyruar prapë të marrë rrugën e mërgimit. Që atëherë jetoi larg atdheut të adhuruar : në Itali, Austri, Francë, Stamboll, dhe në fund në Budapest. Disa javë para mbarimit tragjik të tij kishte shkuar në Selanik për të rregulluar disa çështje të pasurisë së patundshme që kishte atje, si dhe për të parë nënën e tij plakë dhe të vëllanë.

I besoi vrasësit, i cili iu paraqit si mik. I besoi para së gjithash ngase ai ishte irredentist e një irredent nuk do të mund të ishte kurrë një shpirt i shitur te armiqtë e irredentizmit. Dhe, e pagoi tragjikisht gabimin. Vdiq me dashurinë e atdheut. I kurorëzoi me flijim të lartë sakrificat e 25 viteve në altarin e idealit më të pastër. Me vrasjen e Hasan Prishtinës irredentizmi shqiptar humbi një prijës trim, Shqipëria një bir të devotshëm e guximtar, ndërsa Italia njërin ndër miqtë më besnikë në Shqipëri.
hasan prishtina








































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?