Partia Demokratike ka qenë e paaftë për të nxjerrë drejt kutive të votimit jo vetëm qytetarët e thjeshtë, por edhe simpatizantët e saj. Kështu tha Ish-deputeti Ervin Salianji në Foltoren e nisur sot nga Durrësi, ku nënvizoi nevojën që kupola drejtuese e Partisë Demokratike të mos mbyllë sytë ndaj faktit që baza e kësaj force politike është e lodhur nga humbjet e njëpasnjëshme dhe zbatimi verbërisht i direktivave politike, që nuk kanë prodhuar kurrë asnjë rezultat, e as nuk i kanë afruar me fitoren.
"Të dashur miq, duhet ta themi hapur dhe me sinqeritet: një tjetër shkak është pafatësia e opozitës. E para, për të qenë të ndërgjegjshëm për të nxjerrë shqiptarët drejt kutive të votimit, për t’i fituar zgjedhjet. Zgjedhjet e pjesshme lokale janë mesazh. Edi Rama nxori 15 mijë votues në Vlorë, por ne nuk nxorëm më shumë se 2 500. Ne jemi të qartë pse nuk i motivojmë ne të dalin të votojnë dhe t’i pyesim; ne nuk mund t’i mbyllim as sytë, as veshët, kur një super-skandal si rasti i Belinda Ballukut nuk bëri që njerëzit të vërshonin në shesh dhe të revoltoheshin, të rrëzonin qeverinë. Ministra, kryebashkiakë e zyrtarë përballen çdo ditë me drejtësinë, por nuk i lëshojnë postet. PD përsëri nuk po rritet. Personalisht e ndjej plagën tuaj dhe të çdo demokrati; humbjet apo vjedhjet na kanë ulur kokën, gërryer shpirtin. Demokratët janë lodhur, dhe ne nuk duhet ta kemi frikë të themi të vërtetën ashtu siç është. Çdo drejtues duhet ta shohë këtë ashtu siç është. Unë di edhe diçka tjetër: PD nuk është vetëm një parti politike; po të ishte e tillë, me çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve, nuk do të kishte mbijetuar dot. PD është vokacion, pasuri kombëtare, por ajo duhet të hapet, të ripërtërihet, të zgjohet, të rinovohet. Zëri i ri bashkon njerëzit përtej partive politike. Zëri i ri ka sjellë shpresë dhe aspirata fitoreje në disa bashki. Shqipëria ka nevojë për ne, ka nevojë për një PD të hapur, energjike, të sinqertë. Duhet ta themi me zë të lartë dhe pa asnjë kompleks: ne kemi forcën për ta sjellë rotacionin në këtë Shqipëri, ne kemi forcën për ta fituar. Partia Demokratike duhet të hapet. Të ngrihemi në lartësinë e pritshmërive të shqiptarëve, të rrokim në çdo derë…",- tha ndër të tjera Ervin Salianji.
Lajmi kryesor:
Salianji trazon PD me Foltoren nga Durrësi: Partia duhet të hapet që të mundë Ramën! E paaftë të fitojë zgjedhjet, ndryshimi nis këtu












