Krujë- Goditen dy raste të tregtimit të lëndëve piroteknike, procedohen penalisht dy persona të dyshuar, teksa shisnin fishekzjarrë dhe kapsolla në dyqanet e tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, njoftuan sot (30 Dhjetor) se nga kontrollet e përditshme në terren, kanë konstatuar 2 dyqane ku shiteshin lëndë piroteknike.
Nën procedim janë marrë A. Sh., 56 vjeç dhe E. Gj., 25 vjeç, të dy banues në Krujë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhjetëra fishekzjarrë dhe kapsolla që u gjetën në këto 2 dyqane.
Policia njoftoi se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, teksa paralajmëron ndëshkimin e çdo personi kundravajtës.