KRUJË - Janë pezulluar dy punonjës të Komisariatit të Policisë së Krujës, pasi nuk kanë kryer detyrën për të marrë kallëzimin e një shtetasi, e madje e kanë zvarritur atë në mënyrë të pajustifikuar.
 
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, Gëzim Rama, lindur në Krujë dhe banues në Tiranë është paraqitur dje pranë Komisariatit të Krujës, për të depozituar një kallëzim lidhur me vjedhjen e banesës së tij, ngjarje kjo e ndodhur një ditë më parë. Me gjithë përpjekjet e tij, ai nuk ka arritur ta bëjë këtë denoncim edhe për dy ditët në vazhdim, duke u zvarritur në mënyrë të paligjshme nga ana e dy punonjësve të policisë së këtij komisariati.
 
Nga verifikimet e bëra prej drejtuesve të komisariatit rezultoi se përgjegjës për zvarritjen e marrjes së denoncimit të këtij qytetari janë specialisti i policisë së zonës dhe shefi i Seksionit për Krimet e Hapura pranë këtij komisariati. Nisur nga këto verifikime, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, vendosi pezullimin e këtyre punonjësve nga detyra dhe paralelisht nisjen ndaj tyre të ecurisë disiplinore, që i ka kaluar për kompetencë Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
 
Lidhur me vjedhjen e banesës së shtetasit Gëzim Rama, në lagjen nr.1 në Krujë ka nisur menjëherë puna për dokumentimin e saj. Nga hetimet e policisë u arrit të identifikohen dhe të ndalohen autorët e dyshuar që janë shtetasit: Taulant Dashnor Këllçishta, 19 vjeç, lindur e banues në Krujë dhe Shpëtim Dem Xhaferri, 39 vjeç, lindur e banues në Krujë.

Pas kontrollit të kryer në banesën e këtij të fundit është gjetur nga policia një armë gjahu pa leje dhe një armë zjarri automatike, si dhe disa sende që dyshohen se janë  vjedhur tek lokali i shtetasit Gëzim Rama.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com
)