Kryeadministratorja e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, mbajti sot fjalën përshëndetëse në Konferencën Vjetore të organizuar nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile.
Në fjalën e saj, Xhaja theksoi se viti 2025 ka qenë një vit me zhvillime pozitive për AAPSK, duke u shoqëruar me rritje të transparencës, përmirësim të procedurave dhe forcim të standardeve të llogaridhënies në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara nga krimi i organizuar, të cilin Kryeadministratorja e cilësoi si një instrument të drejtpërdrejtë për kthimin e pasurive të paligjshme në vlerë për shoqërinë. Sipas saj, ky proces nuk përbën vetëm një mekanizëm administrativ, por një politikë me ndikim të qartë social, që kontribuon në forcimin e kohezionit social, rritjen e solidaritetit dhe mbështetjen e komuniteteve në nevojë.
“Ripërdorimi social i pasurive është mënyra se si shteti i përgjigjet padrejtësive dhe pabarazive, duke i kthyer pasuritë e krimit në shërbim të interesit publik,” u shpreh Xhaja, duke nënvizuar se kjo qasje ka ndikuar pozitivisht edhe në perceptimin publik ndaj AAPSK, si një institucion me rol aktiv në shërbim të shoqërisë.
Kryeadministratorja theksoi gjithashtu afrimin e agjencisë me komunitetet dhe organizatat e shoqërisë civile, duke e konsideruar komunikimin, transparencën dhe hapjen ndaj publikut si elementë kyç për ndërtimin e besimit dhe rritjen e efektivitetit institucional.
Duke folur për perspektivën e vitit 2026, Xhaja bëri të ditur se AAPSK synon të forcojë më tej ndikimin social të pasurive të rikthyera në përdorim publik, të thellojë standardet e transparencës dhe të zgjerojë bashkëpunimin me aktorët që veprojnë në terren për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përfshirjen sociale.
Konferenca Vjetore e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi shërbeu si një platformë dialogu dhe reflektimi mbi veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2025 dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me shoqërinë civile në luftën kundër diskriminimit.
Komente











