Krerët e 5 bashkive të qyteteve më të rëndësishme shqipfolëse në një takim në hotel Plaza kanë firmosur sot memorandumin e përbashkët.
 
Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti përfunduan në këtë mënyrë takimin dy ditor që konsistoi në krijimin e Unionit dhe bashkëpunimit mes bashkive shqiptare.

“Është fakt dhe privilegj se të pestë së bashku i shërbejmë rreth 1/3 të popullatës shqiptare në rajon dhe besoj se nëse ngjizim diçka të mirë sot, dhe nëse secili prej nesh bën një punë të mirë, praktikisht kemi bërë më shumë për kombin tonë se sa të gjithë referatet dhe të gjitha sloganet bashkë, kur vjen puna te shërbimi konkret për qytetarët. Jemi mbledhur këtu sot sepse besojmë se mund ta bëjmë më të mirën për komunitetet që jetojnë në pesë bashkitë tona”, tha Veliaj.

Ai shprehu bindjen se ky organizim do t’i shërbejë në radhë të parë qytetarëve shqiptarë në të gjitha bashkitë dhe komunat shqipfolëse, pasi do të risë si organizimin e bashkëpunimeve konkrete mes tyre, por edhe do të shërbejë për shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira.

[gallery]19890[/gallery] 

 “Kjo mund të duket e vështirë për momentin; në politikat tona të brendshme ne shqiptarët jo rrallë kemi përplasje, tensione, por këtu nuk bëhet fjalë për politikë të brendshme. Këtu bëhet fjalë për një nismë që do të avancojë kauzën e shqiptarëve në mbarë rajonin, duke i ofruar qeverisje më të mirë lokale, shërbime më të mira, zgjidhje më të mira për jetesën në komunitet, cilësi më të mirë në të gjitha faktorët e jetës që preken nga puna e bashkisë. Këto nuk kanë ngjyrë dhe përkatësi partiake. Rruga është rrugë, si në Tiranë, si në Prishtinë, shkolla është shkollë, si këtu, si në Tetovë, një kopsht është një kopsht, si këtu, si në Preshevë dhe një infrastrukturë moderne dhe pastrimi i qytetit është e njëjta vlerë dhe shihet më rëndësi si këtu, si në Ulqin. Këto vlejnë njësoj për të gjitha grupimet politike, qoftë socialist, apo demokrat, qofshin BDI apo PDSH, qofshin të Vetëvendosjes apo të LDK-së dhe PD në Kosovë", tha Veliaj.
 
Ai tha se kësaj nisme do t'i bashkohen të gjitha bashkitë shqiptare në rajon, për të pasur shumë shpejt një rrjet të stabilizuar, ku bashkitë dhe komunat mësojnë nga eksperiencat e njëri-tjetrit, në të gjithë rajonin dhe trevat ku jetojnë shqiptarë.
 
“Ky nuk është një projekt nacionalist. Ky është një projekt shumë pragmatik, që synon të rrisë bashkëpunimin mes shqiptarëve për të zgjidhur problemet e sfidat konkrete me të cilat përballen qytetet tona. Nëse Tirana sot mund të bashkëpunojë dhe të ketë binjakëzim me qytete nga e gjithë Europa, edhe disa vende përtej Europës për projekte, shkëmbime e ekspertizë, përse jo më shumë me Prishtinën, Ulqinin, Tetovën apo Preshevën?”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi gjithashtu se në fund të kësaj konference, të bashkitë dhe komunat që janë pjesë e këtij Unioni do të firmosin edhe një platformë me 5 pika bashkëpunimi, që kanë të bëjnë me fusha të ndjeshme për jetën e qytetarëve, siç është urbanistika, mjedisi, arti dhe kultura, dhe inovacioni.
 
“Bashkëpunimi mes nesh është për të ndarë idetë e projektet, për t’i huazuar njëri-tjetrit zgjidhje të suksesshme, siç ishte modeli që pamë dje i partneritetit publik-privat me stadiumin “Qemal Stafa” apo ajo që duam të bëjmë me 20 shkollat e reja në Tiranë. Kemi identifikuar 5 shtylla kryesore të bashkëpunimit praktik dhe pragmatik, që mbulojnë problemet kryesore me të cilat përballemi dhe në këto 5 shtylla duam të ndërtojmë një platformë bashkëpunimi”, tha veliaj.
 
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti vlerësoi këtë nismë, duke theksuar se qytetet shqiptare kanë shumë nevojë për të vënë në jetë fuqinë e madhe rinore që kanë në përbërje të tyre.

“Ndoshta nuk e kemi infrastrukturën, por qytetin e kemi plot. Prishtina sot është qyteti më i ri, apo kryeqyteti më i ri në Evropë; 50 % e qytetarëve tanë janë nën 25 vjeç, 70% e prishtinasve janë nën 35 vjeç. Nuk ka qytet të tillë prej kryeqyteteve në Europë, sikurse besoj është edhe Tiranë, që ka këtë energji të cilën duhet ta kanalizojmë, ta shfrytëzojmë dhe ta kthejmë në një mirëqenie për qytetarët tanë. Kjo është sfida jonë”, tha kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
 
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi theksoi faktin që ky bashkim bën të mundur kalimin nga diskutimet teorike, në një bashkëpunim konkret, që do u vijë në ndihmë edhe shqiptarëve që jetojnë në shtete ku ata nuk janë shumicë.

“Konsideroj se ky moment i debatit praktikështë me rëndësi të veçantë. Nëntori, padyshim është muaj i rëndësishëm për kalendarin e festave tona, dhe si shqiptarë natyrisht gëzohemi që sëpaku një pjesë e territorit gjeografik të banuar nga shqiptarë, i cili para 104 viteve shpalli Pavarësinë, sot është shtet, i cili është anëtar me NATO-n dhe është në proceset e fillimit të bisedave me BE-në”, tha Teuta Arifi.
 
Në këtë konferencë përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili u shpreh se tashmë ka ardhur koha që kjo nismë të japë produktet konkrete të bashkëpunimit mes të gjitha bashkive dhe komunave shqiptare.

“Të bëjmë punë dhe ta vendosim punën tonë në mënyrë të thellë strategjike dhe të jetë afatgjatë. Kjo do të jetë një bazë e bashkëpunimit tonë edhe e Unionit, të cilin sot po e themelojmë, për këtë arsye të gjithë ata që janë staf teknik, të shërbimeve të ndryshme, mendoj se janë trajnuar në këtë nivel që do të ndërtojnë gjithçka që është afatgjatë dhe është e qëndrueshme”, u shpreh Shqiprim Arifi.
 
Ndërkohë, pjesa e dytë e konferencës iu kushtua prezantimeve të stafeve të secilës bashki dhe komune, diskutimeve konkrete se si ky Union mund të bashkëpunojë në të ardhmen.  Në fund kryetarët e bashkive dhe komunave, që janë pjesë e këtij Unioni, nënshkruan edhe një marrëveshje konkrete bashkëpunimi, ku janë përcaktuar fushat se ku do të punohet dhe bashkëpunohet në muajt në vijim.
 
Në mbyllje të konferencës, kryebashkiaku Veliaj theksoi se shumë shpejt do të caktohet edhe takimi i radhës, ku do të propozohet që të marrin pjesë edhe bashki të tjera.

Edhe 3-4 bashki të tjera do t'i bashkohen nismës për të qenë shumë të kujdesshëm që fokusi të jetë te cilësia dhe jo detyrimisht te sasia, si dhe për t’u siguruar që nuk e humbasim këtë cilësi të dijes që shkëmbehet në takime të tilla”, tha Veliaj. 

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com