Muri rrethues në pronën e familjes Baho, i ndërtuar në mënyrë abuzive sipas Gjykatës së Beratit, do të jetë shkaku që kryetarja e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj të hetohet nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Gjithçka nisi në vitin 2020, kur Petrit Baho nga fshati Poshnje i Dimalit paditi bashkinë se ka ndërtuar një mur pa leje, duke cenuar banesën e tij. Hetimet u kryen nga prokuroria e Beratit dhe më 5 korrik të këtij viti, gjyqtarja e Beratit Adelajda Gjuzi dha vendimin në favor të familjes Baho dhe kundër bashkisë Dimal. Report TV disponon vendimin të gjykatës, e cila urdhëron bashkinë të shembë murin rrethues me shpenzimet e veta, me kushtin e mospërsëritjes në të ardhmen.
"Jemi në kushtet që është cenuar pronësia e paditësit Petrit Baho nga ndërtimi i këtij muri rrethues midis godinës së paditësit dhe godinës (kopsht për fëmijë) duke zvogëluar hapësirën funksionale midis këtyre dy ndërtimeve Për ndërtimin e këtij muri nuk janë zbatuat rregullat e urbanistikës në lidhje me distancën minimale të lejuar të ndërtimit nga kufiri i pronës së paditësit dhe nuk është marrë parasysh që në katin përdhe të ndërtesës së paditësit ka dritare, vetratë, si dhe ka një dalje konsol të kësaj ndërtese. Lartësia e murit rrethues është 2 metra, ndërsa në projekt ishte parashikuar 1.5 metra . Në këto kushte i është cenuar liria e përdorimit të pronës së Baho dhe njëkohësisht është zvogëluar hapësira funksionale e nevojshme për shërbime ndaj komunitetit", thuhet në vendimin Gjykatës.
Gjykata jo vetëm urdhëron bashkinë të shembë murin, por i kërkon prokurorisë së Beratit të hetojë nëse ka elementë të veprave penale "shpërdorim detyre" dhe "falsifikim të dokumenteve".
Me tu njohur me këtë vendim, prokuroria e Beratit e ka përcjellë kërkesën në SPAK, pasi hetimi i zyrtarëve të lartë, siç është kryebashkiakja Memaj nuk është kompetencë e saj. Gjatë procesit gjyqësor, Bashkia Dimal ka pretenduar se " paditësi Petrit Baho jo vetëm që ka ndërtuar pa leje mbi truall shtet, të cilin më pas e ka legalizuar, pa respektuar ai distancat e ndërtimit nga ish-Kopshti, por edhe ka shkatërruar pronën shtet për qëllime personale ndaj ndërtimi i murit objekt gjykimi është bërë për të shuar konfliktet mes tij dhe shtetasit Ramadan Baho, të cilit i është dhënë me qira godina e ish-kopshtit të fëmijëve". Ndërsa në vendimin e gjykatës thuhet muri është ndërtuar duke tejkaluar lejen për rrethim.
"Nuk ka asnjë bazë ligjore qe të legjitimojë ndërtimin e një muri rrethues nga Bashkia mbi një pasuri për të cilën nuk gëzon asnjë tagër, e cila është prone "shtet" dhe për më tepër truall funksional mes dy ndërtimeve", thuhet në vendim.
Gjykata konstatoi se muri ka rrethuar tokën shtet, duke e kthyer në oborr të ndërtesës që përdoret nga shtetasi Ramadan Bako si laborator mjekësor. Rezultoi se Bashkia Dimal, i ka dhënë me qira Ramadan Bahos ish- Kopështin e fëmijëve Poshnje për periudhën 22.08.2012 deri më 21.10.2021 e më pas kontrata është zgjatur në heshtje mes palëve. Për këto arsye, trupa gjykuese e drejtuar nga Adelajda Gjuzi vendosi:
"Detyrimin e të paditurit Bashkia Dimal të pushoje cenimin e pronësisë së paditësit Petrit Baho mbi pasurinë Nr. 455/12. Detyrimin e të paditurit Bashkia Dimal të prishë me shpenzimet e veta murin e ndërtuar prej tij.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim, në Gjykatën e Apelit Vlorë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë. U shpall sot, në Berat, më datë 05.07.2022.