Kjo ishte deklarata e kryetarit të Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika, gjatë një dalje publike në një televizion lokal të qytetit që drejton, duke iu referuar akuzave më së shumti që i janë bërë atij për dhënien e lejeve të ndërtimit në mënyrë abuzive. Një pjesë e madhe e akuzave kanë ardhur nga eksponentë të maxhorancës.
Shpëtim Gjika në emision u tregua i vendosur për të zbatuar lejet e dhëna në qytetin bregdetar, dhe për to, do të përgjigjet personalisht duke dhënë argumentet përkatëse. “Dosjet shumë shpejt do t’i vihen në tryezën e punës Kryeministrit të Shqipërisë; do t’i vihet në tryezën e punës Ministres së Zhvillimit të Territorit dhe Turizmit; do t’i vihet në tryezën e punës Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të gjitha mekanizmave dhe institucioneve ndërkombëtare” garantoi Gjika.
Pallati i Lul Bashës
Kreu i Bashkisë së Vlorës mohoi faktin se në Vlorë mund të ketë ndonjë pallat të kryetarit të opozitës Lulzim Basha, duke shmangur çdo lloj insinuate për lidhje politike në lejen e ndërtimit te Uji i Ftohtë. “Hedh poshtë gjithçka që ka të bëjë me zotin Lulzim Basha. Nuk ka asnjë angazhim të zotit Lulzim Basha për të ndërtuar në qytetin e Vlorës. Për sa i përket ndërtimit atje, deklaroj me përgjegjësi të plotë, jo vetëm qytetare, por edhe për organet kompetente, duke përfshirë prokurori, gjykatë, polici, të hetojnë, të gjykojnë dhe të vlerësojnë. Ai ndërtim është konform planit të përgjithshëm të qytetit të Vlorës të vitit 1996 dhe studimit të zonës qendër. Asnjë centimetër nuk është shkelur ligji” garantoi kryebashkiaku.
Gjika tha se nuk ka pasur asnjë presion politik dhe as të formave të tjera për të dhënë atë leje ndërtimi, por është mbështetur në planin rregullues të qytetit të miratuar në vitin ‘96. Ai pranoi se, nëse do ta kishte parë me një sy tjetër, me syrin që po shihet sot vija bregdetare, patjetër që do kisha një qëndrim tjetër.
Prishjet në Vlorë
Prej shumë kohësh flitet në ambientet politike dhe mediatike për një marrëdhënie të acaruar mes kryebashkiakut Gjika dhe kryeministrit Edi Rama. Por në intervistën e dhënë për median lokale, Gjika ka hedhur poshtë këto insinuata, duke pretenduar se çdo gjë për kontrollin e territorit në Vlorë, po bëhet në sinkron me kryeministrin.
“Aksioni i ndërmarrë me iniciativën e kryeministrit të Shqipërisë dhe i mbështetur fuqimisht nga ana e Bashkisë Vlorë dhe nga ana ime personale do të vazhdojë. Nuk dua të tregohem modest, pasi e vetmja bashki në republikë që ka filluar procesin e prishjes së ndërtimeve pa leje është Bashkia Vlorë, kryetari i bashkisë Vlorë, Inspektoriati dhe Policia Bashkiake” tha kryebashkiaku.
“Kemi rënë dakord me Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Rama, që pas krijimit të autoritetit bregdetar, pas përmirësimit të legjislacionit për vijën bregdetare, për zonën turistike të qytetit dhe për mënyrën se si do të veprohet dhe se si do të konceptohet shpronësimi i objekteve me leje, patjetër që do kemi gatishmëri” tha ai.
Sipas informacionit të dhënë, gjatë kësaj periudhe nga Pylli i Sodës në kufirin jug-perëndimor të qytetit deri te Përroi i Brizit janë evidentuar 76 objekte. Nga këto, 11 janë me leje ndërtimi ndërsa të tjerat (65 të tilla) do të pastrohen. “Unë nuk e shoh si problem vijën bregdetare, madje jam në paqe me ndërgjegjen dhe vizionin tim sepse vija bregdetare e Vlorës në raport me qytetet e tjera që janë në bregdet, është vija më e mbrojtur dhe ndërtimet janë konform planit rregullues, pa lëvizur asnjë milimetër”, tha kryebashkiaku i Vlorës Gjika.
Rama kërcënon me burg
Në fund të muajit gusht, kur qeveria u mblodh në qytetin e Vlorës, Edi Rama mblodhi kryetarët e bashkive të vijës bregdetare, duke u kërkuar impenjim maksimal për prishjen e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare. Madje, sipas burimeve brenda mbledhjes, Rama ka “kërcënuar” krerët e bashkive të zgjedhura nga PS se nëse kanë dhënë leje duke shkelur ligjin, do të përballen edhe me burgun. Deklarata e Ramës shkaktoi tension mes tij dhe kryetarëve të bashkive, ndërkohë që shigjetimi shkonte më së shumti për bashkinë e Vlorës. Por dy ditë më parë, Gjika u ka dhënë përgjigje gjithë këtyre dilemave.
Shkrimi u publikua sot (25.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)