Kryebashkiaku Veliaj inspekton rifillimin e mësimit në shkollën “Alush Bardhi” në Farkë (VIDEO)

Pavarësisht lëvizjeve të vazhdueshme sizmike që goditën Tiranën të shtunën dhe reshjeve të dendura të shiut gjatë gjithë orëve të fundit, Tirana po i rikthehet normalitetit. Sot shkollat, kopshtet dhe çerdhet në kryeqytet filluan normalisht procesin mësimor, me përjashtim të tre shkollave, të cilat shfaqën problematika pas reshjeve të dendura të shiut gjatë natës. Por, edhe ato do të jenë gati për mësim nesër në mëngjes.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi shkollën “Alush Bardhi” në Farkë, ku dita e shkollës nisi me shpjegimin e situatës së tërmeteve për fëmijët nga punonjësit socialë. “Doja të inspektoja vetë që çdo gjë ka filluar normalisht. Mësimi ka filluar dhe ajo që më gëzoi më shumë është se përveçse ndërmarrja jonë e shkollave, kopshteve, çerdheve, në kohë rekord, duke gdhirë natën në të 300 institucionet e Tiranës, ka mbaruar riparimet, pastrimet e fundit e çdo problematikë tjetër nga tërmeti, e jo vetëm kaq, por ka përballuar edhe sfidën e jashtëzakonshme me shirat e dendur që patëm mbrëmë. Ndoshta, një pjesë e madhe e Tiranës që ishte në gjumë nuk e kuptoi, po kemi pasur shira sa të gjithë muajt e këtij viti, në një ditë. Në Tiranë ka rënë 115 milimetra shi, më shumë se çdo qytet tjetër”, tha Veliaj. 

Ndërkaq, Bashkia e Tiranës do të ndërhyjë për riparimin e dy këmbëve të urës së Tërkuzës në Zall-Herr, si dhe në Bovillë, prej reshjeve të dendura të shiut. “Do të bllokojmë përkohësisht qarkullimin në urën e Tërkuzës në Zall-Herr, kemi dëmtime në të dyja këmbët e urës prej rrebeshit dhe stuhisë së mbrëmshme. Po bëjmë disa riparime në Bovillë, edhe aty kemi pasur një zhvendosje në tubacionin kryesor, fillimisht nga tërmeti, pastaj prej erozionit dhe rrëshqitjes së tokës. Shpresoj shumë që do të rregullohet brenda ditës së sotme, që mos të ndihet në furnizimin me ujë. Jemi duke monitoruar Bovillën, duke qenë se shiu i dendur ra në një kohë shumë të shkurtër, e kjo tipikisht prodhon një lloj turbullire, e cila kërkon kohë deri sa të dekantohet, që uji të jetë gati për filtrim, për të mos bllokuar filtrat e karbonit. Por, janë të gjitha gjëra që kanë një njeri mbi kokë dhe kanë një skuadër të bashkisë në këmbë, për t’i çuar gjërat deri në fund”, theksoi Veliaj.

Ai theksoi se ngjarjet e fundit duhet të jenë edhe një mësim për gjithçka që i është bërë natyrës me ndërtime pa asnjë kriter gjatë viteve ‘90. “Besoj se të gjithë kemi nxjerrë mësime, sidomos mësimet njerëzore janë ato që do na vlejnë në afatgjatë. Në 5 vitet e fundit nuk është vënë një tullë pa leje, megjithatë jemi akoma duke larë haraçin e viteve ‘90 dhe viteve të rrumpallës, ku si në Tiranë, si në komuna, apo në gjithë Shqipërinë, ai kazino-kapitalizmi “kap ça të kapësh, se është e shtetit”, dhe natyrës nuk i kemi asnjë detyrim, sot po e paguan brezi i atyre që ishin të rinj atëherë dhe bënë ato gabime. Këtë vit do të mbjellim akoma më shumë pemë për të ndaluar erozionin; do të bëjmë më shumë aksione pastrimi, për ta mbajtur qytetin xixë, për të pastruar të gjitha vendet ku bllokohen kolektorët, dhe do insistojmë në çdo klasë, në çdo familje, tek çdo fëmijë, që brezi që rritet të jetë një brez që e do veten, do familjen, do Shqipërinë, do natyrën, dhe ka ndërgjegje që ta mbajë qytetin pastër”, nënvizoi Veliaj.

Ai shtoi se fakti që, pas tërmetit, gjithçka iu rikthye normalitetit brenda një kohe të shkurtër, është treguesi më i mirë se ky qytet ngrihet shpejt në këmbë kur njerëzit bashkëpunojnë dhe janë solidarë me njëri-tjetrin. “Tirana është qyteti më solidar; siç rrëzohet, ashtu edhe ngrihet shumë shpejt. Sot është një mëngjes i mirë për Tiranën, ku shkollat janë hapur, ku fëmijët janë rikthyer tek shoqëria e tyre, tek loja, tek vizatimi, leximi, këndimi, sepse besoj që kthimi në normalitet është gjëja më e mirë që mund të bëjmë pas kësaj jave shumë sfiduese”, deklaroi kryebashkiaku. 

Nisur edhe nga ngjarjet e fundit, Bashkia e Tiranës do të fillojë sërish programet e trajnimit për të gjitha operacionet e kërkim-shpëtimit dhe të edukimit të nxënësve nëpër shkolla për masat që merren në rast situatash emergjente. Deputeti i PS, Arben Pëllumbi vlerësoi angazhimin e të gjithë strukturave të Bashkisë së Tiranës për reagimin në kohë, duke bërë një punë të mrekullueshme për përballimin e kësaj situate.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh