Kryeministri Edi Rama iu përgjigj me ironi akuzave të opozitës pas arrestit të ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, duke thënë se sipas kësaj logjike “kryefajtori i çdo rasti” është ai.
Rama tha se përgjegjësia e qeverisë matet me qëndrimin që mban kur një zyrtar përballet me drejtësinë: nëse e mbron apo e lë drejtësinë të bëjë punën e saj.
“E kam fort mirë parasysh, se sa herë del një rast i ri, ku një bashkëpunëtor a zyrtar i lartë ose i ulët, përshihet në librin e llogarive me drejtësinë, rimerr hov drejt meje avazi i vjetër, vulgar dhe përqeshës: “Po si mund të mos e dija; po si mundet që të mos jem i përzier unë vetë; po si mund të them prapë se m’i hëngrën dardhat pas shpinës; po si si si...” Sepse sipas atij avazi, kryefajtori i çdo rasti jam pikërisht unë, që e desha kur askush nuk e besonte si të mundshme, e udhëhoqa kur shumëkush e donte të vdekur dhe e mbroj si askush tjetër Reformën në Drejtësi. Por ja që një kryeministër nuk gjykohet dot me pretendimin absurd, që asnjë njeri i lidhur me të nuk do ta shkelë kurrë ligjin, sepse përndryshe shkelësi është ai vetë.
Kryeministri dhe krejt shumica qeverisëse gjykohen nga qëndrimi që mbajnë dhe veprimi që bëjnë, kur hapet llogaria e drejtësisë për dikë mes tyre apo pranë tyre. A e justifikojnë? A e mbrojnë? A i kundërvihen drejtësisë apo e lenë drejtësinë të bëjë punën e saj dhe individin të mbajë përgjegjësinë e vet?”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Arresti i Hysenit, Rama: Masë ekstreme, por përballë drejtësisë do jetë e vetme! Ekspozimi i SHISH, dëm i madh! Dorëheqje? Asgjë s’më ndal, korrupsioni po goditet (VIDEO)







